Në ditën e fundit të fushatës së 14 majit, kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën u ndal në zonën e Freskut, e nga aty iu përgjigj edhe njëherë akuzave të Sali Berishës. Bejko tha se Berisha i ka akuzuar se janë të blerë nga Edi Rama, por në fakt është Berisha ai që nuk e pranoi ofertën e Partisë Demokratike për të dalë me një kandidat në këto zgjedhje.
Teksa e cilësoi Berishën si një njeri pa moral, kandidati demokrat tha se Berisha e refuzoi ofertën për t’u bashkuar sepse në këto zgjedhje nuk ka dalë për qytetarët dhe kandidatët që ka nxjerrë në garë, por për hallin e tij, të Ilir Metës e të Edi Ramës, duke thënë se të tre janë bashkë.
“Patrioti nuk e vjedh vendin e vet, patrioti nuk e vjedh popullin e vet, patrioti nuk e bën popullin të arratiset nga shtëpitë e veta. Patrioti mendon që të jemi të gjithë së bashku dhe të ndërtojmë këtë vend pa korrupsion, pa krim por me meritokraci, me drejtësi, me barazi sociale, me barazi shansesh të barabarta, me një ekonomi të çliruar nga krimi, me një ekonomi ku të zbatohen rregullat e tregut kërkesë-ofertë dhe mbi të gjitha të punojë me dinjitet dhe t’i japë dinjitet edhe qytetarëve edhe bashkëpunëtorëve të tij. Por, kjo bëhet kur vetë ke dinjitet dhe jo kur je morr, kur je morr që pi gjakun e këtij populli. Përdore besimin e atyre njerëzve që kanë bërë sakrifica të mëdha për ty dhe del dhe akuzon të tjerët, si grua e keqe, nuk lë gjë pa thënë, pa sharë për të tjerët po nuk të erdhën nga mbrapa. Janë yje të ndritur po të erdhën dhe të shërben ty po të njëjtët njerëz. E kush i bën këto, këto i bëjnë njerëz pa moral. Ne jemi të akuzuar se bashkëpunojmë me Ramën dhe me Veliajn dhe ndihmojmë që të fitojnë ata. Jo, ja bëmë ofertën i thamë bjeri kandidatët e foltores tënde, futi me siglën e PD dhe hajde të bëhem gjithë bashkë për të ndihmuar në zgjedhjet lokale dhe zgjidhim krizën politike. E zgjidhim pas zgjedhjeve lokale, nuk pranoi sespse ai nuk ka dalë të ndihmojë kandidatët që ka nxjerrë në terren, madje nuk u di as emrat. Pse e bënë këtë gjë. Vetëm vetja e tij, halli që ka Edi Rama, halli që ka Ilir Meta. Rënia e njëri bën rënien e të treve. Prandaj qytetarët e Tiranës kanë shansin ta godasin në zemër këtë sistem të korruptuar, këtë sistem që ia ka zënë frymën Tiranës”, tha Bejko.
Lajmi kryesor:
Roland Bejko: Më 14 maj t’i largojmë 'pushtuesit', i kanë marrë frymën Tiranës! Trekëndëshi i Bermudës ndan paratë e pronat e qytetarëve me oligarkët
SI.E./ReportTv.al