Bota e futbollit mban frymën pasi luhen dy “El Clasico” në katër ditë. Sonte në mbrëmje nga Real Madrid –Barcelona do të përcaktohet finalistja e parë e Kupës së Mbretit ndërsa të shtunën dueli do jetë për La Ligan. “Sot është finalja jonë” ky është betimi që kanë bërë futbollistët e Real sipas Marca. Pritet spektakël dhe Leo Messi në superformë është ai që tremb Bernabeun pasi Realit argjentinasi i ka shënuar plot 26 gola por asnjëherë në Kupë. Ndërsa tek Los Blancos shpresojnë tek forma e mirë e Vinicius Junior dhe tek rezultati 1-1 i gjysmëfinales së parë që favorizon disi vendasit. Me formacioni më të mirë do luajë Reali ku ndryshimi i vetëm pritet të jetë në portë Keylor Navas në vend të Courtois.
Edhe Ernesto Valverde do zbresë në fushë me gjithë armatimin e mundshëm ku kërcënimi numër një për Bernabeun do jetë Leo Messi. Real –Barcelona starton në orën 21:00 dhe konsiderohet si finalja e parakohshme e Kupës së Mbretit. Ndërkaq ka përfunduar pa gola ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së Italisë mes Lazios dhe Milanit. Dy skuadrat ishin si të bllokuara dhe kishte pak raste për tu shënuar ku pjesa më e madhe ishin për bardhekaltërit. Ekipi finalist do përcaktohet në Milano në ndeshjen e kthimit që do luhet në prill. Sonte luhet gjysmëfinalja tjetër Fiorentina-Atalanta.
Real Madrid-Barcelona 'luftë' për finalen e Kupës së Mbretit
Sonte përcaktohet finalistja e parë e Kupës së Mbretit. Real Madrid pret në “Bernabeu” Barcelonën në një ndeshje që premton spektakël. Leo Messi kërcënon madrilenët të cilët shpresojnë tek brazilini Vinicius. Ndërsa gjysmëfinalja e parë e Kupës së Italisë mes Lazios dhe Milanit u mbyll pa gola.