Rezoluta/ 72 deputetë urdhër Arta Markut: Godit korrupsionin deri në tetor

11 Korrik 2019, 07:22| Përditesimi: 11 Korrik 2019, 08:33

  • Share

Mazhoranca qeverisëse është e pakënaqur me punën e prokurorisë në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2018. Sipas shumicës në Kuvend, numri i procedimeve penale për veprat penale të korrupsionit, numri e hetimeve proaktive lidhur me veprën penale të korrupsionit, numri i çështjeve të dërguara në gjykatë si dhe hetimet pasurore për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme, është i ulët.

Gjithashtu, sipas Kuvendit, respektimi i rregullave, procedurave për ruajtjen e sekretit hetimor për procedimet ka cenuar besimin e publikut në hetimet penale. Në këtë kuadër, 67 deputetë të Partisë Socialiste dhe pesë të opozitës së re, kanë miratuar një rezolutë, përmes të cilës i kërkojnë Prokurorisë së Përgjithshme me në krye Arta Markun, forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëpërmjet zbatimit më të mirë të procedurave të hetimit proaktiv dhe përdorimit në kufijtë e ligjit të teknikave speciale të hetimit.

Ata, përmes rezolutës, kërkojnë gjithashtu sigurimin e zbatimit të drejtë dhe të njëllojtë të procedurave për sa u takon hetimeve pasurore, sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve të paligjshme. Kuvendi kërkon një raport nga kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku deri në muajin tetor të këtij viti, për realizimin e këtyre detyrave.

Kuvendi i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme realizimin e 18 detyrave të tjera gjatë vitit 2019. Nisur nga publikimi i përgjimeve në gazetën Bild, Kuvendi i kërkon organit të akuzës respektimin e ligjit për sekretin hetimor nga çdo prokuror dhe punonjës i prokurorisë si dhe hartimin e rregullave të unifikuara për informimin e publikut lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale, në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm.

20 detyrat e Kuvendit për Prokurorinë e Përgjithshme
1. Forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëpërmjet zbatimit më të mirë të procedurave të hetimit proaktiv dhe përdorimit në kufijtë e ligjit të teknikave speciale të hetimit.

2. Sigurimin e zbatimit të drejtë dhe të njëllojtë të procedurave për sa u takon hetimeve pasurore, sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve. Brenda muajit tetor 2019, të përcjellë në Kuvendin e Shqipërisë një raport në lidhje me ecurinë e zbatimit të këtij rekomandimi.

3. Zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim rritjen cilësore, thellimin dhe intensifikimin e hetimeve në funksion të zbulimit dhe goditjes të veprimtarisë kriminale brenda vendit dhe të lidhjeve të tij jashtë vendit.

4. Rritjen e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe autoritetet gjyqësore të huaja në të gjitha fushat e bashkëpunimit ndërgjyqësor, me qëllim shkëmbimin e informacionit lidhur me veprimtaritë e grupeve kriminale që shtrijnë aktivitetin me lidhjet e tyre jashtë vendit dhe nxitjen e krijimit e grupeve hetimore të përbashkëta për hetimin dhe goditjen e veprimtarisë së tyre brenda dhe jashtë vendit.

5. Bashkëpunimin me Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Shkollën e Magjistraturës për identifikimit dhe planifikimin e drejtë të nevojave për magjistratë në sistemin e prokurorisë të juridiksionit të përgjithshëm. Forcimi i marrëdhënie të Prokurorit të Përgjithshëm me Këshillin e Lartë të Prokurorisë për qartësimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit është i mirëpritur.

6. Hartimin e udhëzimeve të nevojshme për zbatimin e rekomandimeve parësore të Këshillit të Ministrave për luftimin e kriminalitetit për vitin 2019. Kopje të udhëzimeve të miratuara të përcillen në Kuvend, menjëherë pas miratimit të tyre.

7. Hartimin e një kalendari të trajnimit të oficerëve të Policisë Gjyqësore, sipas kërkesave dhe nevojave për zbatimin e reformës në drejtësi brenda muajit shtator të viti 2019, si dhe të fillojë zbatimi i tij.

8. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në konsulencë dhe me asistencë të partnerëve ndërkombëtarë, të hartohen/ose të përmirësohen manuale të mënyrës së identifikimit, evidentimit dhe ndjekjes së veprave penale të shtetasve shqiptarë, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim jo vetëm sigurimin e të dhënave për veprat penale, në të cilat shtetasit shqiptarë mund të jenë përfshirë si autorë, por edhe si viktima.

9. Përmbushjen e rekomandimeve të adresuara për Prokurorinë e Përgjithshme nga Komisioni i Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

10. Raportimin në Kuvend brenda muajit dhjetor 2019 në lidhje me zbatimin e rregullave të trajtimit të të miturve me kontakt në drejtësinë penale dhe ecurinë e zbatimit të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.

11. Marrjen e masave për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të veprës penale dhe për të adresuar dhe rekomanduar zgjidhje për zbatimin e drejtë të rregullave për kërkesat e viktimës akuzuese.

12. Përdorimin më efektiv të instituteve procedurale të reja si: urdhri penal, marrëveshja e fajësisë, gjykimi i drejtpërdrejtë, duke hartuar dhe nxjerrje udhëzime të përgjithshme, me synim qartësimin e kuptimit dhe zbatimit në praktikë të kuadrit ligjor përkatës dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre.

13. Mbledhjen, hedhjen dhe përpunimin, nga çdo prokurori, të statistikave të ndjekjes penale dhe të kriminalitetit, sipas standardeve ndërkombëtare, me qëllim që të mundësohet vlerësimi dhe krahasimi i kriminalitetit ndër vite dhe në raport me vendet e rajonit, në nivel evropian dhe ndërkombëtar, si dhe të mundësohet vlerësimi i politikës penale të zbatuar. Kuvendi kërkon dërgimin në Ministrinë e Drejtësisë të të dhënave statistikore të plota dhe të sakta për të gjitha veprat penale, të pandehurit, viktimat, dëmet ardhura nga vepra penale dhe në lidhje me zbatimin e politikës penale.

14. Hartimi dhe nxjerrja e rregullave standarde për organizimin dhe funksionimin e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm që sigurojnë efikasitet në organizimin, drejtimin dhe kontrollin e punës në çdo prokurori.

15. Rritjen e pavarësisë së prokurorisë dhe forcimin e kuptimit më të mirë të përgjegjësive nga çdo prokuror. Në këtë kuadër, Kuvendi kërkon hartimin dhe nxjerrjen e rregullave për garantimin e pavarësisë së prokurorit, koordinimin e punës ndërmjet prokurorive të ndryshme, mes tyre dhe Policisë Gjyqësore të përfshira në hetime të përbashkëta.

16. Respektimin e ligjit për sekretin hetimor nga çdo prokuror dhe punonjës i prokurorisë. Në këtë kuadër, Kuvendi kërkon hartimin dhe nxjerrjen e rregullave të unifikuara për informimin e publikut dhe medias lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale, në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, duke respektuar parimet e parashikuara në legjislacionin në fuqi në lidhje me ruajtjen e sekretit hetimor.

17. Hartimin dhe nxjerrjen e udhëzimeve në lidhje me zbatimin e ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, që mundësojnë përmbushjen e qëllimit të ligjit.

18. Sigurimin e bashkëpunimit, koordinimit, shkëmbimit të informacionit dhe mbikëqyrjes së veprimtarisë, me të gjitha institucionet dhe agjencitë ligjzbatuese që kanë shërbime të Policisë Gjyqësore.

19. Monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut në të gjitha fazat e ndjekjes penale, nëpërmjet mbikëqyrjes nga prokuroria të respektimit të të drejtave dhe lirive kushtetuese dhe në ligj të shtetasve.

20. Rritjen e angazhimit të prokurorisë për zbatimin e rekomandimeve të Progres-raportit të Bashkimit Europian në lidhje me ndjekjen penale dhe luftimin e kriminalitetit.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Alvanos: 11/07/2019 14:46

    Epo tani kjo mirë është në atë pozitë. Urtë, butë ëmbël. S'ka ngut, pse të ketë ngut? Po hetoi të korruptuarit do i duhet të fusë brënda më shumë së gjysëm e Kuvendit duke qënë se shumica janë të korruptuar deri në palcë.

    Përgjigju
  • www.youngtribune.com: 11/07/2019 10:48

    E zeme se nuk I zbatoi keto 20 detyra. Cfare do I beni? Kryeprokurori nuk mund te marre urdhra nga asnje deputet. Ai ose ajo zbaton ligjet e kushtetutes tamam ashtu si keto deputete

    Përgjigju
  • Robert: 11/07/2019 08:11

    More vesh deri ne tetor, se pas tetorit rri e fli e beji fresk qeverise dhe pushtetareve si ke bere deri tani.

    Përgjigju
    • xreport: 11/07/2019 09:39

      me mire ilirit dhe sales

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?