Prej gati një muaji, ndryshe nga sa mund të pritej, kryeministri ka qenë në minimumin aktiv mediatik. Në një periudhë kur në sfond janë zgjedhjet vendore të majit dhe ndizen motorrët e fushatës, e gjitha kjo bën përshtypje, dhe pyetja që ngrihet nëse kjo është një strategji e re apo parapregatitje të tezave elektorale të së nesërmes.
Nga ana tjetër, në kampin e opozitës, sidomos në sektorin pa logo të saj, deklaratat, daljet mediatike e intervistat live në objetivin e kamerave, zëvendësojnë njera tjetrën orë pas ore. Pas çdo dalje të Rithemelimit, koordinohet për dalje televizive një deklaratë nga PL, e kështu sipas traditës së këngës “ Në ato maja rripa rripa..”, intervistat zëvendësojnë me rradhë njëra tjetrën në çdo orë të ditës. Duket si një aksion politik dhe energjizizëm i një opozite në krizë, por në fakt kakofonia e zërave me dalje pa shkak e kanosje pa ide, e shndërrojnë në një prezantim butaforik.
Nëse i shkojmë kësaj logjike mund të kuptohet dhe tërheqja mediatike e kryeministrit. E kush mund t’ia bëjë PR më të mirë atij, kur dalja e përditshme dhe e koordinuar e Berishës dhe Metës, u kujton në mënyrë të vijueshme shqiptarëve se kush është alternativa e opozitës. Ata, të njëjtët, të përhershëm e të pandryshueshëm.
Që nga fillimi i dhjetorit ku Rithemelimi prodhoi me aq urgjencë primaret, si për të zënë rradhën për të drejtën e kandidatëve të opozitës, kish reshtur aksioni politik. Kandidatët e primareve iu gëzuan fitores së votave partiake me një festë të gjatë fundviti, pasi nuk kishin çtë bënin tjetër në një fushë të vetmuar kur orari i ndeshjes do kohë që të vijë. As për nxemje nuk kanë dalë prej asaj kohe, përderisa fanella e veshur ka mbetur pa logo dhe mbetet e paqartë nëse sërish do e marrin borxh si në 6 mars.
Përtej kandidatëve, halli i të cilëve duket se është fokusuar jo te përballja elektorale por nëse konkurentët e logos do vendosin kandidatë alternativë, dhe selia qëndrore duket se nuk ka patur ndonjë ide të përtypshme. Në këtë vakum ideor, deklarata e fundit e Berishës se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve dhe se Rama mund të rrëzohet vetëm me revolucion, ish një përpjekje e dëshpëruar të paktën për të bërë lajm. Në një klimë ku fushata zgjedhore po vijon në një normalitet e pa problematikathelbësore, një deklaratë e tillë është të pomposh me zor një konflikt të paqenë. Por dhe ti frysh gjithë ditën, nuk të ndjek kush kur sheh pirueta politike pa fund.
Aq më shumë nga dikush që herën e fundit u deklarua për konservator dhe revolucioni nuk i shkon për shtat partive të djathta. Nëse Berisha ka dashur gjithmonë të identifikohet me kontribuesin më të madh të pluralizmit në Shqipëri, të deklarosh se nuk njeh zgjedhjet ende pa hyrë në garë, atëherë ose nuk ke besuar asnjëherë te sistemi i votës dhe pluralizmit, ose shndërrimi është i thellë dhe e gjithë kjo është shprehje frike. Frikë nga humbja, ose më saktë nga humbja përfundimtare e domenit politik që e ka zotëruar për tre dekada rresht.
Rama e di këtë avantazh që i sjell dalja kokë e pa kohë në media e kësaj dysheje. E di faktin që megjithë peshën e pushtetit dhe problematikat që ka vendi si pasojë e krizës globale, askush nuk është i çmendur të aventurohet tek kjo dyshe që vetëm alternativë nuk janë. Shumëkush e di këtë. Jo vetëm ata që do të votojnë për 14 majin, por dhe më pas e më tej.
Çështja është nëse ka ardhur koha që këtë ta kuptojnë vetë demokratët, për ti dhënë një aleternativë vetes. Një alternativë për të kontribuar në qeverisjen e vendit në një të nesërme. Sa më vonë të kuptohet kjo ndjesi, aq më shumë largohet dita e altenativës. Pasi në një parti politike, roli i një lideri mund ta çojë përpara e ti japë hov aksionit politik, por mund ta mbajë edhe peng e ta varrosë të ardhmen e asaj force.