Një koncert i shkëlqyer, i bukur, elitar, me tinguj dhe atmosferë spanjolle, por edhe me profesionalizëm të padiskutuar, ka lënë një shije të bukur pas...
Më 17 maj, në Universitetin e Arteve, violinisti i talentuar shqiptar, Rezart Kapetani, që prej 25 vitesh e zhvillon karrierën e tij në Spanjë, erdhi në Tiranë për koncertin me dirigjentin spanjoll Emilio Fenoy Lopez. Koncerti u shoqërua nga Orkestra Sinfonike e Radiotelevizionit Shqiptar dhe u mirëprit nga artdashësit e shumtë, ku nuk munguan ish mësuesit e Liceut Artistik në Tiranë, ata qw i ishin mirwnjohws pwr talentin dhe krenoheshin pwr rikthimin e tij dinjitoz nw skenën shqiptare.
Veprat e këtij programi: Joaquin Turina- Sinfonia Sevillana, Op. 23 dhe Edouard Lalo- Symphonie Espagnole, Op. 21, u interpretuan me një tingëllim të plotë dhe me temperament të lartë. Këto janë cilësitë më thelbësore të violinistit shqiptar që e shoqërojnë në çdo interpretim.
Rezart Kapetani, aktualisht jeton në Murcia të Spanjës dhe zhvillon një jetë të pasur koncertore. Përveç kësaj, ai ka publikuar albume me interpretimet e tij origjinale të muzikës së mjeshtërve të kompozicionit botërorë si Elgar, Haydn, Bach, Lalo, Beethoven, Piazzolla, Pablo de Sarasate, etj. Karriera e tij koncertore shtrihet në të gjithë Spanjën, ku ka konkurruar me sukses në kompeticione prestigjioze, si në Madrid, Pamplona, Barcelona e Andaluzi. Dhe më tej, në Parisë, Berlin, Trieste dhe deri në Rusi.
Për interpretimet e tij dinjitoze, kritika spanjolle, nuk është kursyer në vlerësime. “Violinisti i standardeve të larta, me një teknikë të qëndrueshme, të shkëlqyer”, shprehet Adrian Van Dongen për violinistin shqiptar. Koncertet e Rezart Kapetanit në violinë, prej vitesh janë kthyer në një manifestim duartrokitjesh e entuziazmi për publikun spanjoll. Mjeshtërisë së interpretimit të tij i përulen edhe profesorët më të shquar të muzikës. Ndaj rikthimi i Rezart Kapetanit pas 7 vjetësh mungesë në Shqipëri, nuk duhej të ishte lënë jashtë vëmendjes. Për publikun që e ndoqi, qe një luks prania në koncert. Ato vibrime të qarta të tingujve të violinës që fërfëronin nën hijen e dorës së tij, dukej sikur elektrizonin zemrën e gjithsecilit. Ardhja e Rezart Kapetanit në Tiranë ishte me shkak ftesën për një koncert nga Radiotelevizioni Shqiptar. “Prej shtatë vitesh nuk kisha ardhur në Shqipëri dhe kjo distancë ka qenë një motiv më shumë për t’i dhënë jetë një koncerti të kësaj natyre.”, është shprehur Rezarti.
Me ngazëllim e kanë pritur koncerti e Rezart Kapetanit edhe ish profesorët e tij të Liceut Artistik. “Ai linte mbresa dhe dallonte mes të tjerëve me sazhot e tij që në Lice”, thotë profesoresha Diana Ziu.
Kush është violinisti Rezart Kapetani
Rezart Kapetani lindi në Tiranë, Shqipëri. Filloi studimet në violinë me profesor Adem Beqirin. Më pas ndoqi Liceun Artistik “Jordan Misja” ku studioi me profesor Zishan Kumbaron. Në moshën 12-vjeçare fitoi Çmimin e Dytë në konkursin ndërkombëtar të rinjve në Shqipëri. Në vitin 1994, u përzgjodh për të marrë pjesë në Orkestrën e të Rinjve të Mesdheut në Aix-provence (Francë). Më pas transferohet në Murcia, ku studioi me Joaquin Palomares në Konservatorin e Lartë, duke fituar çmim special.
Në vitin 1995, fitoi konkursin për violinë në festivalin ndërkombëtar të Murcias në Spanjë dhe në vitin 1996 fitoi Çmimin e Dytë në konkursin e Andujar-it, Spanjë. Si solist ka perfomuar me orkestrën Baroça Valenciana, Orkestrën e Dhomës Amicitia, Orkestrën Simfonike në Tomsk, Rusi. Orkestrën e Dhomës në Tiranë, Shqipëri. Orkestrën e dhomës “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit në Tiranë.
Si koncertin, ai ka bashkëpunuar me Orkestrën Simfonike të Murcias, dhe Orkestrën e Dhomës Amicita. Wshtw anëtar i Kuartetit Thader, finalist në konkursin e XIII, të Kapedallas (Barcelona) dhe ka marrë Çmim të Dytë në konkursin muzikës së dhomës “Ciudad de Manresa” në Barcelonë. Për katër vite ka qenë profesor në konservatorin e lartë të Murcias.