Rregullat e sjelljes së policisë më 25 prill, kur hyn në qendrat e votimit e numërimit dhe si do shoqërohen kutitë! Ushtria dhe SHISH do qëndrojnë larg (DOKUMENTI)

29 Janar 2021, 15:15| Përditesimi: 29 Janar 2021, 16:42

  • Share

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur një vendim, në të cilin përcaktohen rregullat e detajuara të sjelljes së Policisë së Shtetit gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Vendimi që është planifikuar për t’u miratuar nesër, parashikon që në krye se punonjësit e SHISH, forcat komando, struktura të tjera të ushtrisë, policia kriminale dhe policët që janë rekrutuar 4 muajt e fundit, ndalohen që të ruajnë apo t’u afrohen objekteve që kanë lidhje me zgjedhjet. Ushtria mund të angazhohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe me urdhër të ministrit. Mund të aktivizohen edhe forcat speciale, por vetëm në situata të domosdoshme dhe duke njoftuar KQZ mbi arsyet.

Ndërkaq, efektivët e policisë që do angazhohen për administrimin e zgjedhjeve duhet të mbajnë në uniformë një numër rendor të caktuar nga KQZ si dhe mbiemrin e tyre. Ata do të armatosen me urdhër të drejtorit të përgjithshëm sipas situatës kriminale dhe informacioneve. Punonjësit e policisë mund të lejohen të qëndrojnë jashtë dhe brenda ambienteve të qendrave të votimit, KZAZ-ve dhe qendrave të numërimit të votave, kur Komisioni i Qendrës së Votimit ose KZAZ e kërkon një gjë të tillë për të vendosur rendin ose për të parandaluar një incident.

Por, zakonisht policia ndërhyn me kërkesë të KZAZ kur ka një problem dhe qëndron në distancë, sipas përcaktimit të KQZ. Në rast të një krimi të rëndë dhe në kushtet e flagrancës, policia ndërhyn menjëherë. Sipas vendimit, në një distancë perimetrike 150 m2 nga qendrat e zgjedhjeve, nuk mund të qëndrojë askush, përveç ata që presin për të votuar në rresht si dhe personat e autorizuar për administrimin e zgjedhjeve.

Ndërkaq, një punonjës policie i planifikuar me libër shërbimi, shoqëron kutinë e votimit nga qendra e votimit tek grupi i numërimit, në një automjet, në të cilin duhet të ndodhen edhe anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit dhe sekretari i KQV. Punonjësi i policisë nuk duhet të prekë materialet zgjedhore, por punonjësi nuk duhet të lejojë as palët e tjera të prekin materialet zgjedhore. Punonjësi i policisë i jep procesverbalin e marrjes në dorëzim përfaqësuesve të VNV dhe largohet. Të gjitha veprimet e policisë në raport me zgjedhjet monitorohen dhe dokumenton deri në detaje.  

 Pr/vendimi për sjelljen e policisë në zgjedhje 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?