Ylli Pata: 'Rastësia' e 'Pashalimanit në NATO'-ditën e finales europiane në Tiranë

25 Maj 2022, 17:27| Përditesimi: 25 Maj 2022, 17:37

  • Share

“Rastisja” qëndrimit në kryeqytetin shqiptar, të kryekomandantit të NATO-s,  Gjeneralit amerikan, Tod Daniel Wolters, ceremonia dhe dekorimi i tij nga kryeministri Edi Rama me medaljen më të lartë, si dhe dalja e lajmit për një tjetër bazë të NATO-s në Shqipëri, të gjitha këto në ditën e një eventi të rëndësishëm europian siç është Finalja e Konference League e UEFA-s, nuk duket tamam një rastësi.

Siç natyrisht nuk ka si të jenë rastësi zërat mediatikë për një përqëndrim anijesh të NATO-s në Karaburun me dyshimin se mund të jetë një pajisje interceptimi dhe interferimi në zonën e bregdetit shqiptar.

Në kulmin e një konflikti në Europë, ku tashmë kemi një ndarje të qartë të botës perëndimore me Moskën, por edhe aktorë të tjerë të rëndësishëm botërore, gjërat duket se po lëvizin shpejt, edhe për një vend të vogël si Shqipëria.

Gjenerali Wolters, i cili është edhe figura më e rëndësishme ushtarake amerikane dhe e NATO-s në Europë, gjatë fjalimit që mbajti në kryeministri, e cilësoi Shqipërinë si “vëllain e madh” të Aleancës Veriatlantike në Ballkanin Perëndimor.

Një definim i qartë gjeopolitik, i cili duket tashmë një stacion final i atashimit politik të Tiranës zyrtare. Atashim që ka objektiva e pasoja të rëndësishme në të ardhmen dhe zhvillimin e vendit në vitet në vijim.

Pas ndërtimit të një baze taktike ajrore në Kuçovë, Shqipëria me zërin e Kryeministrit të saj shpalli kërkesën ende të paformalizuar për të ndërtuar një tjetër bazë taktike ushtarake të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Shqipëri-një bazë detare.

E ku sipas të gjitha gjasave do të kandidojë baza detare e Pashalimanit, si struktura më e rëndësishme ushtarake për instalimet e mjeteve lundruese ushtarake.

Zhvillim ky që nuk vjen krejt rastësisht apo i vetëm, pasi tashmë kemi një influencë por edhe marrëdhënie të nivelit të lartë politik me SHBA-në dhe Perëndimin, si dhe një zhvillim shumë të rëndësishëm edhe në aspektin ekonomik.

Perëndimi: Europa në radhë të parë, ka nisur përpjekjet për të ndërmarrë zbutjen deri në shkëputje të varësisë energjitike prej Rusisë. Ç’ka do të thotë furnizim prej burimeve të tjera, që vijnë qoftë nga Azia jugperëndimore, Afrika e Veriut, apo edhe prej gazit të lëngshëm që vjen prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E pikërisht për gazin e lëngshëm; Shqipëria dhe Greqia priten të jenë stacionet e para të një ere të re ekonomike dhe energjitike sidomos në Europë. Ndaj nuk ishte edhe rastësi pritja mjaft special që ju rezervua në Uashington kryeministrit grek Micotaqis pak kohë më parë.

Duket se jemi në kushtet e një investimi gjigand gjeopolitik që vjen nga përtej Atlantikut, investim që këtë herë është në stadin e konkretizimit, jo ideve apo hezitimit të mjaft shteteve europiane për të ndërmarrë këtë hap.

E të gjithë këto investime, kërkojnë edhe më shumë siguri, e cila përkthehet në dy baza të rëndësishme të NATO-s në një vend të vogël si Shqipëria.

Bazat taktike ushtarake nuk janë një grumbullim i përkohshëm trupash për një rast, apo për zhvillime të përkohshme, por përbëjnë zhvillime të menduara dhe afatgjatë të vizionit gjeopolitik të një aleance globale siç është NATO.

Kurse për Shqipërinë, e gjitha përkthehet një siguri më e shtuar, e natyrisht më shumë monitorim në lidhje me kursin e vlerave perëndimore që duhet të ndërmarrë një aleat kaq i afërt i NATO-s, apo “vëllai i madh” në Ballkanin Perëndimor siç e tha gjenerali Wolters sot.

Madje edhe caktimi nga UEFA i finales së sotme të Tiranës ka pasur një pjesë të logjikë edhe sigurinë që Shqipëria ka si një vend i sferës perëndimore, anëtar i NATO-s dhe aleat i ngushtë me SHBA-në…/TemA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?