Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar në faqen e tij një alarm të “qytetarit dixhital” që sipas tij është një shqetësim për rikthimin e piramidave në vend.
Shqetësimi që Berisha publikonte, flet për operimin në qarkun e Kukësit të disa institucioneve financiare, që japin kredi deri në shuma të konsiderueshme, vetëm me karta identiteti.
“Pershendetje , Doktor jam nga Kukesi dhe kam nje shqetesim te madh pasi ketu ne qytetin ton por edhe ne gjith Shqipërin jan hapur prej disa kohesh disa instuticione financiare qe levrojn kredi me interesa marramendese deri ne 17 % pa perfshir penalitetet qe kan . Japin kredi me shum deri ne 1 miljon lek vetem me nje aplikim onlain me nje kart indetiteti dhe pavarsisht je apo nuk i siguruar. Personalisht jam nje nga keto ‘ viktimat ‘ e ketyre instuticioneve qe e kam shlyer kete kredi dhe si perfundim me thojn nuk del ne sistem . Nuk di se si do veprohet por keto po behen me keq se ish-piramidat qe po shkaterrojn ekonomin e ktij vendi”, shkruan Berisha.
Në fakt, kjo çështje nuk ka të bëjë me piramidat, edhe në qoftë e vërtetë, por me një mënyrë veprimi të institucioneve kredidhënëse, të cilat japin një shumë si kredi dhe larja e tyre bëhet me këste, përfshirë dhe interesin.
Piramidat, apo skema “Ponzi” që njihen si logjikë mashtrimi në termat ndërkombëtare u kthyen në një tragjedi shqiptare, pikërisht në vitet 1996-1997, kur Sali Berisha ishte President i Republikës.
Në atë kohë, disa kompani apo fondacione, merrnin para nga njerëzit, me premtimin se do t’ja kthenin atyre të dyfishuara apo trefishuara sipas normave të çmendura që vendosën këto skema mashtruese.
Njerëzve u premtohej se nëse depozitoheshin një shumë parash, në një kohë të shkurtër atyre u jepej një shumë më e madhe e parave që kishin dorëzuar, duke sjellë kështu një interes të madh nga njerëzit, që në masë depozituan paratë në këto “kompani”.
Në fillim ishin pak, por më pas këto u shtuan dhe këtë mision e ndoqën edhe disa firma të fuqishme që kishin përkrahjen e shtetit.
Kjo solli që një sasi marramendëse parash u depozituan nga publiku në këto “kompani” të cilët pas një farë kohe nuk mpatën mundësi jo të kthenin paratë me interes siç i kishin marrë, por as shumat e lekëve që morën.
Shqetësimi për firmat piramidale që përdorën skemën “Ponzi” u dha jo vetëm nga ekspertë vendas por edhe nga institucione të fuqishme financiare ndërkombëtare, siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar. i cili kërkoi mbylljen e piramidave. Por çfarë ndodhi? Berisha, apo qeveria e tij jo vetëm nuk i mbylli por me disa deklarata publike inkurajoi njerëzit që të depozitonin para në këto kompani.
Kompani që ishin mbështetëse e financuese të PD-së. Madje në zgjedhjet lokale të tetorit të vitit 1996, kandidatët e PD-së, dilnin në mitingje me parullat e kompanive piramidale që ishin mbështetëse të hapura të kësaj force politike.
Në fundin e vitit 1996 e fillimin e vitit 1997, këto kompani piramidale siç pritej, nuk kishin fuqi paguese, por shpallën falimentin, duke gëlltitur miliona dollarë nga kursimet e shqiptarëve.
Kjo situatë solli në një depresion të përgjithshëml njerëzit e mashtruar e të terrorizuar, që kishin dhënë kursimet apo shitur shtëpitë për të depozituar para në piramidat dolën në rrugë dhe akuzuan qeverinë si grabitëse të parave.
Kjo revoltë çoi pastaj në një antagonizëm popullor, në fillim në zonat e jugut ku ishin qendrat e firmave piramidale.
Revolta u acarua dhe asnjëherë nuk u menaxhua nga Berisha, i cili shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe mobilizoi forca paramilitare të sulmojë 5 qytete të jugut.
Kur nuk arriti dot të shtypë revoltën, në të gjithë vendin u hapën me urdhër depot e armëve dhe policia e ushtria la detyrën si “me magji”. Militantët e PD-së u pajisën me armë e municione me lista të hartuara në komisariatet e rretheve.
Kjo gjendje çoi në kaos në të gjithë vendin, ku shteti u zhduk dhe në rrugë dolën bandat që sollën një numër të madh të vrarësh që shkoi deri në 3 mijë vetë. Grabitjet e kaosi mbretërorin në vend. Berisha më në fund pranon të shpallë zgjedhjet e parakohshme dhe emëron një qeveri koalicioni me Bashkim Finon kryeministër.
Në ndihmë u ftua një forcë shumëkombëshe ushtarake që u vendos me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo forcë e cilësuar “Operacioni Alba” u drejtua nga një gjeneral italian por ishte shumëkombëshe, e cila kishte për detyrë të patrullonte rrugët dhe të shmangte gjakderdhjen.
Ajo kohë është një gjëmë e madhe për vendin, që ka vulën e zotit Berisha-atëherë President. Faj që vetë Berisha e ka pranuar.
Risjellja nga ai vetë e kobit të Piramidave pas 23 vjetëve, për ata që e kanë përjetuar sjell tek njerëzit një atmosferë tmerri, për një kohë që erdhi pikërisht nga njeriu që inkurajoi u identifikua nga piramidat….
O hale gomeresh
Përgjigju