Ekonomi

Rekord/ Shqiptarët marrin 238 milionë euro kredi për të blerë shtëpi, niveli më i lartë që prej 2015! Shkak rritja e çmimit të apartamenteve

21 Nëntor 2021, 20:33| Përditesimi: 21 Nëntor 2021, 21:06

  • Share

Përmirësimi i situatës ekonomike, rikthimi në punë i qytetarëve që dolën nga tregu si pasojë e pandemisë, si dhe prirjet pozitive për të ardhmen ka ndikuar në lehtësimin e kushteve të kreditimit nga ana e bankave. Sipas Bankës së Shqipërisë në fund të tremujorit të tretë kredia për individë u rrit me 10.7%, duke vijuar trajektoren pozitive të nisur nga fillimi i këtij viti.

Ndikimin më të madh në rritjen e kërkesës për kredi nga qytetarët e ka blerja e shtëpisë. Referuar analizës së bankës 65% e portofolit të kredisë së dhënë për individët është me fokus blerje banese, nga 62% një vit më parë. Ndërkohë vetëm në tremujorin e tretë korrik-shtator 2021 kredia për banesa është rritur me rreth 13%.

Në vlerë monetare në fund të shtatorit totali i huasë së marrë për blerje shtëpie arriti në rekord me rreth 28.7 miliardë lekë ose rreth 238.6 milionë euro. Në raport me 9-mujorin e vitit 2020, kredia për shtëpinë është rritur me 90.2 milionë euro.

Ky është niveli më i lartë i regjistruar sipas të dhënave të bankës qendrore që prej vitit 2015, kur nisi raportimi për këtë tregues.

Konkretisht për periudhën janar-shtator 2016 niveli i kredisë me qëllim blerje shtëpie ishte rreth 127,6 milionë euro, në 2017 arriti 137.1 milionë euro, rritje që vijoi edhe në 9 mujorin e 2018 kur huaja ishte në nivelin 137,3 milionë euro, ndjekur me të njëjtën periudhë të 2019 me një total kredie për shtëpi 158.2 milionë euro.

Trendi i rritjes së kërkesës për kredi me qëllim blerje banese ka si shkak edhe çmimet e larta të apartamenteve në vend. Sipas Bankës së Shqipërisë në 6 mujorin e parë të këtij viti çmimet e banesave u rritën me 6.7% në rang vendi krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit që shkoi.

Ky është paradoks në vend, pasi në një kohë që numri i ndërtimeve po rritet çdo ditë, vlera e apartamenteve shtrenjtohet edhe më shumë, ndërkohë që duhet të ndodh e kundërta. Për të përballuar këto çmime të kripura qytetarët po i drejtohen gjithmonë e më shumë bankave dhe institucioneve jo-banka për të marrë kredi për blerje shtëpie.

 

KREDI PËR BLERJE BANESE

Janar-Shtator 2016              15,357 mld lekë 127,636,771 EURO

Janar-Shtator 2017              16,496 mld lekë 137,103,352 EURO

Janar-Shtator 2018              16,520 mld lekë 137,302,824 EURO

Janar-Shtator 2019              19,040 mld lekë  158,247,322 EURO

Janar-Shtator 2020              17,860 mld lekë  148,439,978 EURO

Janar-Shtator 2021              28,719 mld lekë  238,692,482 EURO

 

KREDIA PËR SHTËPI

Janar-Shtator 2020              148,4 mln euro

Janar-Shtator 2021              238,6 mln euro

Diferenca                            +90,2 mln euro

 

KREDI PËR BLERJE BANESE

Janar-Shtator 2016              127,636 mln euro

Janar-Shtator 2017              137,103 mln euro

Janar-Shtator 2018              137,302 mln euro

Janar-Shtator 2019              158,247 mln euro

Janar-Shtator 2020              148,439 mln euro

Janar-Shtator 2021              238,692 mln euro

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?