Diçka që hetuesit ende nuk dinë ta shpjegojnë, e shtyu 35-vjeçarin Jetnor Zh, të mbajë prej rreth 1 viti në izolim gruan, 2 fëmijët dhe nënën e tij. E kishte kthyer shtëpinë në burg. U mbyllte derën me çelës pasi dilte, i ruante gjatë gjithë kohës me kamera të vendosura në çdo cep brenda e jashtë shtëpisë, u fikte dritat dhe i bllokonte valët telefonike të mos kishin asnjë komunikim me të tjerë, veçanërisht me policinë. Nga ajo që u ka thënë hetuesve, dyshonte se diçka e keqe mund t’i ndodhte familjes së tij nëse flisnin me persona të tjerë, e ndaj i mbylli kontaktet me botën.
Telefonatën që burri u ndaloi familjes së tij, e bëri në polici një i afërm, të cilit blutë i ruajnë identitetin. U tha se kishte kohë pa folur me ta, dhe se kishte frikë mbi çfarë mund të kishte ndodhur. Gratë e izoluara nuk mundën t’ia hapin dot derën efektivëve kur trokitën pas telefonatës në sallën operative. Nëna e 35-vjeçarit u tha policëve të gjejnë djalin e saj pasi ai e kishte çelësin. Në fakt uniformat blu nuk e dinin se burri kishte me vete edhe të vërtetën e mbajtur fshehtë për kaq gjatë. I detyruar të hapte derën e banesës të kthyer në qeli, 35-vjeçari bëri edhe një tentativë të fundit t’i ushtronte presion psikologjik grave për të mos folur, por nëna e tij e cila vinte në banesë për t’i qëndruar pranë nipit e mbesës, gjeti guximin për të treguar se nusja e saj dhe dy fëmijët e çiftit ishin nën terrorin e kryefamiljarit.
Që djali ishte agresiv na e rrëfejnë edhe fqinjët e familjes.
“Isha ndeshur në shkallë disa herë me të. Nuk përshëndeste. Zonjën e kam parë por e kishin si të ndaluar të përshëndetej me njerëzit. E pashë që kishte një gjë që nuk shkonte por thashë është zgjedhje e njerëzve. Gruaja dilte rrallë nga banesa, ishte e shoqëruar gjithmonë. Ai ishte i pasjellshëm, tip arroganti kur vinte puna për gërricjet për gjëra koti me komshinjtë”- u shpreh një prej fqinjëve të familjes së izoluar.
Nuk dihet se çfarë ndodhi me të riun me profesion ekonomist, kohës e fundit i mbetur pa punë, që të shkatërronte martesën 10-vjeçare e të detyronte të qëndronin nën torturë familjen e tij
Pas bisedës me psikologen gruaja është marrë në pyetje edhe në policinë e Tiranës. Ka arritur të tregojë se burri i mbante kyçur dhe ushtronte dhunë mbi të. Ka menduar edhe vetëvrasjen duke e shfaqur gjendjen e rënduar psikologjike në disa letra lamtumire që efektivët gjetën në banesë.