TIRANË- Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, u shpreh për Report Tv se risi për këtë vit do të kenë ciklet klinike.
“Risi do të jetë për ciklet klinike sepse sivjet për herë të parë do të fillojmë të zbatojmë sistemin e mbikëqyrësit klinik. Pra nuk do të jenë më 15 studentë që ndjekin një pedagog por do të jetë një pedagog përgjegjës dhe ndërkohë studentët do ti ndajmë me numra të ulët duke i vënë që gjatë punës praktike të punojnë me mjekët e QSUT, në mënyrë që të rrisim përfitimin e shprehive praktike përveç atyre teorike. Shpresoj të kemi disa risi me ngritjen e disa kabineteve të reja që do ti ndihmojnë shumë studentët, sidomos studentët e vitit të parë në formimin e tyre”- u shpreh rektori
Degët e universitetit të Mjekësisë vazhdojnë të jenë më të kërkuarat nga të rinjtë shqiptarë. Gjata tha se kërkesat kanë qenë të shtuara dhe për këtë vit.
“Universiteti i Mjekësisë është faktikisht një ndër universitetet më të kërkuara, ne i kemi mbyllur kuotat në tre degët kryesore, mjekësia është mbyllur që në fazën e parë, gjithashtu stomatologjia, farmacia. Ka kërkesa dhe janë disa kuota të lira akoma në shëndet publik, në bachelor përgjithësisht janë plotësuar të gjitha kuotat te infermieria”-tha Gjata
Ditën e hënë në universitetin e Mjekësisë do të zhvillohet edhe ceremonia e shpërndarjes së bluzave të bardha, ku studentët e vitit të parë bëjnë betimin e Hipokratit. Viti i ri akademik nis me 14 tetor, ku përveç studentëve që i rikthehen sërish studimeve, janë dhe ata që nisin për herë të parë universitetin.