Pjesa e tretë
Nisur nga specifika e veçantë që kishte Radio-Televizioni Shqiptar, si një nga institucionet më të rëndësishme të informacionit dhe propagandës së regjimit komunist, deri në fundin e viteve ’80-të, ai ishte jo vetëm nën vartësinë dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, por edhe të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, të cilat si “ORV” (Objekt i Rëndësisë së Veçantë), e mbanin atë nën një kontroll të rreptë, jo vetëm nga ana e sigurisë fizike të atij institucioni, por deri te “pastërtia dhe figura morale e politike” e punonjësve të tij, biografia e të cilëve shikohej me hollësi në disa breza, duke i kaluar ata në “sitë” vit pas viti.
Jo vetëm kaq, por organet e Sigurimit të Shtetit, me anë të agjenturës që kishin rekrutuar brenda atij institucioni, e kishin dhe e mbanin Radio-Televizionin në një kontroll të vazhdueshëm e të rreptë, duke penetruar në të gjithë hallkat e tij, si; drejtoria, redaksitë përkatëse, pikat e montazhit, studiot e transmetimit, studio e regjistrimit të zërit, arkiva, grupet e realizimit të filmave, magazinat, prapavija, shoferët dhe automjetet e tyre, e deri te kontrolli fizik i punonjësve dhe të ftuarve, te dyert ky hynin e dilnin. Të gjitha këto, veç të tjerash, bëhen të ditura edhe nga një sërë dokumentesh arkivore, që janë pjesë e një dosje që i përket këtij institucioni tejet të rëndësishëm, që nga krijimi i tij në vitin 1961, e deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1991.
Nga kjo dosje e nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (fondi i ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat tashmë janë pjesë Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), kemi përzgjedhur disa dokumente që i përkasin viteve ’70-‘80-të, duke filluar publikimin e tyre me tre dokumente të periudhës së viteve 1978, 1980 dhe 1981, ku drejtorët e Drejtorisë Punëve të Brendshme të Tiranës, përkatësisht Nustret Dauti dhe Zef Loka, informojnë Komitetin Qendror të PPSH-së, mbi të gjithë problematikën e këtij institucioni.
Për më shumë rreth kësaj, na njohin dokumentet në fjalë, ku krahas një numri të madh punonjësish të atij institucioni, që janë ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit ndër vite, rezultojnë gjithashtu edhe disa prej emrave shumë të njohur, që janë konsideruar si “ikona” të Radio-Televizionit Shqiptar, para dhe pas viteve ’90-të, si; Robert Shvarc, Gaspër Çurçia, Alfon Gurashi, Gjon Simoni, Qemal Xhomo, Viktori Xhaçka, Meropi Xhai, Shpresa Musliu, Gjergj Pekmezi, Alfred Papuçiu, Xhezair Abazi, Shpëtim Gina, Edmond Dilaveri, Mërkur Bozgo, Agron Aranitasi, Jochen dhe Irene Blanke, Muhamet Oseku, Arben Xoxe, Janka Selimi, Timo Luto, Xhuni Tejlor, Arjan Bakiri, Gazmor Halilaj, Mond Lako, e deri te Vera Grabocka, etj. Këto dokumente, publikohen për herë të parë në disa numra ekskluzivisht nga Memorie.al
DOKUMENTI SEKRET I PËRPILUAR NGA ZV/DREJTORI I DREJTORISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË TIRANËS, ZEF LOKA, DËRGUAR SEKTORIT PËRKATËS PRANË APARATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, LIDHUR ME SIGURIMIN E RADIO-TELEVIZIONIT DHE RADIOSTACIONEVE TË TIJ, ME AGJENTURËN PËRKATËSE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISËS E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 4
DREJTORIA E PUNËVE TË BRENDSHME E përkohshme 5 vjet
ANA E SIGURIMIT Tiranë, më 27.8.1981
Nr. 2396
A N A L I Z A
PËR PUNËN E BËRË PËR SIGURIMIN E RADIO-TELEVIZIONIT DHE RADIOSTACIONET MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME Drejtorisë I-rë (Degës së III) T I R A N Ë
Në zbatim të porosive të dhëna nga ana juaj, me shkresën Nr. 2345, datë 9.7.1981, bëmë analizën e objekteve të rëndësisë së veçantë, Radio-Televizionin, antenën e Dajtit dhe radiostacioneve të Kamzës dhe Kasharit, nga e cila rezultoi:
Nga ana e Drejtorisë së Punëve të Brendshme, këto institucione janë konsideruar objekte të rëndësisë së veçantë, për shkak të rolit të tyre të madh si përçues së propagandës së Partisë, brenda dhe jashtë vendit dhe në arenën ndërkombëtare. Për funksionin që kryejnë, këto kanë qenë dhe mbeten objekt i veprimtarisë armiqësore dhe keqbërëse.
Nga ana jonë, në këto objekte është ndërtuar puna operative agjenturore, për të zbuluar dhe parandaluar çdo veprimtari të mundshme armiqësore e keqbërëse; për ruajtjen e pastërtisë në radhët e punonjësve. Njëkohësisht për ruajtjen e këtyre objekteve nga ana fizike, janë marrë edhe masa ushtarake. Për secilin objekt, gjendja paraqitet si më poshtë:
RADIO-TELEVIZIONI
Në këtë objekt, punojnë 930 punonjës, gazetarë dhe teknikë, inxhinierë dhe operatorë, regjisorë dhe orkestrantë, etj. Në përbërje të Radio-Televizionit, nën varësinë e Drejtorisë së Përgjithshme, janë: Radjua e Brendshme, Radjua e Jashtme, Drejtoria Teknike, Drejtoria e Kuadrit, sektori ekonomik, drejtoria e Tiranës për radiostacionet dhe Televizioni.
Secila nga këto drejtori, ka disa redaksi e sektorë, sipas drejtimeve përkatëse. Për kohë lufte, ky objekt ka katër pika, të cilat ndodhen në Priskë, Martanesh, Gramsh dhe Tepelenë. Secila drejtori, ka rëndësinë e vet, por brenda çdo drejtorie, ka disa sektorë, të cilat janë ndër më të rëndësishmit, vende këto, ku dhe puna jonë agjenturoro-operative, është përqendruar më tepër.
Në këtë objekt të rëndësisë së veçantë, punojnë aktualisht katër persona nën kontroll operativ 2/B, që janë: Robert Shvarc, Prokop Nishku, Janka Selimi dhe Vjesllava Hidri. Po kështu, punojnë dhe dy kontingjente: Demail Tola dhe Haki Katroshi. Para vitit 1980, në këtë objekt, ka pasur edhe 8 objekte përpunimi në 2/A, por në bazë të informacioneve të bëra nga ana e Komitetit të Partisë, i ka larguar nga ky objekt. Gjatë vitit 1980-1981, në bazë të të dhënave, për veprimtari armiqësore në këtë institucion, janë këshilluar katër persona, nga të cilët dy në 2/A dhe 2 jashtë përpunimit.
Të dhënat për aktivitete armiqësore, janë kryesisht për agjitacion e propagandë kundër vijës së Partisë në drejtim të kulturës dhe artit tonë të realizimit socialist. Nga të dhënat e tjera për disa objekte përpunimi, që nuk punojnë në këtë institucion, del se kanë zhvilluar aktivitet armiqësor të mprehtë dhe këtë e kanë lidhur me dëshirën për të pushtuar Radion e nëpërmjet saj, të zhvillonin propagandë kundër pushtetit popullor.
Kështu objekti i përpunimit, Muhamet Oseku, i cili është arrestuar nga ana jonë, kohët e fundit është shprehur se: “Mbasi të vritet udhëheqësi kryesor, me dy tre ushtarë, duhet pushtuar Radjua dhe nëpërmjet sajë, të njoftojmë botën dhe Shqipërinë se diktatura mori fund”.
Si nga të dhënat e agjenturës, ashtu dhe nga burime të tjera, përveç të dhënave për aktiviteteve armiqësore që përmendëm, del se gjatë këtyre dy vjetëve që analizojmë, kanë dalë disa probleme, ku ndër më kryesoret, janë:
Duke qenë se ruajtja e pastërtisë në radhët e punonjësve të këtij institucioni, ka qenë dhe mbetet një ndër detyrat kryesore, në procesin e punës kanë dalë të dhëna se disa punonjës, në kontaktet që kanë pasur me të huajt, (në bazë të marrëveshjeve që ka Radio-Televizioni ynë, me disa qendra televizive të huaja), kanë manifestuar qëndrime dhe shfaqje të huaja, që nuk përputhen me normat e moralit socialist.
Po kështu disa punonjës, kur kanë qenë në Prishtinë, kanë pranuar dhurata të ndryshme në kundërshtim me rregullat. Nga ana jonë, sapo jemi vënë në dijeni, janë bërë problem duke informuar Komitetin e Partisë dhe Degën e 8-të në Ministri dhe në bazë të porosive të dhëna nga prej tyre, janë marrë masa.
Ruajtja e pastërtisë e punonjësve të këtij institucioni, nga veprimtaria e zbulimeve të huaja, ka qenë objekt i analizës sonë, këtë e kemi analizuar edhe në mars të këtij viti dhe një kopje e saj u është dërguar dhe juve, (Me nr. 852, dt.19.3.1981). Aktualisht jemi duke kryer detyrat e dala nga kjo analizë.
Elementë keqbërës janë munduar që të dëmtojnë pronën socialiste në Radio-Televizion. Vitin e kaluar, siç ju kemi informuar, në bazë të të dhënave të agjenturës, dilte që një magazinier, shpërdoronte mallin që kishte në ngarkim dhe në këtë çështje, ishin implikuar shumë vetë, midis të cilëve edhe ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, i Radio-Televizionit.
Nga ana jonë u filluar çështja penale dhe u vërtetuan plotësisht të dhënat e agjenturës. Magazinieri me dy persona të tjerë, u pushuan nga puna, u detyruan të paguajnë vlerën e shpërdorimit, por çështja penale në ngarkim të tyre, u pushua për politikë penale.
Në bazë të informacionit të dhënë Komitetit të Partisë, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit, u hoq nga kjo detyrë dhe u dërgua punëtor. Aktualisht janë marrë masa për ruajtjen e pronës socialiste, por kemi të dhëna se ka përsëri raste, sidomos në Televizion, që vidhen sende të ndryshme, si llamba, saraçineska, sende personale të punonjësve, etj. Këto të dhëna janë konsumuar me drejtuesit e Televizionit dhe nga ana tjetër, janë marrë masa për gjetjen e autorëve.
Një kujdes i posaçëm, i është kushtuar edhe ruajtjes së vlerave monetare e materiale, sidomos në grupet e xhirimit të filmave nëpër rrethe. Megjithatë, ka të dhëna se koha e punës nuk shfrytëzohet dhe kjo rrit artificialisht koston e filmave, automjetet në ndonjë rast janë shfrytëzuar për punë personale, ndonjë drejtor filmi, nuk zbatonte kriteret me ndarjen e honorareve, etj.
Për këtë është informuar Komiteti i Partisë dhe për një drejtor filmi, u muar masa dhe u dërgua për riedukim. Gjithashtu shumë nga këto të dhëna janë shfrytëzuar me drejtuesit e RTV-së, të cilët i kanë vlerësuar dhe janë marrë masa të menjëhershme.
Mbrojtjes nga zjarri të këtij institucioni i është kushtuar kujdes i madh nga ana jonë. Për këtë problem, agjenturës i është vënë detyrë që të sinjalizojë në çdo kohë sa herë që të konstatohet shkelje e rregullores së mbrojtës nga zjarri, po kështu me drejtuesit e isntitucionit dhe me persona të tjerë është biseduar vazhdimisht, për kujdesin që duhet të kenë në këtë drejtim.
Megjithatë, ka pasur raste dhe agjentura ka sinjalizuar që këto rregulla, nuk zbatohen plotësisht. Kështu në vitin 1980, në Televizion, ka pasur raste zjarri nga pakujdesia dhe ky rast është analizuar edhe nga ana juaj. Aktualisht janë marrë masa, duke ngritur grupe vullnetare të MKZ, janë vendosur tabela sinjalizuese për ndalimin e duhanit nëpër ambiente me rrezik zjarri, etj.
Për dy persona në Televizion të cilët pinin duhan në vendet e ndaluara, u muarrën masa duke u dërguar dy muaj në prodhim. Duke pasur parasysh se, kemi të bëjmë me një objekt shumë të rëndësishëm, ku ka rreziqe të mëdha zjarri dhe vlera të rëndësishme, ne jemi të mendimit se duhet të ndërhyhet për t’u vendosur organikisht një inspektor civil i MKZ-së.
Regjimi i hyrjeve dhe daljeve në këtë institucion, ka qenë në përgjithësi i mirë, por përsëri ka konstatime se jo kurdoherë zbatohet me rigorozitet rregullorja. Disa nga personat që kanë kompetencë për të futur bashkëpunëtorë të jashtëm në institucion, në ndonjë rast kanë futur edhe persona që nuk kanë punë, e pa garancitë e duhura, të pa miratuar sipas rregullave që kanë redaksitë. Këto konstatime, rast pas rasti, janë bërë problem me drejtuesit dhe janë marrë masa për të forcuar regjimin e hyrjeve në këtë institucion të rëndësishëm.
Detyra e hyrje daljeve nga institucioni, kryhet nga reparti i Policisë të cilët kryejnë edhe detyrën e ruajtjes së objektit. Kemi mendimin që reparti i Policisë nuk duhet të kryejë detyrën e nëpunësit të rojës që duhet ta kryejë RTV-ja, si çdo institucion tjetër.
E themi këtë, mbasi Policia në Radio e Televizion, merret edhe me lajmërimin e punonjësve që thirren nga qytetarë të ndryshëm dhe në këtë mënyrë, largohet vëmendja nga detyra e tij kryesore, e nga kjo mund të përfitojë elementi armik, ose keqbërës, për t’u futur në institucion. Për këtë, kemi mendimin që në Radio-Televizion, të funksionojë nëpunësi i shërbimit gjatë orarit zyrtar, siç bëhet edhe në institucione, megjithëse ka roje policie.
Radio-Televizioni ka edhe detyrën e zhurmimit të stacioneve televizive të huaja, kryesisht të Jugosllavisë. Zhurmuesit janë vendosur në disa pika dominuese të Tiranës, por nga të dhënat që kemi patur, rezulton se jo kurdoherë ato funksionojnë mirë dhe në disa raste, janë dëmtuar nga persona të panjohur. Nga analiza që i është bërë këtij problemi, me drejtuesit e Radios, teknikë, ka dalë se këta zhurmues, nuk janë vendosur në të gjithë vendet ku ka mundësi që të ruhen, e nga kjo elementë të ndryshëm, kanë përfituar.
Është vendosur që këta zhurmues, pas një studimi që do të bëhet nga sektori teknik i Radios, të vendosën në pika të përshtatshme, ku ekzistojnë mundësitë për t’u ruajtur nga roje ushtarake, apo civile, për këtë problem, ju kemi informuar me shkresën tonë, Nr.831, dt. 17.3.1981.
Për ruajtjen fizike të këtij institucioni, nga ana e Batalionit të Objekteve, janë vendosur shtatë vend-roje, nga të cilat, tre jashtë dhe katër brenda institucionit. Për raste gatishmërie, shtohet edhe një vend-roje tjetër. Në përgjithësi, detyrat që kanë këto vend-roje, i kanë kryer mirë dhe nuk kemi pasur ndonjë rast që të jetë bërë problem.
Për ruajtjen e pastërtisë së tyre, është ndërtuar puna agjenturore-operative dhe nga të dhënat rezulton se, shërbimi kryhet në rregull, ka vigjilencë etj. Duhet theksuar se vitin e kaluar nga radhët e policëve që kryenin shërbimin në Televizion, është marrë një polic në përpunim aktiv, për aktivitet armiqësor në agjitacion e propagandë, mbasi u vërtetuan të dhënat, ky polic u këshillua dhe u qit në lirim.
Për ruajtjen fizike të institucionit, jemi të mendimit që të shtohet edhe një vend-roje në Radio, në hyrjen kryesore të brendshme. Kjo do të garantojë më mirë ruajtjen e institucionit, nga depërtimi i elementëve armiq dhe keqbërës, pasi në kushtet e sotme siç thamë më sipër, kjo gjë nuk garantohet plotësisht. Memorie.al
ZËVENDËS DREJTORI I PUNËVE TË BRENDSHME ZEF LOKA
Zoti Kaloçi!Po dosjet e Berishesh kur doti nxirrni se Shqiptare e presin,spiunlliçet e tija,apo jane zhdukur sapo erdhi ne pushtet!
Përgjigju