Rreziku që të mbetet ligji aktual i zgjedhjeve në fuqi

20 Korrik 2020, 20:44| Përditesimi: 20 Korrik 2020, 20:46

  • Share

Ky debati shtesë për ndryshimet kushtetuese rreth reformës zgjedhore, po bën më së fundi bilancin se çfarë nuk duan palët nga reforma zgjedhore.

Në krye të listës për kundërshti ndaj ndryshimeve, është Partia Demokratike.

Ata kundërshtojnë listat e hapura, si një rrezik për pushtetin e Lulzim Bashës brenda partisë.

Ata kundërshtojnë koalicionet me një listë, se mund të vriten me LSI ende pa filluar zgjedhjet, ndaj duan koalicione me lista të përbëra.

Ata kundërshtojnë depolitizimin e administratës zgjedhore, që ishte kërkesë bazë e ODIHR, ndërkohë që vështirë se gjejnë dot emra për komisionerë në shumicën e vendit.

Ata kundërshtojnë heqjen e pragut elektoral, pasi kanë frikë se rivalët e tyre të dalë nga PD, hyjnë në Parlament dhe bëhen faktor politik.

Ata kundërshtojnë dhe shumë elementë të dorës së dytë në organizmin e zgjedhjeve, siç është formula e ndërtimit të KQZ-së së re, mënyra se si do të bëhet identifikimi i shtetasve që votojnë etj.

Opozita parlamentare nga ana e saj, kundërshton faktin që nuk u depolitizua administrata zgjedhore.

Ajo kundërshton mbajtjen e pragut 3 për qind, sa është në ligjin aktual.

Ajo po ashtu kundërshton koalicionet me lista të përbëra, pasi pengojnë procesin e numërimit, nëse hapen listat.

Socialistëve nuk u ngelet gjë për të kundërshtuar, pasi kanë pranuar dhe kundërshtimet e demokratëve të rrugës, dhe ato të demokratëve të Parlamentit.

Ndaj në këto rrethana, ata duhet të shkojnë drejt votimit më 30 korrik, duke provuar një herë të votohen kundërshtimet e opozitës parlamentare.

Nëse ato votohen, atëherë ka shanse të votohet dhe marrëveshja e 5 qershorit dhe të ngelet të shikojmë çfarë do bëjë PD, do marrë pjesë në zgjedhje, apo do shpëtojë prej tyre, duke gjetur alibinë.

Nëse socialistët nuk i votojnë propozimet e opozitës parlamentare, atëherë ka shumë shanse të rikthehemi në pikën zero, tek ligji aktual, pasi nëse Murrizi i mban në bllok votat e veta, do të rrëzohet dhe marrëveshja e 5 qershorit dhe nuk ka më kohë të bëhen ndryshime të tjera. Kështu do shkojmë drejt zgjedhjeve të reja me ligjin e vjetër.

Nuk do të fitojmë ndonjë gjë të madhe nga gjithë kjo zhurmë, por së paku do kuptojmë çfarë duan dhe çfarë nuk duan realisht palët nga reforma zgjedhore. Nga ato që ka kundërshtuar PD, rezulton se ata janë më afër ligjit aktual të zgjedhjeve, se sa gjithë të tjerët. Dhe ka shumë shanse që ashtu të bëhet.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?