Presidenti Bajram Begaj, në konferencën për mediat me homologen Vjosa Osmani në Kosovë shprehu falënderimet për pritjet e ngrohtë dhe vëllazërore ndërsa tregoi bisedën që zhvilluan për qëndrimet dhe vizionin e dy vendeve.
“Jam i nderuar të jem në Prishtinë, në vizitën time të parë si President– dhe kjo jo thjesht në respekt të traditës, por si një simbolikë e natyrshme, që mishëron lidhjen tonë të pandashme dhe të pandryshueshme – e vulosur nga historia, gjuha jonë e përbashkët dhe heronjtë tanë ndër shekuj. Dy dialekte dhe një gjuhë, dy Republika dhe një komb, kjo është harta jonë e përbashkët patriotike me destinacion Brukselin dhe bashkimin tonë në aleancën EuroAtlantike”, tha Begaj.
Një koment e kishte edhe për raportin e Dick Marty duke thënë se UÇK është faqe e ndritur e historisë së përbashkët që bën krenar çdo shqiptar. Ndër të tjera thotë se raportet e trilluara nuk do njollosin gjakun e shqiptarëve.
“Së bashku fituam luftën, bashkë duhet të luftojmë për të ruajtur paqen. Ky është amaneti dhe trashëgimia solemne e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit; e Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit; e çdo luftëtari të UCK-së, e çdo kulm-kulle në çdo pëllëmbë të kësaj toke që quhet Republika e Kosovës. Ibrahim Rugova ishte një udhëheqës vizionar e qëndrestar dhe themelues i pavarësisë së Kosovës. Vizioni i tij është shembull frymëzimi për të gjithë politikanët në Kosovë dhe në Shqipëri.
UÇK-ja përbën një faqe të ndritur të historisë sonë të përbashkët, që bën krenar çdo shqiptar. Asnjë raport i trilluar që tenton të njollosë gjakun dhe vetëflijimin e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë, flamurit dhe identitetit kombëtar nuk do të arrijë kurrë të zbehë këtë trashëgimi të lavdishme. Ndamë sot të njëjtin qëndrim me Presidenten Osmani se Kosova dhe Shqipëria, jo vetëm gëzojnë këtë lidhje të pazgjidhshme vëllazërore e strategjike, por edhe të njëjtin vizion dhe aspirata, të ardhmen në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha Begaj.
Lajmi kryesor:
Begaj në Prishtinë: Bashkë në çdo hap, 2 shtete një komb, të bashkuar në BE dhe NATO! Osmani: Traktat për të mbrojtur njëri-tjetrin nëse na rrezikohet siguria
//ReportTv.al