Bota

Rëndohet pandemia në Evropë, kufizime në disa shtete! Në një javë u shënuan 2.1 milionë infektime, 9 vende konsiderohen me risk të lartë

13 Nëntor 2021, 13:46| Përditesimi: 13 Nëntor 2021, 14:22

  • Share

Evropa është kthyer sërish në epiqendrën e pandemisë së koronavirusit, ku disa shtete po rivendosin masa kufizuese me qëllim që të frenojnë rritjen rasteve të reja.

Pavarësisht niveleve të larta të vaksinimit dhe sistemeve të mira të kujdesit shëndetësor, rastet me koronavirus në Evropë janë rritur që prej fillimit të tetorit dhe aktualisht niveli i infektimeve është më i lartë se që prej fillimit të pandemisë.

Sipas të dhënave gjatë një jave mbi 2.1 milionë raste janë regjistruar në Evropë, duke e thyer rekordin me më shumë infektime që ishte shënuar në javën e parë të nëntorit të vitit 2020. Pesë shtete, Britania, Gjermania, Rusia, Turqia dhe Ukraina – së fundmi kanë shënuar rritje të rasteve me COVID-19 me më shumë se 50 për qind.

Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur se ka pasur edhe rritje të numrit të viktimave, ku javën e kaluar janë shënuar 10 për qind më shumë vdekje.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve konfirmoi se situata po vazhdon të përkeqësohet, duke përfshirë 9 shtete në kategorinë e riskut të lartë; përkatësisht Poloninë, Holandën, Bullgarinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Estoninë, Greqinë, Hungarinë dhe Slloveninë.

Ekspertët thonë se rritja e infeksioneve po ndodh për shkak të qarkullimit të variantit më infektues Delta, ndryshimit të stinëve dhe imunitetit në rënie nga vaksinat.

Nisur nga situata e rënduar shtetet evropiane kanë marrë masa të tjera parandaluese. Qeveria holandeze njoftoi për izolim të pjesshëm për tri javë, ndërsa kancelari austriak, Alexander Schallenberg bëri të ditur se personat e pavaksinuar në dy rajone të shtetit nga 15 nëntori do të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për arsye specifike.

Franca së fundmi ka njoftuar se personat mbi 65 vjeç duhet të marrin dozë përforcuese të vaksinës në mënyrë që të mund të marrin pasaportë shëndetësore. Italia po ashtu po zgjeron dhënien e vaksinave përforcuese dhe po bën thirrje që personat që ende nuk janë imunizuar, ta bëjnë një gjë të tillë.

Në Rusi, ku numri i vdekjeve në baza ditore më 12 nëntori tejkaloi shifrën prej 1,200 për të katërtën ditë me radhë, qeveria ka dërguar në parlament dy projektligje që do të detyrojnë qytetarët të kenë pasaporta shëndetësore në mënyrë që të kenë qasje në restorante dhe në transportin publik.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?