Sot edhe mund të kishim disa ministra të ndryshuar dhe riformatim qeverie, sikur këtë gjë, të mos ja kërkonin Edi Ramës me aq ngulm, shumica e opinionistëve, apo sikur të mos i bënte fakt të kryer opozita.
Nëse ka një gjë që Edi Rama nuk e ka ndryshuar nga dita e parë e ardhjes në pushtet, është mania që lajmet t’i kumtojë ai, dhe jo të jetë një kryeministër i parashikueshëm. Kjo ndoshta nuk është arsyeja e vetme pse sot ai nuk bëri asgjë, por dhe vetëm kjo arsye do të mjaftonte që të mos bënte ndryshimet sot.
Por sot ka bërë disa gjëra që kishte harruar t’i bënte prej kohësh.
Së pari, më në fund u bë një mbledhje Kryesie e socialistëve, ku ata u mblodhën për të dëgjuar njëri- tjetrin dhe jo vetëm fjalimin e kryetarit. Kjo nuk kishte ndodhur prej vitesh, ose më mire të themi, prej momentit kur pushteti mendon se partia e kreu funksionin e saj, pasi na dha pushtetin dhe tani është radha e vendimeve nga pushteti.
Në fakt, e vetmja garanci që një qeveri të jetë më e ndjeshme, më pak arrogante, më pak e korruptuar dhe mbi të gjitha, më e përgjegjshme, është të jetë një qeveri politike.
Dhe kur them politike, nuk kam parasysh njerëz që hyjnë në politikë, pasi bëhen ministra, por që njerëz që kanë identitet politik, të bëhen ministra.
Ata janë shumë më të përgjegjshëm dhe të ndjeshëm ndaj sinjaleve që vijnë nga elektorati, se sa dikush që nuk ka bërë kurrë një fushatë elektorale, por e ka filluar karrierën politike si ministër.
Një qeveri mund të ketë luksin të ketë dhe ndonjë ministër të tillë, por shumë të tillë, dhe vetëm ndonjë për shenjë politik, është realisht problem.
Dhe kur të ndodhin kriza të tilla, që në thelb janë kriza mos-komunikimi politik, që vijnë prej mos marrjes në kohë të sinjaleve nga shoqëria, ministrat politikë janë “kuaj” shumë më të mirë beteje.
Së dyti, ka shumë rëndësi që socialistët të thellojnë debatin brenda tyre mbi ndryshimet e mundshme në qeverisje, që të mos bëjnë ndryshime bazuar në emra, por ndryshime bazuar në një qeveri funksionale.
Struktura e qeverisë së re “Rama 2” duhet pranuar që vrau qeverinë funksionale, mbifuqizoi ministra që ndoshta as vetë nuk e duan gjithë atë pushtet, krijoi ministri formale që nuk i duhen askujt, dhe humbi disa identitete ministrish që janë historike.
Është mirë që ndryshimi të rifillojë nga struktura, por natyrisht jo me ndonjë qilizëm të madhe, që të rihumbasë sërish dhe gjashtë muaj, sa të mësojnë zyrat.
Së treti, që është dhe më e rëndësishme, ministrat e rinj apo drejtuesit e rinj të PS-së, mund të jenë surprizë e publikut, por duhet të hiqet zakoni që të jenë dhe surprizë e PS-së dhe vetë ministrave.
Është mirë që drejt emrave apo strukturave të reja, të shkohet përmes një debati real.
Pas pesë vitesh pushtet, në PS ka fare pak produkte politike, përjashto kryebashkiakun e Tiranës, që ja shton vlerën politike PS-së dhe ndonjë ministri, që nuk ja ul vlerën. Të tjerët punojnë me kapital të marrë hua në PS dhe nuk e kthejnë kurrë kredinë që marrin.
Qeverisja dhe kabineti nuk është vetëm eksperiment për të prodhuar administratorë, por mbi të gjitha, për të formuar identitete politikanësh, pasi vetëm ata janë jetgjatë në politikë. Të tjerët vijnë, marrin, ikin dhe pasaj bëhen opinionistë, ose kryetarë OJQ-sh.
Është mirë që kjo praktikë të marrë fund, duke bërë një analizë reale se kush ka marrë kredi politike nga PS dhe sa i ka kthyer asaj mbrapsht. Është i vetmi parametër që mund të shpallë suksesin apo falimentimin e tyre.
Pas gjithë kësaj, Edi Rama le ta ruajë të drejtën të na i thotë ai lajmet, por lajmet e vërteta nuk janë ato të orës së parë, kur i njofton ai, por të kohës kur të shikojmë nëse zgjedhjet e reja, ruajnë traditën e vjetër, apo janë një rikthim me këmbë në tokë. TEMA
Z mero shyqyr qe I thirre mendjes rreth Rames
Përgjigju