August Andre, një inxhinier suedez, kishte kohë që ishte fiksuar të ishte personi i parë që do të shkonte në Polin e Veriut. Ai merrej me shitjet dhe ishte ekspert i shitjeve në zyrën që punonte dhe nuk kishte ndonjë dije dhe aftësi të madhe mbi udhëtimet në vende të tilla si Poli i Veriut, dhe as mbi mundësitë që ekzistonin në atë kohë që një ekspeditë të dilte me sukses. Ishte vetëm fiksimi i tij për të qenë i pari që do ta bënte. Ai e kishte bindur publikun që do ta kryente këtë udhëtim kollaj dhe të gjithë do të bindeshin kur të kthehej triumfator.
Në vitin 1897, Andre, u nis së bashku me dy të tjerë me balonën me hidrogjen, ‘Eagle’, për në Polin e Veriut. Pas dy ditësh balona e tyre e tundur dhe shkundur nga erërat ra në akull. Andre dhe dy pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit morën ç’të mundin, ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme. Ata ecën dhe u përpoqën mbi masën gjigande të akullit të mbërrinin në tokë. Pas gjashtë javësh tmerr u mbaroi gjithçka. U ushqyen me midhje apo me kallamarë, por edhe me një ari të bardhë që arritën ta vrasin me armë. Pas një tmerri gati tre mujor, vdiqën.
Kjo është një ngjarje që është përdorur nga psikologët dhe sociologët për të treguar se ka raste kur njerëzit janë aq të bindur se mund të bëjnë diçka, sa ata e humbin krejtësisht arsyen dhe shkojnë të sigurt drejt shkatërrimit. Kjo ndodh sidomos kur ata kanë vlerësim shumë të lartë për veten, por kjo mund të ndodhë edhe kur ata duan me çdo kusht të shpëtojnë fytyrën. Ndodh që njeriu hyn në një rrugë ose gjendet në një situatë e cila e shtyn atë me forcë drejt veprimeve krejtësisht të paarsyeshme. Vetë njeriu e di fundin e keq dhe të turpshëm të rrugës në të cilën hyn, por ai nuk ka mundësi të veprojë ndryshe.
Ditaret, e zbuluara më vonë, të August Andre tregonin se ai e kuptoi që nuk ishte i aftë dhe nuk kishte mjetet e duhura për ta kryer atë udhëtim në Polin e Veriut, por ai e kishte bindur opinionin publik se kishet aftësi ta bënte shumë kollaj këtë udhëtim.
Regjisori i famshëm Ruben Ostlund e ka marrë këtë ngjarje dhe e ka trajtur në mënyra të tjera për të treguar këtë anë vetëshkatërrimtare të njeriut kur ai hyn në një rrugë i shtyrë nga rrethana të tilla si ruajtja e profilit të “të fortit” e “triumfatorit”, e atij që ka “të drejtë”, e atij që nuk ka pengesë që e ndal. Gjithashtu është trajtuar, në mjaft raste, edhe lidhja e fortë që kanë rrethana të tilla si të mësipërmet me një gjendje fajësie apo krimi duke të shtyrë të bësh krime të tjera dhe duke vijuar më pas në këtë rrugë deri sa “të nisesh për në Polin e Veriut”.
Kjo është saktësisht ajo që po bën ish kryeministri Berisha me lëvizjen e tij politike të Foltores që prek shtatorit të vitit ta kaluar.
Ish kryeministri është nisur si August Andre për në Polin e Veriut. Ai ka bindur opinionin se do t’ia dalë thuajse kollaj. Ai ka më shumë se një vit që thotë se do të zhvillojë protestat më të fuqishme, se do të trondisë pushtetin e qeverisë Rama, se do ta rrëzojë atë, se do të ndërtojë një opozitë të fuqishme, se do të mundë qeverinë socialiste, se do të bëjë që non gratat të hiqet, se do të “detyrojë” ndërkombëtarët që të pranojnë se janë gabim dhe ti detyrojë të tërhiqen. Ish kryeministri ka sulmuar për “ambasadore sovjetike” ambasadoren amerikane, ka quajtur të korruptuar ambasadorin britanik, ka akuzuar Sekretarin amerikan të Shtetit se ka marrë një vendim nën lobimin e një biznesmeni që drejton një mafie ndërkombëtare etj.
Ish kryeministri Berisha në fillim iu tha njerëzve dhe mbështetësve se do të rrëzonin Bashën, do të merrnin kontrollin e PD-së dhe do të nisnin protestat e fuqishme dhe të pandalshme. Kjo gjë është thënë që vjet në tetor. Më pas non grata do të rishikohej. Më pas gjithçka do të zgjidhej. Ish kryeministri Berisha dhe Foltorja do të rrëzonin Ramën dhe merrnin pushtetin në një akt të rrallë botëror ringritjeje kundër të gjithë botës, kundër logjikës dhe kundër çdo pritshmërie.
Që nga ajo kohë lëvizja e ish kryeministrit ka arritur të uzurpojë me forcë godinën e PD-së, të sillet sikur përfaqëson PD-në, të zhvillojë dy protesta një në shtatë korrik të këtij viti dhe një në 12 nëntor. Që nga vjet jo vetëm që nuk është hequr ‘non grata’ por është shtuar edhe një tjetër nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Që nga ajo kohë jo vetëm që qeveria amerikane dhe ajo britanike nuk kanë zbutur qëndrim dhe nuk janë shprehur se e konsiderojnë ish kryeministrin dhe lëvizjen e tij si partner por kanë thelluar izolimin dhe gjuhën refuzuese. Që nga ajo kohë ish kryeministri ka shkuar vetëm në Azerbajxhan dhe ka arritur të takojë për fotografi atje vetëm drejtorin e OBSH Tedros Adhanom. Që nga ajo kohë jo vetëm ish kryeministri Berisha por as nënkryetarët e lëvizjes së tij, as sekretari i përgjithshëm dhe asnjë nga sekretariati i tij nuk ka bërë një vizitë askund në një vend të BE-së. Në SHBA apo Britani jo e jo. Ky izolim vjen e bëhet edhe më i egër.
Si pasojë e këtij izolimi të rëndë ndërkombëtar ish kryeministri Berisha ka thirrur një protestë në datën 6 dhjetor kur në Tiranë mbahet një samit i Bashkimit Evropian. Atë ditë në Tiranë do të jenë presidenti i Francës, kancelari i Gjermanisë, kryeministrja e Italisë, dhe dhjetëra liderë të tjerë të BE-së. Kjo është pa diskutim një protestë kundër BE-së dhe kundër qëndrimit që mbajnë ndërkombëtarët ndaj Foltores.
Në vetvete një protestë kundër politikave të BE-së që nuk po e shtyjnë më me forcë përpara integrimin e Shqipërisë, që nuk po ndihmojnë në forcimin e sundimit të ligjit, që po shohin sesi bjerrë reforma në drejtësi dhe se si korrupsioni i lartë nuk ndëshkohet asfare etj do të ishte shumë e pranueshme në mos edhe e lavdërueshme. Një protestë e tillë ku ti kërkohet BE-së më shumë prani, më shumë forcë, më shumë ndihmë për të shkallmuar këtë batërdi dhe tmerr në ekonomi, varfëri, dhe në klasën tonë politike do të ishte e lavdërueshme. Një protestë e tillë e popullit do të ishte e mirë.
Por një protestë e e lëvizjes së Foltores kundër ndërkombëtarëve pse ata kanë izoluar ish kryeministrin dhe Foltoren është një lemeri më vete. Kjo është gjithashtu edhe dëshmi e dështimit të rëndë të Foltores, e rrugës së saj pa krye.
Foltorja po përjeton dy izolime të mëdha. Njëri është ai nga populli i cili e di, e njeh arsyen pse u krijua dhe pse ekziston Foltorja. Populli i ka parë dhe njeh politikanët sepse ata janë aty dhe kanë qenë në krye për 32 vite. Populli nuk del në protestë, populli rri në shtëpi ose në kafe, populli vuan mjerimin dhe padrejtësinë por nuk e përkrah Foltoren sepse e di që ajo që bën Foltorja është një lëvizje e padrejtë, personale, e paarsyeshme dhe sigurisht humbëse. Populli e di që Foltorja nuk mund të sjellë kurrë asgjë të mirë për të.
Sot sondazhi i Euro barometrit që u zhvillua në një tv të rëndësishëm tregon se mbështetja për ish kryeministrin Berisha është rreth 25%. Pra rreth 75% nuk e mbështesin. Që të fitohen zgjedhjet duhet që diferenca mbështeje - mos mbështetje të mos jetë negative. Të mos jetë as edhe me -1. Në rastin tonë ajo është -50. E tmerrshme.
Sa për një shembull po përmendim rastin e vitit 2005 kur kompania amerikane BGR ( e themeluar nga Haley Barbour ish guvernatori i Mississippi-t, që bënte fushatën e PD-së u tmerrua kur diferenca mes atyre që e donin dhe atyre që nuk e donin Berishën ishte -2. Për ta kjo diferencë të çon në humbje. U desh një fushatë totalisht qytetare e diktuar nga amerikanët, u desh ndarja e PS-së, u desh marrja e Xhuvelit në koalicion paszgjedhor, u desh Dushku i madh (që i dha PR-së mbi 10 mandate deputetësh) që PD të fitonte zgjedhjet. Tani jemi tek një diferencë -50. Vetëm ky izolim do të mjaftonte për këdo që të dështonte. Izolimi i dytë është ai nga ndërkombëtarët. Edhe ky vetëm ky do të mjaftonte për një vend si ne, i vogël dhe që nuk mund të garantojë asgjë pa mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së (sidomos SHBA-së). Veç kësaj izolimi i dytë e prodhon të parin vetvetiu.
Në këto kushte ajo që bën ish kryeministri Berisha dhe lëvizja e Foltores është thjesht një udhëtim për në Polin e Veriut. Thjesht ata nuk duan ta kuptojnë ose janë në një gjendje që refuzojnë ta kuptojnë. Fundi politik është i sigurt dhe fatkeqësisht i dhimbshëm. Ajo që nuk dimë saktësisht për lëvizjen e ish kryeministrit dhe Foltoren është pika ku ndodhet balona për në Polin e Veriut, a ka është ende rrugës apo ka rënë në akull. Protesta e datës 6 dhjetor tregon se ajo tashmë ka rënë në akull.