Politikë

Report Tv dhe Piepoli sjellin sondazhin e 5 për 25 prillin! Nëse votohej sot PS fiton, PD e LSI nuk bëjnë dot shumicën! Ka surpriza në disa qarqe! Shqiptarët besojnë vaksinat ruse dhe kineze: Gati t'i bëjmë

31 Mars 2021, 09:36| Përditesimi: 1 Prill 2021, 01:05

  • Share

TIRANË- Report Tv dhe Instituti prestigjioz italian Piepoli, kanë sjellë sondazhin e pestë për zgjedhjet politike të 25 prillit. Sipas rezultateve nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot Partia Socialiste do të shpallej fituese, pasi do të votohej nga 47 deri në 51% e shqiptarëve.

Ndërsa PD-ja do të merrte 38 deri në 42% bashkë me aleatët e saj, por dhe po të bashkohej me LSI, përsëri nuk do të mund të bënte shumicën pasi partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi, sot votohet nga 4 deri në 8% e shqiptarëve.

Ndërkohë 2% të votave në rang kombëtar mund t'i marrin PS e Tom Doshit, Nisma Thurrje dhe Lëvizja për Ndryshim.   

Në qarkun e Tiranës që është dhe më i madhi në vend PS-ja, udhëheq me 48 deri në 52%, por ka 1% rënie në krahasim me sondazhin e 17 marsit.

PD dhe aleatët ka një rritje të lehtë në krahasim me sondazhin e 17 marsit dhe sot votohet nga 36 deri në 40 % të qytetarëve të Tiranës. Ndërsa LSI mund të marrë në qarkun e Tiranës 5 deri në 9 % të votave.  Nisma thirrje dhe lëvizja për ndryshim kanë një rritje të lehtë në Elbasan.

PD-ja është forcë e parë në Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës, ndërsa në qarqet e tjerë kryeson PS-ja, ndërsa LSI arrin rezultatin më të mirë në qarkun e Gjirokastrës, që në krye të listës ka Vangjel Tavon.

Për herë të parë, sondazhi i Institutit prestigjioz Italian, Piepoli ka pyetur qytetarët edhe për vaksinat anti-COVID, të cilët janë siguruar nga vendi ynë deri më tani. Më shumë se gjysma e shqiptarëve kanë besim te vaksinat ruse dhe kineze, ku më konkretisht nga 1200 persona të pyetur, 58 % e tyre thanë se sigurisht që do ta bëjnë vaksinën ruse si edhe 56 % e të pyeturve janë të gatshëm ta bëjnë këtë vaksinë.

Nuk është lënë jashtë vëmendjes edhe libri i shkruar nga kryedemokrati Lulzim Basha, me titullin "Misioni im". 62% e qytetarëve thanë se nuk e kanë lexuar, 21% e qytetarëve e kanë konsideruar interesant, e ndërsa 12% e konsiderojnë si një lëvizje të gabuar, që vjen vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve.

Qytetarët janë pyetur edhe për sjelljen e presidentit Ilir Meta, të cilët shumica prej tyre më konkretisht 57% e tyre e kanë vlerësuar si negative, referuar ngjarjeve të fundit ku kreu i shteti është bërë protagonist, ku ngjarja më e "freskët" është përplasja te zyrat e FRD-së.

Lexo edhe:
SONDAZHI I PARË I PIEPOLIT
SONDAZHI I DYTË I PIEPOLIT
SONDAZHI I TRETË I PIEPOLIT

SONDAZHI I KATËRT I PIEPOLIT

Ora 23:53
Në Kukës nuk ka surpriza, PD ruan bastionin por PS merr mandatin

Nëse do të votohej sot në qarkun e Kukësit, sipas sondazhit të Piepolit PD dhe Aleanca për Ndryshim ka rritje të votave nga 2017 duke ruajtur bastionin e saj. Koalicioni i PD sipas sondazhit pritet të marrë 53-57 % të votave. Partia Socialiste do të merrte 36-40% të votave. Me këto rezultate duket se gjithccka është e vendosur në Kukës edhe për 3 mandatet që sipas përllogaritjeve do të shkonin 2 për PD-AN dhe 1 për PS.

Ora 23:52
LSI në Gjirokastër me rezultatin më të lartë nga 12 qarqet, gara është e fortë edhe mes PS dhe PD

Në Gjirokastër gara pritet të jetë shumë e fortë më 25 prill. Në sondazhin e Piepoli dhe Report Tv nëse do të votohej sot kahet politike do të ishin në luftë të hapur. PS do të merrte 42-46% të votave ndërsa PD-Aleanca për Ndryshim do të merrte 36-40%. LSI në Gjirokastër do të merrte rezultatin më të mirë nga 12 qarqet me 11-15% të votave.

Ora 23:50
Në Dibër PD nuk e diskuton fitoren! LSI vështirë se merr mandatin e 2017-s


Një prej qarqeve ku Partia Demokratike pritet të marrë një fitore solide më 25 prill është ai i Dibrës.  Sipas sondazhit të Piepolit, nëse do të votohej sot në Dibër Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim do të merrte me 50-54 % të votave, duke thelluar diferencën krahasuar me 2 javë më parë.  Ndërsa PS do të merrte 36-40% të votave. Krahasuar me zgjedhjet e 2017, LSI humbet dhe mandatin e marrë pasi votohet nga vetëm 3-7%.

Ora 23:50
PD rikuperon 2% në Qarkun e Beratit por avantazhi i PS është shumë i madh! LSI merr vetëm 1/3 e votave të 2017, por në garë për 1 mandat

54-58% e votuesve të Qarkut Berat të pyetur nga instituti Piepoli kanë deklaruar votën e tyre për Partinë Socialiste. PD vijon të rikuperojë elektorat duke arritur kuotat 30-34% së bashku me forcat e tjera aleate, 2% më shumë se sondazhi i 2 javëve më parë. Ndërsa LSI vijon rënien me vetëm 4-8% të votave, thuajse 1/3 e votave të zgjedhjeve të vitit 2017.

Ora 23:45
Si do të votonin shqiptarët sot? PS ruan besimin e shumicës, PD vijon ngritjen por bashkë me LSI nuk bën dot shumicën

Në rang kombëtar Partia Socialiste nëse do të votohej sot do të ruante besimin e shumicës së shqiptarëve. Sipas sondazhit të Piepolit në bashkëpunim me Report Tv PS do të merrte 47-51 % të votave,  ndërsa PD-Aleanca për Ndryshim merr 38-42 % të votave, një rritje prej 10-14% krahasuar me zgjedhjet e kaluara parlamentare.

Ndërkohë që LSI vijon të ketë një rezultat konstant krahasuar me sondazhet e mëparshme me 4-8% të votave. Në garë për të marrë përfaqësues në Kuvend janë edhe Partia e Tom Doshit, PSD, Nisma Thurje dhe Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit.

 

Ora 23:33
PS ruan avantazhin në Korçë, PD-AN dhe LSI në të njëjtat kuota! Surprizë partia e Dom Doshit që mund të shkojë deri në 3%

Në qarkun e Korçës, Partia Socialiste edhe në këtë sondazh të Institutit Piepoli ruan shumicën. Po të votohej sot socialistët do të merrnin 49-53 % të votave. Ndërsa PD se bashku me aleatët ka një rritje krahasuar më 2017 por edhe me sondazhin e 17 marsit, pasi do të merrte 34-38 % të votave. Edhe LSI lufton për një mandat edhe pse ka përgjysmim të votave në krahasim me rezultatin e vitit 2017. Surprizë në këtë qark është Partia e Tom Doshit, PSD me 1-3.

Ora 23:30
Në Vlorë gara është e 'vrarë', PS mund të marrë deri në 60%, PD rikuperon 1 pikë nga sondazhi i marsit!

1617226284_12.jpg

Në qarkun e Vlorës, Partia Socialiste mund të thuhet se nëse vijohet kështu deri më 25 prill gara është e 'vrarë'. Partia Socialiste ka një mbështetje të madhe dhe nëse sot do të votohej mund të merret deri në 60% të elektoratit, edhe pse ka një rënie me 1 pikë në krahasim me sondazhin e 17 marsit. Ndërsa PD me aleatët shënon rritje në Vlorë ku nëse do të votohej sot do të merrte 30-34%. Ndërkohë që LSI lufton për 1 mandat në Vlorë ku nëse do të votohej sot do të merrte 4 deri në 8 %. Forcat e tjera politike zor se do të merrnin një mandat.

Ora 23:29
Fierakët 'stoikë' në votën e tyre për të majtën, PS ruan shumicën, PD rikuperon 1 pikë

Fieri vijon të jetë bastion i socialistëve të cilët sipas sondazhit të Piepolit nëse do të votohej sot PS do të merrte 48-50 % të votave. Ndërsa PD me aleatët rriten me 1 %  të votave krahasuar nga sondazhin e fundit të 17 marsit! LSI ruan të njëjtat kuota 3-7 % të votave! PD dhe LSI së bashku nuk e kalojnë dot PS në % votash të marra.

Ora 23:28
Nëse votohet sot në Lezhë, fiton PD! PS ruan të njëjta vota me sondazhin e kaluar! Në garë edhe Topalli

Sondazhi i Piepolit në Report Tv në qarkun e Lezhës nëse do të votohej sot 51-55 % e votuesve do ja japin votën e tyre PD me aleatët, ndërsa PS vijon të ruaj të njëjta vota që ka marrë në sondazhin e fundit atë të 17 marsit. Edhe LSI lëviz në të njëjta ujëra pas pësuar rritje të votave duke qëndruar në vlerat 3-7 %. Ajo që vihet re është se partia e Jozefina Topallit mund të jetë premtues pasi merr 1-3 % të votave në Lezhë.

Ora 23:11
Shkodër, Partia Demokratike ruan kryeqendrën e veriut! Rriten socialistët, tkurret LSI! Bie PSD e Tom Doshit dhe rritet Topalli dhe Nisma Thurje

Shkodra njihet si bastioni i demokratëve dhe në sondazhin e sotëm të Piepolit për Report Tv duket se vazhdon të mbetet ende i tillë, ku PD me aleatët kryesojnë me më shumë vota, konkretisht 47-51 % të votave. Edhe PS ka pësuar rritje të votave në Shkodër me 1 % krahasuar me sondazhin e fundit atë të 17 marsit. Tkurrje të votave ka pësuar partia e Tom Doshit, PSD dhe LSI me nga 1 % secila, ndërsa rritje të lehtë ka marrë Nisma Thurrje dhe Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit.

 

Ora 23:09
PS dhe PD rriten me 1 % të votave në Elbasan, LSI bie me 2%! Nëse votohet sot PS merr mbi 50%

Në sondazhin e 5-të të Piepolit duket se ngjarjet e fundit kanë ndikuar në një lëvizje të lehtë të votave në përqindje tek votuesit e Elbasanit. Ajo që vihet re krahasuar me sondazhin e fundit të 17 marsit si PS dhe PD me aleatët kanë një rritje me 1 %, edhe pse socialistët kryesojnë në përqindje votash më të larta se koalicioni PD-Aleanca për Ndryshim. Nëse do të votohej sot PS merr 50-54 % të votave, ndërsa koalicioni PD-AN merr 36-40 % të votave. LSI ka ulje të numrit të votave me 2 % krahasuar me sondazhin e kaluar duke marrë 3-7 % të votave.

 

Ora 22:47
LSI në pikiatë në Durrës, në vetëm 14 ditë humb 3% të elektoratit! Socialistët mbajnë avantazhin edhe pse PD rritet

Në qarkun e Durrësit nëse do të votohej sot socialistët do të dilnin fitues me 46-50 % të votave duke pasur rritje nga sondazhi i fundit i Piepolit të 17 marsit për zgjedhjet e 25 prillit. Edhe PD-AN ka një rritje të lehtë me 1 % të votave duke marrë 39-43 %, ndërsa ‘rrjedhja' më e madhe vihet re tek LSI. Në Durrës LSI ka pësuar një pikatë të madhe votash duke humbur 3 % të votuesve në vetëm 14 ditë krahasuar me matjen që Piepoli bëri në këtë qark më 17 mars.

 

Ora 22:46
PS ruan shumicën solide në Tiranë, rriten lehtë PD dhe LSI krahasuar me 2 javë më parë

1617223592_6.jpg

Tirana është qarku me më shumë mandate dhe sipas sondazhit të sotëm të Piepolit për Report Tv % më të lartë të votave vijon ta kenë socialistët, të cilët ruajnë edhe shumicën solide me 48-52 % të votave. Rritje ka pësuar edhe PD me aleatët  dhe LSI krahasuar me sondazhin e fundit të Piepolit të bërë më 17 mars 2021 për zgjedhjet e 25 prillit duke shënuar një rritje me 1 % të votave.

 

Ora 22:18
Si e vlerësoni sjelljen e Presidentit? Vetëm 24% e shqiptarëve janë me Metën, 57% e cilësojnë negativisht

1617221957_5.jpg

Të pyetur nga Instituti Piepoli, qytetarët e kanë vlerësuar negativisht sjelljen e presidentit Ilir Meta, i cili ka dalë hapur në mbështetje të opozitës, duk u sjellë si një prej tyre. Në sondazhin e bërë publik mbrëmjen e sotme në emisionin 'Repolitix' në Report Tv, 57% e qytetarëve e vlerësojnë shumë negativisht sjelljen e kreut të shtetit, e ndërsa 24% e vlerësojnë pozitivisht. Pjesa tjetër, pra 19% nuk kanë një mendim konkret.

 

Ora 22:07
Libri i Bashës, 62% e shqiptarëve nuk preferojnë ta gjykojnë pa e lexuar, 21% e konsiderojnë librin e interesant dhe 12% lëvizje të gabuar

21% e qytetarëve e kanë konsideruar interesant librin e kryedemokratit Lulzim Basha të titulluar "Misioni im", ku e shohin si një mundësi për të njohur historinë personale të tij. Nga ana tjetër, 12% e konsiderojnë si një lëvizje të gabuar, pasi tregon se kryedemokrati nuk është i sinqertë. Një pjesë e madhe e të anketuarve, 62% nuk e kanë lexuar ende dhe nuk kanë një mendim.

 

Ora 21:36
56% e qytetarëve besojnë te vaksina kineze! 7% mendojnë se të gjitha janë njësoj


56% e qytetarëve janë dakord që të përdoret vaksina kineze me qëllim që të vaksinohet pjesa më  e madhe e popullsisë. Kjo shifër ka ardhur si rezultat sondazhit të realizuar nga Report Tv në bashkëpunim me Institutin Italian, Piepoli. Ndërkohë që 7% e qytetarëve janë të mendimit që të gjitha vaksinat janë dakord. Janë shprehur kundër 27%.

 

Ora 21:35
Shumica e qytetarëve do të bëjnë vaksinën ruse! Vetëm 7% janë në pritje të autorizimit të EMA-s

Shumica e qytetarëve besojnë te vaksinat ruse, nga të cilat vendi ynë ka marrë 10 mijë doza si dhuratë nga princi i Emirateve të Bashkuara Arabe. Në sondazhin e Piepolit të transmetuar mbrëmjen e sotme në 'Repolitix' , 58% e tyre kanë votuar që do e bënin vaksinën Sputnik dhe vetëm 7% kërkojnë një që pritet një përgjigje nga EMA, Agjencia Evropiane që autorizon vaksina. Interesante është fakti se 20% e qytetarëve janë kundër çdo lloj vaksine, e ndërsa 14% të pavendosur.

Ora 21:08
Si e ka menaxhuar Rama krizën shëndetësore, qytetarët të ndarë! 48% pozitivisht, 42% negativisht

1617217738_1.jpg

Qytetarët janë të ndarë sa i përket menaxhimit të pandemisë së COVID-19, ku diferenca nuk është shumë e lartë. Nga sondazhi i bërë nga instituti prestigjioz Piepoli, mësohet se 48% e qytetarëve e kanë vlerësuar pozitivisht menaxhimin e krizës shëndetësore nga qeveria Rama, e ndërsa 42% të tjerë negativisht. Pjesa e mbetur janë të lënduar, as pozitivisht e as negativisht.

 

Ora 21:06
Sondazhi i 5-të në Report Tv/ Zv. Presidenti i Institutit Piepoli: Kampioni më i madh, janë intervistuar 1200 persona

 

Sondazhi i 5-të i sjellë  nga Instituti prestigjioz italian Piepoli në bashkëpunim me Report Tv, ka zhvilluar 1200 intervista, kampioni më i madh deri më tani. Zv/Presidenti i Institutit Piepoli Livio Gigliuto ka bërë me dije se intervistat janë zhvilluar nga 23-28 mars dhe metodika ka mbetur e njëjtë me atë të sondazheve të kaluara.

"Këtë javë do përqendrojmë vëmendjen tonë në disa aspekte të jetës së Shqipërisë në javën e fundit, kampioni është 1200 intervista, më shumë se herën e fundit, po afrohen zgjedhjet dhe ne duam që të kemi informacione sa më të sakta. Metoda është e njëjta, intervistat janë kryer 23-28 mars, dhe fakti që kemi ruajtur të njëjtën metodë na mundëson që të bëjmë krahasimin e sondazheve me njëri tjetrin", tha Gigliuto. 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Rakip Martini: 31/03/2021 14:17

    Ju lutem shume mos votoni PD per arsye jane bashke PD e PS votoni LSI, se vota per PD i jep mandatin e 3 Rames, se Basha i tha provat si tradhetare i PD

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?