Klasa politike vijon të mbetet kërcënimi numër një për drejtësinë e re, e cila po merr formë tre vite pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese, ku u projektua edhe arkitektura e saj. Ky është konkluzioni i Këshillit të Lartë Gjyqësor në një plan strategjik për sistemin gjyqësor 2019-2020. Në planin strategjik, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka identifikuar 10 kërcënime që i kanosen drejtësisë së re, bazuar në një sërë të dhënash dhe treguesish. Edhe pse ndryshimet Kushtetuese në 2016 dhe ligjet e miratuara më pas kanë zbehur në maksimum influencat e politikës mbi gjyqësor, KLGJ rendin ndërhyrjet politike në krye të listës së 10 rreziqeve për drejtësinë e re.
Në vendin e dytë listohet perceptimi negativ dhe mosbesimi i madh i publikut tek drejtësia, për shkak të korrupsionit të drejtësisë së vjetër që po shembet. Vakancat në gjyqësor për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut si dhe mungesa e prurjeve të reja të gjyqtarëve përfshihen gjithashtu në listën e 10 kërcënimeve. Më tej, Këshilli i Lartë Gjyqësor rendit si kërcënime të tjera buxhetin e pamjaftueshëm, mungesën e harmonizimit në legjislacion, vakuumet ligjore dhe institucionale, mungesën e motivimit nga ana e personelit, mungesën e ambiente të punës dhe infrastrukturës si dhe ndryshimet e shumta në legjislacion.
Ndërkaq, krahas kërcënimeve, në planin strategjik, renditen edhe nëntë përparësi ose fuqi. Si përparësi renditen asistenca nga partnerët ndërkombëtar, kompetencat gjithëpërfshirëse qeverisëse të KLGJ, përbërja e shumëllojshme e KLGJ, qenia organ i përhershëm kolegjial, përfshirja e Gjykatës së Lartë nën qeverisjen e KLGJ etj. Sa i takon objektivave emergjente deri në vitin 2020, plani strategjik i KLGJ parashikon bëhen funksionale të Gjykatës së Lartë si një prioritet emergjent, duke marrë masat e nevojshme për plotësimin e vendeve vakante në një kohë sa më shpejtë, shpërndarja e drejtë e ngarkesës në gjykatat e vendit me qëllim rritjen e eficencës dhe eksesit për qytetarët, reduktimi i çështjeve të mbartura në gjykatat e të gjitha niveleve si dhe ngritja e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjithashtu prioritet i rëndësishëm është rritja e transparencës në emërimin dhe promovimin e gjyqtarëve, përmirësimi i standardeve të etikës, hartimi i akteve të mbetura nënligjore për zbatimin e reformës gjyqësore etj. Këshilli i Lartë Gjyqësor do të krijojë një strukturë të posaçme për monitorimin e zbatimit të këtij plani.
(Kliko këtu për të lexuar raportin)