Raporti i DASH-it mbi liritë fetare në Shqipëri dhe Kosovë, kërkesat dhe shqetësimet

10 Qershor 2020, 18:38| Përditesimi: 10 Qershor 2020, 18:42

  • Share

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë, që përfshinë të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët. “Zbatimi i të drejtës për lirinë fetare është një domosdoshmëri e sigurisë morale dhe kombëtare. Aty ku liria fetare mungon, terrorizmi dhe dhuna shpërthejnë. Mbështetja jonë për komunitetet fetare jashtë vendit ndihmon për të siguruar mbrojtjen dhe paparimin e amerikanëve në vend”, thuhet mes tjerash në raport. Aty analizohet në kapituj të veçantë edhe gjendje e lirisë së besimit në Shqipëri dhe Kosovë, në të cilët theksohen probleme të trashëguara.

Shqipëria

Raporti sërish nënvizon se kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e besimit. Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, thotë se shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare.

Qeveria ka marrëveshje të veçanta me komunitetet fetare dhe ligji përcakton që qeveria do të japë mbështetje financiare për to. Por marrëveshja e qeverisë me Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare (VUSH) sipas ligjit nuk e përcakton në mënyrë të qartë atë që të marrë një mbështetje të tillë, dhe me gjithë raportimin e VUSH-it qeveria nuk ndau fonde.

Qeveria, thuhet në raport, legalizoi gjatë vitit 135 ndërtesa, pronë e grupeve fetare, ndryshe nga viti 2018 kur ishin legalizuar 105 syresh, ndërsa statusi i 11 pronave të tjera është në shqyrtim e sipër.

Agjencia e Trajtimit te Pronave (ATP), tha në muajin shkurt se ka refuzuar 150 pretendime ndërsa ligji përcaktoi se ATP duhet të dërgojë 410 çështje të mbetura pezull në sistemin gjyqësor.

Komuniteti Islamik i Shqipërisë dhe ai Bektashi ngritën shqetësime në lidhje me ri ngritjen e kërkesave të tyre në sistemin gjyqësor si dhe raportuan probleme për statusin e pronave të caktuara. Drejtuesit e VUSH-it vazhduan të raportojnë vështirësi në blerjen e tokës për ndërtimin e vendeve të adhurimit dhe problemet në lidhje me tarifat e qeverisë komunale.

Komuniteti Islamik tha se nuk ka siguruar leje për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit Beder, një kërkesë e shtruar në vitin 2018, ndonëse Universiteti Beder ka siguruar akreditimin për pesë vjet të tjera në muajin nëntor.

Ky komunitet tha se qeveria nuk i njeh diplomat e lëshuara nga institucionet e huaja për teologji dhe studime fetare. Këshilli i Ministrave, nuk i ka miratuar rregulloret që do të mbështesnin zbatimin e një ligji të vitit 2017 mbi të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare, duke përfshirë lirinë fetare, thuhet në raport.

Gjatë protestave antiqeveritare, udhëheqësit fetarë lëshuan deklarata që dënonin dhunën dhe bënin thirrje për qetësi dhe dialog. Këshilli Ndërfetar nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Qendrën Shqiptare për bashkërendimin kundër ekstremizmit të dhunshëm në muajin maj për të forcuar bashkëpunimin në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe monitorimin e teksteve shkollore për të nënvizuar deklaratat çorientuese për besimin, thuhet në raport.

Më tej përmendet fakti se më 2 mars 2019, Komuniteti Islamik zgjodhi Bujar Spahiun kryetar të ri me mandat 5 vjeçar, në një konkurs që nxiti komente në media në lidhje me kandidatët, pretendimet për ndikime të huaja dhe shqetësime për procesin.

Zyrtarët e ambasadës amerikane u kërkuan sërish zyrtarëve qeveritarë që të përshpejtojnë procesin e shqyrtimit të kërkesave për pronat dhe t’u kthejnë grupeve fetare ndërtesat dhe pronat tjera të konfiskuara gjatë epokës komuniste. Ata gjithashtu i kërkuan qeverisë të njohë diplomat e lëshuara nga universitetet e huaja.

Programet e mbështetura nga ambasada amerikane u përqendruan në nxitjen e fuqizimit të grave në bashkësitë fetare dhe pajtueshmërinë e besimit fetar dhe demokracisë. Ambasada vazhdoi punën e saj me komunitetet fetare për të dekurajuar thirrjet ekstremistëve të dhunshëm të lidhur me fenë midis të rinjve. Në gusht një zyrtar i Departamentit të Shtetit u takua me drejtuesit e bashkësive fetare, Komitetin Shtetëror për besimet dhe zyrtarë të ministrisë së Arsimit për të diskutuar marrëdhëniet ndërmjet bashkësive fetare dhe përpjekjet për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin.

Qeveria amerikane vlerëson se nga 3.1 milionë sa është popullsia në Shqipëri, sipas regjistrimit të vitit 2011 myslimanët suni përbëjnë 57 për qind të popullsisë, katolikët 10 për qind, ortodoksët afro 7 për qind dhe bektashinjtë 2 për qind. Rreth 20 për qind kanë refuzuar të përgjigjen rreth përkatësisë së tyre fetare. Regjistrimi i ardhshëm bëhet në vitin 2021.

Shkollat publike janë sekulare, thuhet në raport, ndërsa shkollat private mund të ofrojnë mësime fetare. Bashkësitë fetare drejtojnë 114 institucione arsimore përfshirë universitete, shkolla fillore e të mesme, institucione parashkollore, kopshte, shkolla profesionale dhe jetimore. Shumica e tyre nuk kanë lëndë të detyrueshme të fesë, por i ofrojnë ato si zgjedhore

Qeveria ka vazhduar procesin e legalizimit të xhamive jozyrtare, kishave katolike e ortodokse dhe teqeve te bektashinjve të ndërtuara gjatë viteve të 90-ta. Agjencia e legalizimeve tha se deri në muajin shtator legalizoi 135 ndërtesa fetare, përfshirë 4 kisha katolike, 71 xhami, 12 kisha ortodokse dhe 48 teqe.

Komunitetet katolike, islame dhe ortodokse thonë se mbështetja financiare nga qeveria është 109 milion lek, afërisht 1.2 milion dollarë, njësoj që nga viti 2015.

Komisioni Shtetëror për Regjistrimin organizatave fetare, numëroi 611 grupe, duke përfshirë 248 fondacione, 323 Organizata Joqeveritare dhe 40 qendra që lidhen me besimet.

Në qershor, zyra e Presidentit dhe ambasada e Holandës, organizuan një konferencë ndërkombëtare mbi dialogun ndërfetar në Tiranë që trajtoi harmoninë ndërfetare si një faktor për qëndrueshmërinë shoqërore dhe politikat për menaxhimin e larushisë fetare. Në fjalën e tij, presidenti Ilir Meta tha se ai ishte krenar me “bashkëjetesën dhe harmoninë e bashkësive fetare".

Në konferencën rajonale të muajit nëntori për avancimin e lirisë fetare, ambasadori amerikan për Liritë Fetare, u foli pjesëmarrësve për besimin si një mjet pajtimi, dha intervista për rëndësinë e lirisë fetare në Shqipëri dhe vizitoi vendet fetare në pjesën veriore të vendit së bashku me drejtuesit e bashkësive fetare të vendit.

Kosova

Në kapitullin për Kosovën, raporti thekson se kushtetuta ndalon diskriminimin fetar dhe siguron lirinë e besimit, por tërheq vërejtjen se ligji nuk lejon që grupet fetare të regjistrohen si persona juridik, duke krijuar pengesa për ta në kryerjen e punëve të tyre. Parlamenti nuk shqyrtoi një projektligj që do t'i lejonte grupet fetare të regjistroheshin si persona juridik.

Ndërsa grupet fetare deklaruan se përgjithësisht kanë marrëdhënie bashkëpunuese me qeveritë komunale, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (KPUK) tha se këto qeveri nuk i trajtojnë organizatat fetare në mënyrë të barabartë për çështjet e pronës, përfshirë këtu edhe dhënien e lejeve dhe hapësirave për varrezat.

Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) thanë se qeveria shkeli disa prej të drejtave pronësore të Kishës, të përcaktuara me Ligjin për Zonat e Posaçme të Mbrojtura, siç është refuzimi për të zbatuar një vendim gjyqësor tre-vjeçar për të njohur pronësinë e kësaj kishe në disa parcela toke rreth Manastirit të Deçanit si dhe ndërtimin e rrugëve që kërcënuan zonat e mbrojtura.

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) raportoi dy raste të diskriminimit në lidhje me punësimin ndaj praktikuesve të besimit islam. Disa zyrtarë të BIK-ut deklaruan se shkalla e nxitjes së ndjenjave anti-myslimane në media u rrit dhe kjo mund të dëmtojë mundësitë e punësimit për myslimanët e devotshëm.

Policia raportoi 61 incidente me motive fetare në nëntë muajt e parë të vitit 2019 që kishin në shënjestër kryesisht tempujt dhe varrezat. Shumë incidente kishin të bënin më përkatësinë etnike por edhe fetare, thuhet në raport, në të cilin përmenden rastet e kërcënimit të një prifti ortodoks në Artanë dhe dëmtimi i varrezave ortodokse në komunën e Lipjanit në dy incidente. Qeveritë lokale dhe ajo qendrore i dënuan rastet duke kërkuar vënin e autorëve para drejtësisë, thuhet në raport në të cilin përfshihen edhe protestat në Gjakovë kundër vizitave të pelegrinëve serbë.

Zyrtarët e ambasadës amerikane vazhduan të inkurajojnë forcimin e mekanizmave nga qeveria për të mbrojtur vendet fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që i japin të drejtë Kishës Ortodokse serbe dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth pronave të saj.

Ambasadori dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës u takuan me udhëheqësit fetarë për të diskutuar shqetësimet e tyre dhe i inkurajoi ata që të nxisin tolerancën fetare dhe të përmirësojnë dialogun ndërfetar.

Në muajin nëntor ambasadori amerikan për Liritë Fetare takoi udhëheqësit e komuniteteve kryesore fetare dhe në një takim me grupet fetare e sekulare të të rinjve bëri thirrje për liri dhe pluralizëm të më madh fetar.

Qeveria amerikane vlerëson se nga 1.9 milion banorë sa vlerësohet se ka Kosova, 95.6 për qind janë myslimanë, 2.2 për qind katolikë si dhe 1.4 për qind i përkasin besimit ortodoks. Ligji nuk përcakton një besim zyrtar, por rendit pesë bashkësitë fetare "tradicionale" që marrin mbrojtje dhe përfitime shtesë, përfshirë ulje taksash.

Raporti thekson se sipas ligjit institucionet arsimore publike do të përmbahen nga mësimi i fesë ose nga aktivitete të tjera që përhapin një besim. Ky ligj është i pazbatueshëm në shkollat që funksionojnë nën strukturat paralele të drejtuara nga qeveria serbe, mbi të cilat qeveria e Kosovës nuk ka kontroll. Një qarkore administrative e ministrisë së Arsimit për kodin e sjelljes dhe masat disiplinore ndalon nxënësit të mbajnë "uniforma" fetare në mjediset shkollave fillore dhe të mesme. Sipas Bashkësisë Islame, nuk pati raste pengesash në shkolla lidhur me këtë kod.

Por, udhëheqësit e kësaj bashkësie raportuan diskriminim në punësimin e aplikuesve myslimanë në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ndaj mësuesve që kishin veshje fetare.

Në raport thuhet mes tjerash se në fund të vitit, komuna e Prishtinës dhe komuniteti hebraik vazhduan të mos pajtoheshin për një lokacion të përshtatshëm për ndërtimin e një sinagoge, për të cilën komuna lëshoi një leje ndërtimi në vitin 2016. Komuniteti hebraik refuzoi një truall në periferi të qytetit të ofruar nga qeveria komunale e cila kërkesën për një truall në afërsi të qendrës së Prishtinës.

Drejtuesit e grupeve fetare vazhduan të takoheshin herë pas here për të diskutuar marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, të drejtat e pronës, përparësitë legjislative dhe çështjet e komunitetit lokal. Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë vazhdoi të bashkërendojë disa veprimtari midis grupeve fetare, përfshirë takimet me autoritetet qendrore dhe lokale, për të diskutuar çështje të tilla si lejet për ndërtimin e tempujve fetar. OSBE-ja, thuhet në raport, gjithashtu përfshiu përfaqësues të të gjitha bashkësive kryesore fetare në këshillat komunale të sigurisë./ VOA

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?