Rikthimi në jetë i bibliotekave të vjetra keniane, në Nairobi vjen falë dy grave që shpresojnë të kthejnë faqen në të kaluarën, duke krijuar një të ardhme të re si për librat brenda bibliotekave ashtu edhe për komunitetet përreth tyre.
Book Bunk, i themeluar në vitin 2017 nga botuesja Angela Wachuka dhe autorja Wanjiru Koinange, është një organizatë jofitimprurëse që punon për të rivendosur bibliotekat në të gjithë qytetin duke përditësuar gjithçka, nga infrastruktura fizike deri te koleksionet e librave. Ekipi ka ndihmuar gjithashtu transformimin e bibliotekave në hapësira për ngjarje që inkurajojnë mendimin dhe festojnë shkrimin, duke përfshirë organizimin e Festivalit të Letërsisë në Nairobi.
Ndërtesat e dikurshme të rrënuara janë përhumbur nga fantazmat e një të shkuare jo shumë të largët. Kenia, e cila ishte nën sundimin britanik që nga viti 1895, u emërua një koloni zyrtare në vitin 1920 dhe mbeti e tillë për më shumë se 40 vite. Biblioteka Memorial McMillan është biblioteka më e vjetër e qytetit dhe projekti më i fundit i Book Bunk. E ndërtuar në vitin 1931, vetëm kolonizatorët e bardhë evropianë u lejuan të hynin në hapësirë për tre dekadat e ardhshme.
Komunitetet përreth i përdorin bibliotekat si hapësira pune, me rreth 300 njerëz në të gjithë vendet që i qasen çdo ditë, sipas Koinange. Përpara se Book Bunk t'i restauronte, Kaloleni dhe Eastlands nuk kishin ujë të rrjedhshëm ose tualete të përshtatshme dhe McMillan kishte një sistem elektrik që mezi funksiononte, duke e detyruar bibliotekën të mbyllej kur perëndonte dielli. Edhe përpara se të rinovonte bibliotekat, Book Bunk kaloi muaj duke anketuar komunitetet lokale për të zbuluar se cilat shërbime do të ishin më të dobishme. Njerëzit kërkuan Wi-Fi, tualete, orare të zgjatura të hapjes, hapësira në komunitet dhe aktivitete argëtuese.
Kur e pyetën se përse kishin marrë këtë nismë ‘alturiste’, njëra prej grave u përgjigj se beson se është e rëndësishme t'i kundërvihemi historisë dhe t'u lëmë diçka më të mirë pasardhësve.