Sali Berisha

Refuzoj bashkimin me përdhunuesin Berisha! Ai nuk duhet mbështetur, duhet rrëzuar!

13 Tetor 2022, 12:08| Përditesimi: 13 Tetor 2022, 12:13

  • Share

Bashkimi për hir të atij dhe për hir të këtij, e p…. me rrigon, i jep atij legjitimitet në paligjshmërinë e tij për mënyrën si i dhunoi institucionet e PD, si u bëri lavazh truri miltantëve të dëshpëruar nga humbja e 25 prillit 21, për mënyrën si i gënjeu ata se me të në krye përmbyset Rama për 6 muaj, për mënyrën si anatemon, shan dhe fyen këdo që nuk e hedh vallen sipas muzikës që luan vetë, etj, etj.

Ia kërkuam që në fillim që mos ta trazonte partinë me problemin e tij personal të të qenurit “non grata” nga SHBA dhe Perëndimi për hir të demokratëve që e kanë mbështetur 32 vjet pa kushte sepse pas kësaj, do shkatëronte partinë. Por nuk e bëri. Përkundrazi, ndërtoi një strategji dhune verbale dhe fizike mbi këdo që ishte kundër tij deri sa mori godinën e partisë dhe manipuloi militantët duke i hedhur kundër mbështetësve të tjerë të PD-së me të cilët patën ndarë sakrifica gjatë nëntë viteve opozitë të vështirë. Deri një javë më parë ne të gjithë ishim të shitur te Rama, sot, duhet të bashkohemi?! Të bashkohet Ali-baba dhe Ali-basha, sikur të mos ketë ndodhur gjë?!

Pra, “Non grata” nuk denjoi që për hir të demokratëve të mos e bënte lesh e li PD-në duke e dobësuar tmerrësisht atë. Neve na kërkohet që ta harojmë për hir të fitores së zgjedhjeve lokale dhunën e “non gratës” që është edhe pengesë serioze për fitoren e tyre, dhe të shkojmë qorazi pas tij në humbjen e rradhës kur dihet që shumica absolute e shqiptarëve sipas sondazheve, e rrefuzon atë. Jo. Zgjedhjet lokale duhet të jenë barrë prove për fuqinë e “non gratës”. Ai duhet lënë i lirë të kandidojë i vetëm. Nëse fiton, meriton kurorën e ladisë. Nëse humbet, meriton kurorën e dështimit me turp, dhe duhet t’i kërkohet të shkojë në shtëpi.

Mos kujtoni se po i hapet barku për fitoren e disa bashkive. Ai ka sot dy halle. Halli i parë është të marrë vulën dhe legjitimitetin juridik mbi Partinë Demokratike se pa të nuk regjistrohet dot në zgjedhjet lokale. Ndaj fjalia e parë që valëviti subkoshienca e tij në oborrin e PD-së para gazetarëve ishte, “na jepni vulën, tërhiquni, dhe hajdeni të bashkohemi (asimilohuni d.m.th).

Halli i dytë i “non gratës”, ka të bëjë me grupin parlamentar. Atij i duhet me çdo kusht nënshtrimi i deputetëve dhe hedhja në dorë e grupit parlamentar. Kjo do t’i jepte foltores së tij legjitimitetin e munguar parlamentar. Nga ai çast, foltoria do të quhet PD. Pasja me vete e grupit parlamentar i jep mundësinë gjithashtu të bëhet aktor i rëndësishëm parlamentar. Do ulet ai në tryezë me Ramën për reformat eventuale, por mbi të gjitha, për reformën zgjedhore. Me këtë rast, duke marrë me vete shumicën e deputetëve, “ngadhnjen” mbi ndërkombëtarët dhe amerikanët në veçanti të cilët nuk do kenë më mundësi të bashkëbisedojnë me partnerët e tyre të preferuar opozitarë. Kështu, beson ai se do t’i detyrojë ata ta pranojnë si realitet paçka se amerika zyrtare, e ka mbyllur njëherë e mirë kapitullin me të.

Si mund ta shtijë në dorë grupin parlamentar “non grata”? Me kërcënim e bullizim të deputetëve dhe drejtuesve të grupit, nuk i eci. Joshja dhe blerja e tyre janë dy armët e tjera që mund t’i japin suksesin e dëshiruar. Ai e di që të paktën në grupin parlamentar janë të paktën 5-6 deputetë që duan të kandidojnë për kryetar bashkie. Ai u tha, “hajdeni, jeni të mirëpritur, por futuni në primare. Primaret nuk negociohen”.

Në rast se deputetët lënë mandatet dhe kandidojnë për drejtues vendorë, vendin e tyre e zënë pasardhësit e listës. Ata mund të jenë mbështetësit e foltores. Nëse nuk janë, do t’i bëjë sekretari i përgjithshëm të jenë.

Shumë deputetë të tjerë kanë filluar të mendojnë për të ardhmen e tyre. Nëse bashkohen sot me të, shpresojnë që ai t’u jetë mirënjohës e t’i rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme.

Por, ata deputetë që nga studiot e televizioneve i kanë dërguar sinjale të forta pendimi, “dashurie”, dhe bashkëpunimi, ende nuk kanë marrë prej tij ndonjë shenjë apo xhest të veçantë personal. Kjo i ka mërzitur shumë këta të fundit dhe ua ka shtuar edhe më dilemën nëse duhet të rinë me partinë zyrtare, apo të shkojnë me foltoren.

Me këtë skenar asimilimi total të rrezistencës parlamentare ndaj tij, “non grata” shpreson të marrë legjitimitetin e plotë mbi PD, paçka se fundin e di që e ka pa lavdi fitoreje, por duke mbajtur gjallë shpresën, se ku i dihet, fitoren e mbush ndonjëherë edhe vet shejtani, shpreson se mund të kapë diçka më shumë.

Nëse deputetët e PD shkojnë te Berisha, ata me siguri duhet ta llogarisin koston personale që marrin në raport me të ardhmen e karrjerës së tyre në rradhë të parë, me dëmin katastrofik që i bëjnë shpresës së ndarjes nga e kaluara berishiste së dyti, dhe me kundërvënien ndaj SHBA-ve dhe perëndimit të cilët tentuan ta nxirnin Berishën nga dera e politikës si faktor të ezauruar, por që këta deputetë e rifusin atë në lojë nga dritarja e Kuvendit, së treti. Nuk duhet haruar, Partia Demokratike është investim i çdo demokrati përgjatë 32 viteve. Nuk është pronë e uzurpatorit të dhunshëm dhe sektit të tij që e ndjek pas.

Vitet e gjithkujt aty, kontributi dhe sakrifica e secilit në atë parti, nuk falen. Duhet kuptuar se pas shembjes së “non gratës” do mbyllet njëherë e mirë një cikël sfilitës tranzicioni. Vërtet mund të humben disa beteja, por në fund do fitohet lufta me të keqen. Atë ditë që “non grata” nuk do jetë politikisht më midis nesh, atë ditë do fillojë një histori tjetër. Historia e krijimit të një doktrine të së djathtës së re. Pa punizëm, pa berishizëm. Atë ditë do fillojë gjithashtu edhe fillimi i fundit të regjimit kleptokrat të Edi Ramës.

Prandaj kush do vërtet të fitohen zgjedhjet lokale, nuk duhet të bëjë thirrje për bashkim pa kushte, se do jetë një bashkim që nuk të jep fitoren pasi nuk të çon tek elektorati anti-Ramë me Berishën komandant, por nëse u dhimbsen vërtet demokratët në emër të së cilëve kërkojnë të mbyllim sytë, veshët e mendjen për tu bashkuar, le t’i kërkojnë me zë të lartë tërheqjen përfundimtare z. Berisha si faktor, hem që pengon bashkimin, hem si i pamjaftueshëm të bashkojë shqiptarët në një shumicë të domosdoshme për të mundur regjimin e Ramës.

Pra nuk mjafton bashkimi mekanik për të fituar. Nuk i ha njeri këto lodra nga qytetarët e thjeshtë.

Sa kohë “non grata” të jetë në politikë, aq kohë do jetë në pushtet dhe Edi Rama.

Secili nga demokratët që s’janë me foltoren është i lirë të veprojë në liri të plotë sipas mendimit të tij, pse jo, edhe sipas interesave të tij. Por, mua personalisht, me “non gratën”më ndan berishizmi. Pra nuk më ndan interesi, por doktrina! Unë refuzoj t’i hedh qoftë edhe një pikë uji pemës që mban në këmbë një sistem të kalbur politikanësh të dhunshëm dhe të korruptuar siç është elita e politikës shqiptare, e gjitha! Refuzoj ta ndihmoj të mbaj në këmbë berishizmin pikërisht për hir të së ardhmes së demokratëve, Partisë Demokratike dhe Shqipërisë.

Duhet të ndahemi me çdo kusht e me çdo çmim nga e kaluara. Duhet parë përpara me guxim.

S.C/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Palo: 13/10/2022 19:30

    Ka.. ska brire saliu e tregon me se miri

    Përgjigju
  • Mino: 13/10/2022 19:29

    Po ti duhesh mbeshtetur?qe ke perdhunuar gjithe shqiperine pervecse shoket e tu o i pafytyre

    Përgjigju
  • artan: 13/10/2022 16:45

    i rrezuar mire po ta shohim ne burg per ato qe ka bere

    Përgjigju
  • gezim: 13/10/2022 16:45

    i rrezuar eshte nuk ka shance te fitoi perseri

    Përgjigju
  • shkuro: 13/10/2022 12:19

    analiza me e sakte e gjithe ketyre koheve !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?