REPORTAZH/ Historia, tradita dhe zakonet e bëjnë Kallmetin unik në gjithë vendin

15 Gusht 2020, 10:44| Përditesimi: 15 Gusht 2020, 11:46

  • Share

10 km nga qyteti i Lezhës ndodhet Kallmeti. Një fshat me dy mijë banor i vendosur në një zonë kodrinore poshtë malit të Velës.

Ky fshat është një vendbanim i lashtë që nis që nga epoka e gurit të ri, ndërsa emri i tij ka ardhur nga një bimë.

Banoret kanë traditat e tyre ndryshe nga zonat e tjera, duke nisur nga dialekti, veshja tradicionale e grave, zakonet si dhe agro-kultura. Fiset e para në Kallmet kanë ardhur nga zona e Kelmendit ç'ka e dëshmon dhe një i moshuar i cili mban mbi supe gati 1 shekull jetë.

Historinë e lashtë të këtij fshati e dëshmojnë dhe gjetjet arkeologjike të të gjitha periudha të cilat ruhet me fanatizëm nga historiani dhe studiuesi Zef Toma.

Kallmeti është dhe zonë atdhetare. Nën drejtimin e bajrakut kallmetorët kanë luftuar për liri. Nënat me veshje të bardha janë identifikuese për Kallmentin. Gratë e kanë ruajtur traditën dhe e kanë punuar ndër vite me mjeshtri tejzgjahun.

Sa i përket prodhimeve bujqësore, Kallmeti shquhet sidomos për rrushin, prej të cilit është prodhuar prej vitesh vera "Kallmeti". Po kështu klima dhe relievi kodrinor janë favorizuese për këta njerëz punëtorë që nuk e kanë braktisur fshatin e tyre.

Krahas historisë Kallmeti është dhe një fshat piktoresk ku natyra ka krijuar një mrekulli, ndaj po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj.

1597481343_jhj.jpg

Pamjet brenda Kishës së Shën Eufemisë

Një ndër objektet më të rëndësishme për tu vizituar është Kisha e Shën Eufemisë që ndodhet në një lartësi prej 373 metrash në anën perëndimore të një shkëmbi natyror.

Duke u bazuar tek tipologjia ndërtimore, kjo Kishë i përket fund shek.XIII-të fillim shek.XIV-të. Nga vendndodhja e kishës mund të vështrohet e gjithë fusha e Drinit të Lezhës deri në Malin e Zefjanës, në Bushat, mali i Taraboshit, Kalaja dhe qyteti i Shkodrës. Kisha e Shën Eufemisë përmendet për herë të parë në një dokument të vitit 1343, ku Stefan Dushani e rendit në mes të kishave që i jepen Krujës. Ndërsa  në vitin 1629, ipeshkvi i Lezhës, Benedikt Orsini, e rendit shën Eufeminë e Kallmetit, në listën e kishave të Dioqezës së Lezhës. Njëkohësisht, ajo përmendet edhe në letrën e ipeshkvit të Sapës, Frang Bardhit në 1637-ën.

Pranë kishës nga shkëmbi gëlqeror rrjedh një burim uji i bollshëm, i cili është futur në brendësinë dhe në oborrin e kishës, pasi shihet si ujë pastrues dhe bekues nga besimtarët. Kisha nuk ka absidë, por në vend të saj, një shkëmb i gjallë është përfshirë në brendësinë e kishës.

1597481281_bsgas.jpg

Kisha e Shën Eufemisë

Kisha e Shën Eufemisë sot gjendet tërësisht e restauruar mbi themelet e vjetra dhe shërben si një pike pelegrinazhi ku numri i vizitoreve është i konsiderueshëm.

Vetëm 5 kilometra nga Kallmeti, ndodhet fshati Troshan, ku janë ngritur disa restorante dhe dy struktura akomoduese, duke krijuar më shumë mundësi për turistët. Në guidat turistike janë përfshire të gjitha asetet që ka zona.

Kallmeti dhe zona e Zadrimës në tërësi janë një ansambël vlerash historike, kulturore dhe natyrore që ia vlen të vizitohen në çdo stinë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?