Rilindja. E nisim me fjalën

27 Tetor 2011, 02:48| Përditesimi: 2 Nëntor 2011, 11:47

  • Share
Besoj se jemi dakord me një gjë: Nuk jetojmë në një epokë të shkëlqyer. Shumë vrapuan pas shkëlqimit të parasë e ëndrrat e seicilit u bënë vilat, makinat, mirëqënia materiale dhe jo një botë më e mirë e më e drejtë për të gjithë. Po shpirti? Pak vlerë. Perëndimi vrapoi i pari e në të tjerët, të Lindjes, pak më vonë. Ku jemi sot?

Ngjarjet e përditshme flasin shumë më shumë se mijëra analiza. Në sipërfaqe janë më të lehtët e më të pavlerët e në honin e greminave ata njerëz që dinë e bëjnë. Fiton kush gërthet e ulëret; humb mençuria, modestia, punëtoria. Më keq se kaq nuk ka ku të shkojë. Pas kësaj, mund të ndodhë vetëm një gjë: RILINDJA
A e kemi ne shqiptarët forcën për të rilindur? A e kemi dëshirën për të vlerësuar të mençurin, të drejtin, të diturin, të mbarin, të mirin? Eshtë e vështirë ta pretendosh sot këtë, kur vorbulla marramendëse është akoma në aktivitetin e centrifugimit të shpirtërave, por një shpëtim e shpresë ka. Dikush e bën në momente të vështira të jetës; kur goditet nga sëmundje e rëndë dhe kupton se nuk është i perjetshëm. Paradoksale: një sëmundje e keqe për të na bërë më të mirë. Të tjerë nuk e kanë kohën e mjaftueshme dhe mundësinë. Ne, shqiptarët, jemi popull i ri dhe për këtë duhet të falenderojmë Zotin.

Ka nisur në opinionin publik një tendencë e brishtë, por e shëndetshme, për të shpërfillur arrogantët – të paktën mes atyre që janë të njohur për publikun. Ata që nuk lënë kërkënd të flasë; ata që përdhosin e zhvlerësojnë FJALEN, këtë magji që e kemi dhunti vetëm ne, njerëzit. Ka nisur një frymë - e duhet inkurajuar - për të izoluar ata që mbushin plot negativitet familjen e shoqërinë dhe keqpërdorin fuqinë e jashtëzakonshme të fjalës.

Ka nisur të ndjehet në Tiranë një frymë që kërkon DIALOGUN. Nuk them vetëm atë për spektakël që mendohet të zhvillohet mes liderëve politikë (edhe aty do të arrihet), bëhet fjalë për një edukatë që duhet shpluhrosur në komunikimin njerëzor: kur tjetri flet, ti e dëgjon dhe kur ti flet, tjetri të shikon e dëgjon.
A e kemi forcën për të rilindur ne shqiptarët? Besoj se po; nëse është reale kjo dëshirë për të dëgjuar, kuptuar e respektuar njëri-tjetrin e për të izoluar të papërgjegjshmit. Ne, të medias, e kemi për detyrë të kthejmë në modë e tendencë dialogun e respektin. Vlerën e fjalës.

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?