Reshje të dendura shiu, rrugët në Tiranë nën ‘pushtetin’ e ujit! Qytetarja: Po na përmbyten bizneset, dëm i madh

8 Nëntor 2023, 14:52| Përditesimi: 8 Nëntor 2023, 14:58

  • Share

Qytetarët e Tiranës u zgjuan të mërkurën me një tjetër ditë të vështirë nga reshjet intensive të shiut.

Disa rrugë të kryeqytetit u mbuluan nga uji, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve.

Situata e rënduar u përsërit edhe në rrugën “Ndre Mjeda” deri tek “Frosina Plaku”, aks i përmbytur edhe javën e kaluar.

Reshjet e shiut krijuan radhë të gjata në trafik.

Akoma më e vështirë ishte lëvizja për këmbësorët.

Rreth orës 11:00 me rënien e intensitetit të reshjeve, situata u normalizua.

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut lumi Lana ka pësuar një fryrje të madhe, por fatmirësisht nuk ka dalë nga shtrati duke shmangur fatmirësisht edhe përmbytjen e bizneseve që operojnë në të dyja krahët e lumit.

Bodrumi i një pallati në zonën e ish-ekspozitës u përmbyt duke dëmtuar kabinën elektrike, ç’ka ka vënë në rrezik dhe jetën e banorëve.

“Ne jemi disa aktivitete këtu, ku kemi dhe arkiva noteriale, ku në mënyrë të vazhdueshme, duke qenë se kabina elektrike është aty e vendosur jo në nivelin e duhur, herë pas here mbushet me ujë duke mos pasur drita dhe në situata të tilla ne përmbytemi, kemi situatë alarmante dhe nuk do t’ja dijë njeri”, tha një notere.

Kryetariu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj apeloi për kujdes nga qytetarët dhe për shmangien e lëvizjeve të panevojshme teksa njoftoi se ekipet e ndihmës janë në terren për çdo emergjencë. Edhe ministri i brendshëm taulant balla njoftoi se policia ishte në terren për çdo nevojë duke monitoruar akset rrugore.

Ora 08:38
Rrebeshe shiu në Tiranë, Veliaj thirrje qytetarëve: Evitoni lëvizjet e panevojshme, të gjitha skuadrat janë në terren

Tirana është përfshirë nga një stuhi e fortë me reshje të shumta shiu, ndërkohë që  grupet e punës të Bashkisë së Tiranës janë në terren për normalizimin e situatës.

Përmes një postimi në rrjete sociale, kryebashkiaku Veliaj kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të evitojnë lëvizjet e panevojshme dhe të bashkëpunojnë me punonjësit e emergjencave.

“KUJDES të shtuar sot me valën e re të rrebeshit! Të gjitha skuadrat janë në terren dhe po bëjnë maksimumin për përballimin e situatës! Si herën e fundit, do evitojmë lëvizjet e panevojshme dhe do bashkëpunojmë me punonjësit e emergjencave! Kujdes të moshuarit e fëmijët dhe telefononi 112 për çdo rast kritik! Forca”, shkruan Veliaj.

Pranë çdo kryqëzimi në kryeqytet janë punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët po punojnë për normalizimin e situatës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?