Ka nisur sot procesi gjyqësor për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019. Në bangën e të akuzuarve nga SPAK janë 2 të pandehur. Janë dërguar në GJKKO Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj nën akuzë për 6 vepra penale, për vrasje, armëmbajtje pa leje, grup kriminal,. vjedhje dhe kryerja e veprave penale si grup kriminal.
Ditën e sotme ka dëshmuar vetë prokurori Ndoja, i cili ka thënë se ai ka qenë shënjestra e atentatit dhe këtë e tregojnë edhe pamjet e makinës. Sipas Ndojës plumbat janë qëlluar nga ana ku ai ishte ulur si pasagjer. Prokurori Ndoja i tregoi ato fotot edhe në seancën gjyqësore. Ai ka nënvizuar gjithashtu se para se të ndodhte ngjarja nuk ka pasur asnjë shqetësim, përveçse deklarimet e bërë nga Kryeministri Zv. kryeministri. Por sipas tij edhe për këtë fakt është bërë kallzim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe është vendos mosfillim nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme Edvin Kondili.
Ndoja ka thënë gjithashtu se nuk ka pasur asnjë çështje të hapur me atentatorët dhe është detyrë e institucioneve që ta gjejnë arsyen e atentatit.
Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, aktualisht shofer i prokurorit.
Makinës 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurori Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit janë transportuar me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t'i mbijetonte plagëve.
Landi Muharremi u bë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit duke i sekuestruar makinën e blinduar të Landi Muharremit, i njohur me pseudonimin 'Rrumi' nga Shijaku. Makina e blinduar e Landi Muharremit është Audi dhe sekuestrimi është bërë mbi dyshimet se është vendosur me veprimtari të jashtëligjshme.