Kronikë

Regjistrimi online në shkolla, në e-albania 3000 aplikime deri tani! Afati i fundit për klasën e parë deri më 30 qershor

22 Qershor 2021, 15:40| Përditesimi: 22 Qershor 2021, 16:35

  • Share

Për herë të parë, regjistrimi për në klasë të parë  do të bëhet online përmes portalit e-albania. Drejtoresha e këtij portali, Nevila Repishti thotë se procedura zgjat vetëm 1 minutë dhe aplikimet janë deri më datë 30 qershor.

“Procedura e regjistrimit online nëpërmjet portalit e-albania ka nisur që nga data 15 qershor dhe për herë të parë realizohet për vitin e ri shkollor 2021-2022. Procedura është shumë e thjeshtë, aplikimi nuk zgjatë më shumë se 1 minutë. Deri tani numërohen mbi 3 mijë aplikime të realizuara”, tha Nevila Repishti, drejtore e portalit e-albania, AKSHI.

Përmes portalit, prindi apo kujdestari ligjor duhet të saktësoj vetëm të dhënat e adresës pa u nevojitur dokumente shtesë.

“Mjafton që çdo person që ushtron përgjegjësinë prindërore çka do të thotë prindi ose kujdestari ligjor të aksesojnë portalin e-albania nëpërmjet llogarisë së tyre si qytetarë dhe të saktësojë të dhënat e adresës së vendbanimit, bashkinë, njësinë administrative, rrugën dhe më pas të përzgjedhin institucionin arsimor që ju sugjerohet automatikisht nga sistemi sipas shpërndarjes territoriale të bërë nga bashkitë dhe ministria e arsimit, e cila ndërlidh adresën e vendbanimit të aplikantit që kryen procesin e regjistrimit me institucionet arsimore që mbulojnë zonën e vendbanimit”-shpjegoi drejtoresha e portalit e-albania.

Regjistrimi online do të bëhet vetëm në 182 shkolla publike të vendit. Prindërit do të njoftohen për përgjigjen deri më 10 korrik.

“Ky proces që ka nisur që nga data 15 qershor dhe sipas udhëzimit të ministrisë së arsimit do të vijojnë aplikimet deri më 30 qershor të këtij viti, realizohet vetëm online  në 182 shkolla publike bazë  të arsimit parauniversitar të vendosura në bashkitë qendrore të 12 qarqeve në Republikën e Shqipërisë. Të gjithë prindërit do të njoftohen elektronikisht lidhur me aplikimet e bëra nga data 3 korrik deri më datën 10 korrik lidhur me miratimin apo refuzimin e tyre”, tha ndër të tjera Repishti.

Aplikimi në mënyrë elektronike shmang regjistrimin e fëmijëve në shkollat preferenciale që nuk i përkasin zonës së banimit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?