Sociale

Rriten urgjencat pediatrike, deri në 260 fëmijë në ditë! Mjekja për Report Tv: Shkak virozat e frekuentimi i çerdheve e kopshteve

14 Prill 2021, 14:53| Përditesimi: 14 Prill 2021, 15:02

  • Share

Gjatë muajve të fundit është rritur numri i urgjencave pediatrike në QSUT. Shefja e këtij shërbimi, Numila Kuneshka  tregon se në ditë paraqiten deri në 260 fëmijë, një pjesë e të cilëve kanë nevojë për shtrim spitalor.

“Shikohet që këto dy muajt e fundit ka një rritje të paraqitjes së fëmijëve në urgjencën e pediatrisë dhe ky numër shkon mesatarisht në 200 fëmijë në 24 orë. Arrin edhe shifra 250-260 në ditë dhe kryesisht patologjitë që fëmijët paraqiten janë ato respiratore pra vijnë me temperaturë, kollë, rrufë. Një pjesë e tyre shtrohen në spitalin e pediatrisë, natyrisht që janë me insuficenca respiratore”-u shpreh mjekja.

Një ndër shkaqet e paraqitjes së fëmijëve në urgjencë thotë mjekja janë virozat e stinës.

“Janë virozat e stinës, të cilat janë në këtë periudhë në qarkullim, janë edhe alergjitë stinore që në këtë periudhë zhvillohen akoma më tepër, njëkohësisht mendojmë që mund të jetë edhe paraqitja e fëmijëve, frekuentimi më tepër i çerdheve i kopshteve, që ka qenë pak më i ulët gjatë muajve të mëparshëm dhe tani ka rifilluar frekuentimi më i tepër i këtyre institucioneve”-tha mjekja.

Ndërsa këshillon për përdorim të ushqimeve sa më të shëndetshme, duke eliminuar fast-food, mjekja Numila Kuneshka ka një thirrje për të gjithë prindërit.

“Do theksoja që fëmijët pak më të rritur mundësisht të merren me sa më shumë aktivitete sportive, sidomos periudha e pandemisë shohim një frenim të madh të aktiviteteve sportive dhe shohim fëmijë që na vijnë mbipeshë”-tha Numila Kuneshka.

Mjekja shpjegon se ne shenjat e para prindërit nuk duhet të drejtohen menjëherë në urgjencën pediatrike, por fillimisht duhet të kontaktojnë me mjekun e familjes apo pediatrin e fëmijës.

 

 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?