Sali Berisha

‘Revolucionet’ që ‘rrëzuan’ Ramën dhe Berisha me syze në kërkim të ‘vulës’

19 Dhjetor 2022, 19:55| Përditesimi: 19 Dhjetor 2022, 19:57

  • Share

Ky vit po mbyllet me shpejtësi, duke shënuar kështu një bilanc negativ për opozitën, e cila nuk përmbushi dot ‘objektivin’ e saj madhor, që e kishte nxjerrë në pikë të vapës së gushtit rrugëve të Shqipërisë, duke i bërë “def’ pushimet verës.

As këtë radhë Edi Rama nuk u rrëzua nga pushteti, siç ishin ngritur nga liderët e tyre Sali Berisha e Ilir Meta, pritshmëritë e militantëve të dy partive kryesore opozitare, për gati një vit me radhë.

Por ‘sentimenti’ u ngrit ndjeshëm sidomos me vendimin që dyshja drejtuese opozitare mori në muajt e verës që të mos kishte asnjë sekondë pushim për asnjë opozitar që kërkon të jetojë pa Ramën kryeministër në këtë vend, që të fillonte gjatë gjithë gushtit përgatitja e “revolucionit” të shtatorit të këtij viti, që do t’i jepte dhe “goditjen përfundimtare regjimit të Edi Ramës”. Dhe ishin akoma nën ‘nxehtësinë’ e dëbimit të Lulzim Bashës nga drejtimi i PD, kur zotoheshin.

U zunë hapësirat televizive me lajmet që pasqyronin takimet nëpër të gjithë Shqipërinë të liderëve opozitarë por dhe mbështetësve të tyre. Por u aktivizua dhe ‘armata’ e opininistëve të cilët filluan të jepnin data, përmasa protestash dhe paralajmërimin për “qiellin që do të hapej pas rrëzimit të Ramës”.

Nuk jemi të sigurtë nëse e besonin atë që thonin. E vërteta është se pikërisht ky lloj ‘opinionistësh laboratori’ që flasin qesim pa bërë një ditë jetë organizate partie, apo pa ndjekur si gazetar një aktivitet politik në jetën e tyre, e kanë marrë më qafë e po e marrin në qafë opozitën shqiptare. Pasi ia kanë “marrë dorën” dhe thonë atë që kërkon lideri respektiv politik, ndaj të cilit më e pakta që mund të themi kanë afeksion politik. Apo që janë bërë me të për inat të Ramës. Qytetarët shqiptarët mund ta ndajnë këtë qëndrim.

Me gjithë këtë përgatitje të fortë në pisk të vapës, ndonëse ishte krijuar një pritshmëri e lartë nga ana e militantëve të opozitës, por dhe shqiptarët kureshtarë për të parë se mos do shpikin ndonjë gjë të re këtë radhë “dinozaurët” e politikës, ndryshe nga çfarë kanë prezantuar në këto 32 vitet e qendrimit të tyre në politikë, më shumë në majat më të larta të pushtetit, erdhi shtatori, ‘zjarr’ për Edi Ramën dhe “regjimin e tij”.

Por militantët partiakë opozitarë, mbështetësit e opozitës si dhe shqiptarët, panë me zë e figurë, se me të hyrë shtatori, Berisha dhe Meta filluan ta “dredhin” për të përmendur një datë për këtë “revolucion” që do të rrëzonte Ramën dhe socialistët nga pushteti.

Ishte e vetmja pyetje që nuk merrte përgjigjie dhe që vinte në siklet të fortë liderët opozitarë, të cilët filluan ta ‘meremetojnë’ atë me qëndrimin se duhej një përgatitje e fortë, ta ‘interferojnë’ me kauza spontane dhe të momentit, duke e shtyrë në këtë mënyrë shtatorin, por dhe tetorin për të mbërritur më 12 nëntor. Kur u vendos data e përbashkët e “revolucionit” të opozitës shqiptare, i cili do të “shkulte nga rrënjët regjimin e Edi Ramës”.

Madje bënë thirrje, herë vetë, herë përmes mediave dhe herë dhe me opinionistët e tyre, edhe në drejtim të Edi Ramës që “të qëndrojë si burrë në zyrë më 12 nëntor siç bëri Sali Berisha më 21 janar 2011, dhe të përballonte vërshimin opozitar”. Pavarësisht se qëndrimi “burrërisht” i Sali Berishës në zyrë më 21 janar 2011 pati pasojë tragjike, pasi 4 demonstrues u vranë nga Garda e Republikës. Por dhe kërcënimet e mëpastajme të Berishës se kishte ‘5 snajperë në tarracën e kryeministrisë për të vrarë Edi Ramën nëse bënte një hap para, dhe se mund të vriteshin dhe tre apo tre mijë vetë nëse kalohej gardhi i godinës”, tregojnë qartë se ai ishte përgatitur për të ‘madhen’ dhe mund të mbyllej akoma më keq. Sa për kujtesë, sot ai gardh nuk ekziston.

Duke qënë se Rama as që e mori në referencë protestën e 12 nëntorit, duke e konsideruar si të gjitha protestat e tjera, Berisha dhe Meta bashkë, bënë atë ritualinin e zakonshëm opozitar të “revolucionit” të shumëpritur opozitar në bulevardin kryesor të Tiranës, duke lexuar fjalime përballë kryeministrisë, paralajmëruar e kërcënuar dhe duke u shpërndarë më pas paqësisht.

Njësoj si protetestat që realizonte Lulzim Basha vaktit, por vetëm me dy mungesa: Kishte më pak pjesëmarrje dhe nuk u këndua hymni kombëtar në selinë e PD buzë Lanës në përfundim të tubimit. Njëherësh kanë ‘shtuar’ arsyetimin për këtë dështim të “revolucionit opozitar që do fshinte Ramën nga pushteti”, se protestuesit ishin larguar paqësisht nga sheshi për të treguar se “opozita është paqësore, e emancipuar dhe se do të marrë pushtetin me votë”.

Ndërsa në akuzat e ‘emetuara’ për Bashën në aksionin për ta dëbuar, pikërisht Berisha dhe Meta deklaronin se gjithnjë ka organizuar protesta të dështuara, përderisa Rama vazhdonte të fitonte dhe të ishte në pushtet sipas arsyetimit të tyre. As ata s’ia prishën “terezinë” Ramës, paçka se e quajnë arritje protestën kundër tij. Çështje koncepti opozitar ky, pasi në këtë grupim aplikohen dy “kute’ vlerësimi.

Dhe kur opozita ishte e zënë me kauzat e çastit, duket sikur Berishës dhe Metës u erdhi “fati” në derë për t’u bërë faktor dhe ftilluar ‘revolucionin’ e radhës, pas vendimit të Brukselit që samiti i liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor të zhvillohej në Tiranë më 6 dhjetor. Pikërisht ditën kur dhe gjykata e Apelit do të merrte në shqyrtim ankimimin e Alibeajt se kujt i takonte vula e logo e partisë, PD-së zyrtare të drejtuar prej tij, apo “Rithemelimit” të drejtuar nga Berisha.

Këto fy faktorë, shtuar dhe ligësinë e Berishës dhe Metës që të prishin këtë samit, që organizohej nga ‘armiku’ i tyre Rama në Tiranë, por dhe sepse ish presidenti dështoi që të bënte pazar me partnerët ndërkombëtarë në këmbim të “tradhëtimit” të Berishës më 6 dhjetor, bëri që opozita të përgatitej për të protestuar pikërisht këtë ditë të shënuar për Shqipërinë, ku shërbimi i sigurisë për garantimin e Samitit të 6 dhjetorit, ishte maksimal.

Pasi “karikuan” mbështetësit me debatin për vendin ku do zhvillohej, synonin brenda perimetrit të sigurisë së samitit, pra përballë kryeministrisë, pavarësisht se ishte vënë sheshi “Skënderbej” në dizpozicion të protestës, 6 janari që nisi si një “revolucion dhe uragan që do të lebetiste Edi Ramën dhe regjimin e tij”, përfundoi në kufijtë e ish hotel “Dajtit”, me dhunimin fizik të Sali Berishës, nga një i sëmurë mendor, që çau “kordonin” e truprojave të liderit të “Rithemelimit” dhe bëri të pabërën, qëlloi me grusht në fytyrë Berishën, duke i shkaktuar hematoma. Duke e “shpëtuar’ këtë protestë modeste në pjesëmarrje e mesazhe, por të paralajmëruar si “revolucion”, nga dështimi serioz.

Nuk po hyjmë në teoritë e konspiracionit se kush e ‘organizoi’. Berisha e Meta thonë se e bëri Edi Rama, njeriu më pak i interesuar për rrëmujë në ditën më të shënuar të jetës së tij politike kur në Tiranë mblodhi 27 liderët e BE dhe ata të Ballkanit Perëndimor, të tjerë thonë më pas se e nxiten shërbimet e huaja. Se çfarë fitonin me goditjen e një lideri 80 vjeçar, ‘non grata’ dhe të vdekur politikisht si Sali Berisha, një zot e merr vesh.

Dikush tjetër thotë se ishte dhe ‘vetësakrifikim’ i Berishës për të fituar pikë dhe për të justifikuar paratë ruse, por që i sëmuri mendor doli nga “skenari” dhe goditi më fort sa sa e kishin udhëzuar. Ndërsa dikush tjetër thotë se ishte dhe një “sponsorizim” brenda grupimit opozitar, për ta nxjerrë Berishën para shqiptarëve një plak 80 vjeçar të lodhur e drobitur, dhe të “prekshëm” nga kushdo që del rrugës dhe i shkrepet të godasë dikë, për të shfryrë dufin.

I qëndroj mendimit të shfaqur dhe më parë, se grushtimi i Berishës në fytyrë më 6 dhjetor, në mes të protestuesve dhe rojeve “vigjilente” të tij, ishte fryt i mendjes së destabilizuar të një të sëmuri mendor, i cili kushedi se si i ishte fiksuar fakti që Berisha është e burimi i të gjitha të këqijave në këtë vend. Ndonëse këtë mendim të fundit e kanë shqiptarët e shëndoshë mendërisht, por që s’preferojnë që t’i ‘dorëzohen’ dhunës për të shfaqur qëndrimin e tyre. Ose është stresuar dhe ‘karikuar’ nga gjuha e dhunës së përdorur nga politika, ku Berisha është në ‘majë’ të listës.

Fundja dhe ky incident më 6 dhjetor pati dy të “mira” nëse mund të themi kështu. E para syzet e errëta i shkojnë shumë Berishës, aq sa kanë nisur ta imitojnë, dhe për solidaritet dhe pasuesit e tij më të flaktë. Lideri i “Rithemelimit” tashmë shfaqet në takime, përurime, recesione libri dhe në emisione televizive vetëm me syze të errëta. I shkojnë në fakt, aq sa filluan ta krahasojnë dhe me aktorët më në zë të Hollivudit. Nuk përjashtohen dhe etiketimet “dashakeqe” se ngjan dhe me Al Kaponen gangsterin e famshëm siçilian që bëri ligjin në Nju Jork me krimet e tij monstruoze dhe që pas dënimit vetëm për evazion fiskal, nuk i mbijetoi dot burgut, duke mos dalë me këmbët e veta, por me arkivol prej tij.

Por këto janë krahasime të bëra nga “gojët e liga”. Ne mbetemi tek krahasimi me aktorët e Hollivudit, dhe me sa duket këto syze të errëta i kanë pëlqyer aq shumë sa Berisha nuk po i heq dhe pas zhdukjes së hematomave të krijuara pas marrjes së grushtit nga i sëmuri mendor në protestën e 6 dhjetorit. Ka kaluar goxha kohë, megjithëse rigjenerimi fizik tek një 80 vjeçar, të kuptohemi, është shumë i ngadaltë dhe ndoshta ka të drejtë që i mban syzet e errta.

“E mira” e dytë ka qënë në rrafshin politik për Berishën dhe aleatin e tij Ilir Meta, sepse tashmë grushtin e të sëmurit mendor në fytyrë e kanë kthyer në një kauzë politike. Të cilën po e përdorin ditë pas dite, për të mbajtur me gajret mbështetësit, tashmë që shpresat për një “revolucion” të ri që do të “lebetisë Ramën dhe ta fshijë nga faqja e dheut regjimin e tij”, janë shuar përfundimisht. Megjithë kërcënimet e herëpashershme të Berishës dhe Metës se nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Janë “spazma” politike këto, pranohen nga literatura politike botërore, përfshi dhe atë shqiptare, për të mbajtur të “karikuar” mbështetesit.

Dhe një ‘karikim’ i tillë u duhet, pasi po mbyllet viti 2022, e në vend që të ishte rrëzuar Rama siç u premtua me “revolucione” që nga shtatori, grupet kryesore të opozitës janë katandisur në një formacion që po lufton për të marrë vulën dhe logon e PD në gjykatë, e ka më 20 dhjetor Apeli vendimin në mos u sëmurtë sërish ndonjë gjyqtar tjeter pasi e kanë me “grafik” sëmundjen ata, si dhe po ia ‘fusin’ njëri tjetrit tek partnerët tanë ndërkombëtarë, me pjesëmarrjen në “qokat” e ambasadorëve, të shpallur “armiq” nga ortakët e tyre. Kështu cilësohet koridoreve të “:Rithemelimit” vajtja e Metës në ambasadën amerikane këtë herën e fundit për dokumentarin.

Eshtë një lojë e çuditshme kjo e opozitës dhe liderëve kryesorë të saj, më pak se 5 muaj para zgjedhjeve për pushtetin vendor më 14 maj të vitit të ardhshëm , ndërkohë që nuk kanë bërë asnjë përgatitje për të hyrë në zgjedhje të bashkuar, për të patur shansin e një rezultati dinjitoz. Jo për fitore të kuptohemi. Të gjitha palët në PD po prezantojnë më vete kandidatë për kryetarë bashkie e këshilltarë bashkiakë, përmes primareve apo takimeve, të dyja palët e quajnë veten “palcën” e PD, ndërsa copëtimi i votës e katandis akoma më keq opozitën.

Dhe “revolucioni” i paralajmëruar opozitar në shtator të këtij viti apo ai i ‘lebetitësi i Ramës’ më 6 dhjetor, u katandisën në një përplasje brenda përbrenda opozitës, në një përpjekje për të marrë nën zotërim vulën dhe logon e partisë, në një përplasje me të sëmurë mendorë në bulevard të liderit dhe “kulisa” brenda aleatësh, që po përpiqen të shfaqen tek ndërkombëtarët si lidershipë të pranueshëm opozitarë për partnerët. Ndërsa Rama jo vetëm që vijon të jetë kryeministër, por po përgatitet hap pas hapi për të fituar akoma më thellë në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Gati harruam! Lulzim Basha jo vetëm që kapërceu Atlantikun, në kundërshtim me atë që kishte paralajmëruar Berisha, por ka mbetur në Uashington i ziu për të treguar se mund të rrijë sa më shumë e sa më gjatë andej, një “sfidë” kjo për Berishën e “karantinuar” vetëm brenda territorit shqiptar. Ky është bilanci i zhvillimeve opozitare të këtij viti. Domethënë pa bilanc pozitiv fare.

Të shohim çfarë do ndodhë pas festave, pasi deri më tani s’kemi dëgjuar ndonjë apel për të përgatitur “revolucionin” e ri kundër Ramës, pikërisht në ditët e festave të fundvitit, për t’ua bërë ‘helm’ këto festa, siç ua bëri pushimet e verës me përgatitjen e “revolucionit” të pandodhur në shtator.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Indrit: 19/12/2022 20:22

    Ky krimineli Sali eshte tu i pelqy vetja me gjyslyqe,dhe nuk po i hjek me,na shpifi

    Përgjigju
  • Termeti: 19/12/2022 20:09

    O Berishe! Tu lefte dera me …. Tamam si Xhim Belushi ne parajse.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?