Reshjet e shiut, përmbyten qindra ha tokë bujqësore në Krujë! Fermeri: 'Gener 2' në rrugën Thumanë-Kashar s'ka hapur kanale kulluese

2 Korrik 2023, 08:31| Përditesimi: 2 Korrik 2023, 09:52

  • Share

KRUJË-  Shirat të dendur të rëna gjatë natës në rrethin e Krujës kanë shkaktuar përmbytje të qindra hektarëve tokë, të mbjella me jonxh, misë e grurë. Po ashtu edhe disa banesa private janë përmbytur nga uji dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses për të nxjerrë ujin nga banesat e nga garazhdet.

Konkretisht në të gjithë fshatrat e Ultësirës së Krujës ka pasur përmbytje. Kjo vjen si pasojë e mospastrimit të kanaleve kulluese nga ana e bordit kullues të bashkisë. Situata më problematike paraqitet në fshatin Bilaj ku sipërfaqet e përmbytura janë shumë të mëdha.

Një fermer i zonës thotë se ka falimentuar, pasi i gjithë prodhimi i grurit prej mbi 60 ton si dhe makineritë e mjetet bujqësore janë në ujë.

Sipas fermerit Xhovalin Doda, shkak për përmbytjet janë bërë punimet në rrugën Thumanë-Kashar që po kryhen nga kompania Gener 2 e cila sipas tyre nuk ka marrë parasysh ujin, por ka vendosur tuba më të ngushta duke bllokuar dhe ngushtuar kështu rrjedhën e ujit.

'Kjo fermë është përmbytur totalisht 600 kuintal grurë janë nën ujë. Krejt faktor kryesor janë punimet e Gener 2. Nuk ka hapur kanale kulluese nuk ka marrë parasysh kuotat e kullimit. Ja kanali bordurat këtu. Vajmedet kur të dalë lumi ose kur të ndodhe ndonjë fenomen tjetër. Gjithë prodhimi është në ujë, jemi komplet të falimentuar të mbaruar.'- thotë ai.

Po ashtu edhe një fermer tjetër thotë se përmbytja ka ndodhur nga punimet e firmës Gener 2.

‘I bëj thirrje bashkisë shtetit Edi Ramës. Të vijnë të hapin kanalet. Mos të fusin tuba qindshe si për banjo, por të fusin tuba kanali. Na bllokuar totalisht Gener 2. Na kanë përmbytur në korrik. Jemi duke punuar. Kemi blerë ure e naftë e të gjitha, të paktën mos të na mbysin në ujë.’- u shpreh një fermer tjetër.

Probleme janë paraqitur edhe në Krujë ku asfalti i rrugës nacionale Krujë-Fushë-Krujë është dëmtuar në disa pika.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Yrhan Dibra: 02/07/2023 11:18

    Ato toka nuk di se jane permbytur dikur sepse kanalet kane qene dhe lumi ka funksionuar.Dikur kemi kaluar me autobuz permes Fushe Kruja sot kalojmë anash ne superstrade.Mbi kanale jane bere ndertime me ose pa leje pa marre parasysh se vijne keto dite dhe lumi eshte mbushur duke i ulur kapacitetin e shkarkimit.Kjo histori ka vite qe ka filluar dhe ne qe kalojmë andej e shohim si arbitër por populli datohet shume rende

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?