‘Thembra e Akilit’ për qeverinë mbeten ‘pensionet’, ku 725 mijë qytetarë presin sa do të rritet pagesa mujore, pas rishikimit të skemës së miratuar një dekadë më parë.
Mes shumë propozimeve të bëra nga ndërkombëtarët por edhe ekspertët vendas, zëvendësministrja e Ekonomisë Olta Manjani sqaron në Report TV se ku do të ndërhyhet për të reformuar skemën e pensioneve, për t’ju përgjigjur jo vetëm sfidës së pensioneve të ulëta, kërcënimit demografik, nëndeklarimit të pagave por edhe garantimit të një minimumi jetik për këtë kategori. Themelet e skemës së 2014-ës, vetëm do të përforcohen thotë Manjani.
“Mënyra sesi është ndërtuar skema bazohet një formulë të caktuar ku pensioni social që shumëzohet me vitet kontributive përmbi vitet totale të përfitimit të pensionit që aktualisht është 38.8 vite dhe çdo vit rritet me 4 muaj dhe deri në vitin 2028 do të jenë 40 vite kontribute për të përfituar pensionin e plotë +1% për çdo vit kontribut bazuar në pagën mesatare në të gjithë ciklin e jetës. Ne nuk do të ndryshojmë mënyrën sesi do të bëhet llogaritja e pensionit”, shprehet Manjani.
Një nga ndryshimet themelore që pritet të pësojë skema ka të bëjë me mbulimin universal. Propozimi është që pensioni social të mos merret automatikisht pasi mbush moshën 70 vjeç, por kjo kategori të marrin për aq sa kanë kontribuar, dhe jo siç aktualisht ndodh, që pavarësisht nëse kanë kontribuar apo jo marrin pension social prej rreth 100 euro.
“Banka Botërore ka propozuar që pensioni social të lidhet me masën e kontributeve. Pra nëse dikush ka kontribuar me 10 vite ai të marri ekuivalentin e kontributeve të këtyre viteve dhe të mos përfitojë automatikisht atë që mund të konsiderohet si pensioni social”, thotë Manjani.
Ndryshimi tjetër ka të bëjë me moshën e daljes në pension. Nuk do të jetë 2056 viti i barazimit në 67 vjeç si për burra dhe për gra por do ndodhe më herët. Këtë vit një grua del në pension pasi të ketë mbushur moshën 61 vjeç e 10 muaj, ndërsa burrat dalin 65 vjeç.
“Kur u miratua reforma gratë dilnin 60 vjeç dhe burrat 65 vjeç, aktualisht ka filluar rritja graduale e moshës së pensionit për gratë dhe jemi në 61 vjeç e 10 muaj, 2 muaj rritje çdo vit dhe në vitin 2032 do të fillojë edhe rritja e moshës së pensionit për burrat. Kjo mund të jetë një nga ndërhyrjet ku në vend të që jetë viti 2056 për barazimin e moshës të përafrohet pak në vitin 2050 apo më herët”, shprehet zëvendësministrja.
Ndërsa indeksimi do të bëhet mbi të njëjtën shportë mallrash, por diskutimi që po shqyrtohet ka të bëjë me stopimin e indeksimit për 65 mijë pensionet suplementare. Por Manjani sqaron se nuk do të ketë në skemën e re indeksim të diferencuar në bazë të vlerës së pensionit, siç po ndodh me bonuset.
“Nëse do ta bënim indeksimin në këtë formë, të diferencuar kjo do të thotë se do të prekim parimin kryesor të skemës atë kontributiv. Nuk duam ta bëjmë këtë gjë sepse nuk duam të demoralizojmë të gjithë ata që paguajnë kontribute reale për përfitimin e pensionit”, thotë Manjani.
Pensionet do vazhdojnë të jenë të ulta, nëse sigurimet nuk do paguhen mbi pagën reale. Manjani thotë në rastet kur kontributet janë paguar mbi pagën reale dhe janë plotësuar vitet e punës, pensioni që merr arrin deri në 50% të pagës mesatare.
“Norma e zëvendësimit që është raporti i pensionit mesatar ndaj pagës mesatare. Pra sa i zëvendësojmë ne të ardhurat gjatë ciklit tonë të jetës me anë të pensionit. Për pensionin e plotë kjo masë mbulimi është mbi 50% që në disa raste dhe më e lartë se mesatarja e vendeve të BE”, pohon zëvendësministrja.
Aktualisht pensioni mesatar në Shqipëri është 200 euro ndërsa paga mesatare është 776 euro. Pra një pensionist merr mesatarisht sa 25% e pagës mesatare ose sa 50% e pagës minimale. Referuar shifrave zyrtare në vend janë 511 mijë pensionistë që marrin deri në 200 euro në muaj. Reforma e re pritet të jetë zyrtare në fund të këtij viti dhe deri kur të nisë zbatimi, mbështetja e pensionistëve do bazohet në bonuse 2 herë në vit dhe të diferencuara.
Komente
