Violinisti Rezart Kapetani

Rezart Kapetani, rikthimi dinjitoz i talentit shqiptar

2 Qershor 2019, 07:42| Përditesimi: 2 Qershor 2019, 14:08

  • Share

Më 17 maj, violinisti Rezart Kapetani, i cili prej shumë vitesh jeton në Spanjë, duke qenë pedagog në Konservatorin Shtetëror të qytetit Lorca, njëherazi edhe solist me emër, u prit me duartrokitje dhe bravo në Tiranë, në sallën e Universitetit të Arteve, i shoqëruar nga Orkestra Sinfonike e Radiotelevizionit Shqiptar, e drejtuar nga dirigjenti spanjoll-Maestro Emilio Fenoy Lopez.

Rezart Kapetani është një violinist virtuoz, i njohur nga publiku artdashës shqiptar, i cili e ka ndjekur atë në disa koncerte të mëparshme, të perfomuar në skenat e kryeqytetit, si në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në sallën e  Universitetit të Arteve dhe në atë të katedrales katolike po në Tiranë. Le të përmendim këto dy recitalet e këtij solisti, me pianoforte, me muzikë spanjolle, si dhe të autorëve hispanikë. Le të përmendim qoftë edhe dy koncerte e tij si solist me Orkestrën “Camarata” e Tiranës dhe atë me Orkestrën Sinfonike të RTV Shqiptar, shtatë vite më parë.

Rezart Kapetani është emër i njohur në rrethet e artit dhe në mënyrë të veçantë në ato të violinistëve profesionistë.

Ai ka tërhequr vëmendjen e specialistëve, qysh në rininë e hershme të tij, kur ishte nxënës në ish Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe student në vitin e parë të Institutit të Lartë të Arteve. Bashkëkohësit e kujtojnë për vlerta e larta interpretuese, por edhe për seriozitetin dhe potencialin që posedonte; cilësi këto që ai i ruajti dhe i ngriti më lart gjatë studimeve në Konservatorin Superior të Murcias në Spanjë, duke pasur pedagog profesorin e shquar Joaquim Palomares. Në përfundim të studimeve, në atë konservator, ai mori vlerësimin më të lartë me çmimin “Premierë Premio” nga komisioni i specialistëve më në zë të atij institucioni.

Violinisti Rezart Kapetani

Në vijim, solisti Kapetani debutoi me sukses dhe u shpall fitues në disa konkurrime nacionale të Spanjës, por edhe ndërkombëtare në kryeqytet e në qytetet metropol të vendeve evropiane. Kësisoj zhvilloi një karrierë të suksesshme e konkurruese në disa salla artistike prestigjioze të kohës.

Rezarti konkurroi me sukses në kompeticione të tilla prestigjioze, si në Madrid, Pamplona, Barcelona e Andaluzi, por edhe në Parisë, Berlin e Trieste dhe deri ne TOMSK të Federatës Ruse.

Mbas një mungese prej shtatë vitesh, Rezarti u kthye në qytetin e lindjes, në Tiranë, për të ekzekutuar një nga kryeveprat e krijimtarisë violonistike europiane, siç është Simfonia Spanjolle e kompozitorit të madh francez Eduarto Lalo, e cila u luajt për herë të parë në vitin 1875 në Paris, nga violinisti i asaj kohe-Pablo de Sarasate, njëherazi edhe kompozitor i shume pjesëve brilante violinistike.

Ekzekutimi i simfonisë spanjolle opus 21 përbën një sfidë dhe sprovë për klasin e çdo violinisti që kërkon të shpalos potencialin e teknikës së vet dhe të shprehë atë përmes instrumentit.   

Kjo vepër përshkohet nga një frymë e ngrohtë romantike dhe nga patosi i ndjenjave të forta artistike njëherazi përshkohet nga virtuoziteti, si dhe karakteri brilant i saj.

E gjithë vepra në themelet e saj, tingëllimet dhe ritmet e pasura të muzikës popullore spanjolle, të cilat t’i japin asaj një karakter të veçantë.  

Në performancën e kësaj vepre, publiku kryeqytetas pati rastin të vlerësojë maksimalisht potencialin ekzekutiv e interpretues të solistit Kapetani dhe të admirojë mjeshtërinë e interpretimit, e të teknikës së lartë. Në mënyrë permanente Rezarti përcolli me mjeshtëri virtuozitetin e tij karakteristik, sidomos me frazimet e tij të përkryera dhe tingujt brilantë. Ndërkohë, ai shpalosi bukuritë emocionale e artistike të veprës dhe diapazonin e gjerë shpirtëror të saj. Nëpërmjet artikulimit të qartë violinistik, të ngjyrimeve dhe dinamikave të pasura, të cilat si solist i solli tek spektatorit, Rezarti fitoi vlerësimet e merituara nga publiku kryeqytetas.

Në shpërblim të këtyre cilësive që solisti shpalosi në atë koncert, publiku i dha duartrokitje e bravo të pandërprera. Ai i fitoi me meritë duartrokitjet e të pranishmëve, por edhe përgëzimet dhe urimet e përzemërta, sidomos ato të specialistëve të pranishëm.

Në atë koncert, Rezart Kapetani tregoi se është në një stad të lartë të pjekurisë violinistike, si edhe në momente afirmimit të stilit të tij, të lojës në violinë. Talenti dhe personaliteti tashmë i konsoliduar si solist, e rendisin atë me meritë në radhët e violinistëve të shquar shqiptarë, jo vetëm më skenat tona, por edhe në ato europiane.  

Në atë performancë të suksesshme për t’u përgëzuar ishte jo vetëm dirigjenti i talentuar Emilio Fenoy Lopez, por edhe orkestra simfonike e RTV Shqiptar, e cila realizoi një interpretim që do të mbahet mend gjatë nga të pranishmit në atë sallë, në kuadrin e një sezoni mjaft të suksesshëm. Bravo, Bravo!

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?