Politikë

Reuters shkruan se BE nuk jep më garanci për integrimin e Ballkanit, zëdhënësja e KE për Report Tv: Perspektiva evropiane e rajonit, prioritet! Burime nga Brukseli: Të habitur nga ky shkrim

29 Shtator 2021, 10:36| Përditesimi: 29 Shtator 2021, 16:12

  • Share

Në një shkrim të publikuar pasditen e djeshme, agjencia e lajmeve Reuters ngrinte alarmin se 'çarja' brenda Bashkimit Evropian është shumë e madhe sa i takon procesit të zgjerimit.  Sipas Reuters Bashkimi Evropian, nga frika e reagimit politik në vendet anëtare, nuk mund të pajtohet më për të dhënë garanci për anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Për këtë lajm agjencia e lajmeve ka cituar sipas saj katër diplomatë të bllokut dhe një dokument të brendshëm. Report Tv u interesua në Bruksel në lidhje me këtë shkrim dhe burime diplomatike nga atje u shprehën “të habitur nga një shkrim i tille që për më tepër sipas tyre nuk ka burim konkret”.

Burimi i tha Report Tv se asgjë nuk ka ndryshuar nga angazhimi i Brukselit. Sipas tij situata mbetet e njejtë me problemin e vetos bullgare për të cilin institucionet e Bashkimit Evropian dhe jo vetëm po punojnë që të mos pengojë më hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

"Deri më 13 nëntor, data e zgjedhjeve në Bullgari, me siguri nuk do merret asnjë vendim as për Shqipërinë dhe as për Maqedoninë e Veriut. Shpresa është nga mesi i nëntorit deri në fund të këtij viti", tha burime diplomatike bë Bruksel, të kontaktuar nga Report Tv.

Ky shkrim i Reuters vjen një javë përpara një samiti të BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor - Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës - që do të mbahet më 6 tetor në Slloveni.

Për Report Televizion është përgjigjur edhe zëdhënsja e Komisionit Evropian Ana Pisonero e cila ka konfirmuar edhe njëherë qëndrimin e Komisionit pro-integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. 

 “Komisioni Evropian është i përkushtuar për të vazhduar me procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dy vendet kanë plotësuar kushtet dhe ne mbështesim plotësisht fillimin zyrtar të negociatave me këto dy vende deri në fund të vitit, siç e theksoi edhe Presidentja Von der Leyen gjatë vizitës së saj në rajon. E ardhmja e të gjithë Ballkanit Perëndimor është në BE”,  tha Pisonero për Report Tv ndërsa theksoi se samiti i Sllovenisë më 6 tetor do të jetë një mundësi jo vetëm për të rikonfirmuar perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor por një shtysë për investimet në rajon.

Kujtojmë se presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen është duke zhvilluar këto ditë një tur vizitash zyrtare në vendet e Ballkanit. Ajo e nisi nga Tirana këtë tur, ku bëri thirrje të fortë që tashmë ka ardhur koha që Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes BE dhe Shqipërisë të mbahet brenda këtij viti. Ajo e vlerësoi Shqipërinë për reformat, duke deklaruar se tani është koha që Bashkimi Europain të mbajë fjalën e të veprojë, pasi këtë gjë ia ka borxh rinisë shqiptare.

Në qershorin e kaluar ministrat e jashtëm të vendeve të BE nuk vendosën dot një datë se kur do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pengesë këtë herë u bë Maqedonia e Veriut pas vetos që i vendosi Bullgaria. Ndryshe nga konferencat e mëparshme, Shqipëria brenda dy viteve të fundit arriti të mposhte skepticizmin e disa vendeve anëtare të cilët konsideronin se Shqipëria nuk përmbushte kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit, por kësaj here ajo ishte kurban i probleme të Maqedonisë së Veriut. 

Po pse Bullgaria po pengon Maqedoninë e Veriut? Qeveria bullgare ishte kundër konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, për të vazhduar negociatat me qeverinë e këtij vendi. Bullgaria kërkon nga Maqedonia e Veriut të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë e saj. Madje u dëgjua edhe kërkesa për njohjen e gjuhës së vendit jo si maqedonishte, por si dialekt i bullgarishtes.

Ora 12:47
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Pisonero për Report Televizion: KE i përkushtuar për të vazhduar me procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor

“Komisioni Evropian është i përkushtuar për të vazhduar me procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dy vendet kanë plotësuar kushtet dhe ne mbështesim plotësisht fillimin zyrtar të negociatave me këto dy vende deri në fund të vitit, siç e theksoi edhe Presidentja Von der Leyen gjatë vizitës së saj në rajon. E ardhmja e të gjithë Ballkanit Perëndimor është në BE”, i është përgjigjur kështu interesimit të Report Televizion Zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero, pas bërjes publik të një lajmi nga Agjencia e Lajmeve Reuters se BE, nga frika e reagimit politik në vendet anëtare, nuk mund të pajtohet më për të dhënë garanci për anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Zonja Pisonero u shpreh se politika e zgjerimit është një investim strategjik për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës dhe liderët e BE -së e kanë përsëritur, herë pas here, së fundmi në Samitin e Zagrebit.

“ Samiti në Brdo , të Sllovenisë do të jetë një mundësi e madhe jo vetëm për të rikonfirmuar perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe marrjen e hapave praktik për integrimin e mëtejshme, por edhe për ti dhënë një shtysë të mëtejshme implementimit të Planit Ekonomik dhe Investimeve për rajonin, “ tha Pissonero

 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?