TIRANË-Më 4 nëntor, pas gati 2 vite e gjysmë sagë të zgjedhjeve lokale të qershorit të vitit 2019, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesave që pretendonin jo kushtetuetshmëri e zgjedhjeve, kërkesa këto të bëra Voltana Ademi si kryetare e shoqatës së bashkive dhe të mbështetura fuqimisht nga Presidenti Ilir Meta dhe partitë opozitare.
Sot Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e arsyetuar ku thotë se "Gjykata vlerëson se në lidhje me kërkimin e parë të kërkesës në shqyrtim çështja nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues, kurse në lidhje me kërkimin e dytë kërkuesja nuk legjitimohet për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues".
Argumenti tjetër i Gjykatës Kushtetuese është moslegjitimi i kërkueses, Voltana Ademi, e cila nuk kishte të drejta të vinte në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.
"Për verifikimin e kushtetutshmërisë së partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre, sipas nenit 57 të ligjit nr. 8577/2000, Gjykata vihet në lëvizje me kërkesë të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të jo më pak se një të pestës së deputetëve, të Avokatit të Popullit dhe të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Për rrjedhojë, në lidhje me këtë kërkim kërkuesja nuk legjitimohet ratione personae, duke qenë se nuk bën pjesë në rrethin e subjekteve që mund të vënë në lëvizje Gjykatën për ushtrimin e kompetencës së saj të parashikuar në nenin 131, pika 1, shkronja “d”, të Kushtetutës", thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Pas opinionit final të Komisionit të Venecias për zgjedhjet lokale të 30 qershorit të vitit 2019, Gjykata Kushtetuese u mblodh më 2 nëntor në seancën e ndërprerë plenare për të diskutuar.
Në seancë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të interesuara si nga Kuvendi, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Avokati i Popullit, dhe partia Bindja Demokratike. Gjithashtu është edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila ka bërë edhe kërkesën në Kushtetuese.
Kujtojmë se Komisioni i Venecias u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta ketë në kompetencën e saj gjykimin si antikushtetues apo jo një proces zgjedhor si ai i zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por kjo nuk e pengon që të ushtrojnë kontroll mbi legjislacionin zgjedhor.
Komisioni i Venecias la në fuqi zgjedhjet e 30 Qershorit dhe nuk këshillonte Gjykatën Kushtetuese që t’i përsërisë zgjedhjet e 30 Qershorit.
Ndërkohë kujtojmë se 6 bashki janë pa kryetar, dhe mazhoranca nga ana e saj është shprehur e gatshme për një përballje të parakohshme elektorale lokale me demokratët. Presidenti Ilir Meta deri më sot ka refuzuar të dekretojë një datë për zgjedhje në ato bashki, të cilat humbën kryetarin rrugës, pasi nuk pranonte ta njihte 30 Qershorin, por Partia Socialiste pret që Presidenti të ndryshojë qëndrim pas vendimit nga Gjykata Kushtetuese.
Në 6 bashki pritet që të zhvillohen zgjedhje të parakohshme lokale, Shkodër, Durrës, Vorë, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Nga 6 bashki, Shkodra është e vetmja qe drejtohet nga një kryetare me mandat të përfunduar kushtetues, pasi Voltana Ademi vendosi të qëndroje në detyre, ndërsa 5 bashkitë e tjera vijojnë punën me kryetar të komanduar.
KËRKESA E SHOQATËS SË BASHKIVE TË SHQIPËRISË
1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.
2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.
VAKANCAT NË BASHKI
Valdrin Pjetri, Shkodra, për shkak të dekriminalizimit
Valbona Sako, Durrës, për shkak të dorëheqjes
Agim Kajmaku, Vorë, për shkak të dekriminalizimit
Dionis Imeraj, Dibër, kandidoi për deputet
Haxhi Memolla, Rrogozhinë, ndahet nga jeta
Fatos Tushe, Lushnje, për korrupsion
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)