Bota

Raporti i Këshillit të Evropës: Turqia dhe Rusia me shkallën më të lartë të të burgosurve për 100 000 banorë

9 Prill 2021, 10:26| Përditesimi: 9 Prill 2021, 13:38

  • Share

Turqia dhe Rusia, kanë shkallën më të lartë të të burgosurve theksohet në një raport të Këshillit të Evropës.  Ato kanë përkatësisht 357 dhe 356 të burgosur për 100,000 banorë. Gjeorgjia renditet e treta me 264 të burgosur për 100 000 banorë, ndërsa Lituania është shteti anëtar i BE me përqindjen më të lartë të të burgosurve me 220. Vende të tjera me norma të larta janë Azerbajxhani 209, Republika Çeke 197, Polonia 195, Sllovakia 193 dhe Estonia 184 për 100 000 banorë. Ndërkohë që sa i përket rajonit të Ballkanit Mali i zi ka shkallë më të lartë të të burgosurve me 178.2 të burgosur për 100 mijë banorë, e dyta është Shqipëria me 177.9 banorë për 100 mijë, e ndjekur nga Serbia me 159.9 dhe Maqedonia e Veriut me 101.8.

Në skajin tjetër renditen Monako, Lihtenshtejn, Islanda dhe Finlanda me popullsinë më të ulët të të burgosurve me më pak se 50 të burgosur për 100,000 qytetarë. Ndërkohë që San Marino nuk ka asnjë.

"Më 31 janar 2020, kishte 1,528,343 të burgosur në institucionet penale të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Kjo korrespondon me një normë evropiane të popullsisë prej 103,2 të burgosur për 100,000 banorë," thuhet në raport.

Mesatarja e përgjithshme ka rënë që nga viti 2013 kur arriti kulmin në 131 të burgosur për 100,000 banorë.

Gjetjet vijnë nga projekti SPACE (Statistiques Pénales Annuelles du Conseil de l’Europe), një përmbledhje vjetore e  të dhënave të të burgosurve nga 47 anëtarët e Këshillit të Evropës.

Raporti i gjerë hedh dritë mbi sfondin dhe kushtet e të burgosurve të mbajtur në institucionet penale evropiane:

Mosha mesatare e të burgosurve është 36 vjeç, ku vetëm 15% e tyre janë 50 vjeç ose më shumë.

95% e të burgosurve janë burra dhe 5% janë gra, vendi me përqindjen më të lartë të të burgosurve femra është Lichtenstein, me 14.3%. Ndërkohë që 1,608 fëmijë jetojnë me nënat e tyre në institucionet penale.

15% e të burgosurve në Evropë janë të huaj, megjithëse kjo normë ndryshon shumë në të gjithë kontinentin, ku në në Monako të gjithë të burgosurit janë të huaj.

22% e të burgosurve të mbajtur në institucionet penale evropiane nuk vuajnë dënimin të formës së prerë dhe konsiderohen "të paraburgosur".

Krimet më të shpeshta janë: trafikimi i lëndëve narkotike 17.7%,  vjedhja 13%, vrasja 12% dhe grabitja 10%. Rreth 8% e të burgosurve janë dënuar për përdhunim ose lloje të tjera të veprave seksuale.

30,524 të burgosur janë dënuar për vepra terroriste, 29,827 prej tyre në Turqi.

Mbipopullimi i burgjeve mbetet një problem kryesor në disa vende evropiane. Në niveli evropian, ka afërsisht 1.6 të burgosur për çdo qeli.

Raporti tregon se 14 vende kanë një dendësi  prej më shumë se 100 të burgosur për 100 vende, me Turqinë 127, Italinë 120, Belgjikën 117, Qipron 116 dhe Francën 116 në krye të listës. Vendet e marra në shqytrim nga Këshilli i Evropës kanë shpenzuar 27 miliardë € për të burgosurit. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?