Me afrimin e stinës së dimrit qytetarët interesohen për të blerë drutë e zjarrit . Një metër kub dru në treg shkon deri në 8 000 lekë. Çmim ky i papërballueshëm për qytetarët elbasanas, e sidomos të moshuarit. Të pyetur nga Report Tv ata thanë se për të kaluar dimrin u duhen 5 metër kub dru.
“Ku blihet një metër kub dru?! Dua të paktën 5-6 metra për këtë vit dhe s’kam asnjë shkop… se si shkojë halli në dimër nuk e di?! Do mbetemi në dyshek”, tha një i moshuar.
“Me dru zjarri do ngrohemi do përpiqemi të kursejmë. 4 metër Kubë më duhen për gjithë dimrin”, u shpreh një tjetër qytetar.
“S’kemi vend ku e vëmë sobën në kala se s’ka tuba. Rrimë në batanije. Kemi një rezistencë të vogël e ndezim gjatë kohës që hamë bukë dhe pastaj rrimë në batanije”, tha një grua.
Nga ana tjetër Drejtoria e Shërbimit Pyjor në bashkitë e Elbasanit tha se këtë vit 1500 familje kryesisht pensionistë të vetmuar dhe familje në nevojë të cilët do të marrin lëndë drusore vetëm me koston e prodhimit.
Përpos ndihmës së bashkisë për këto familje pjesa më e madhe e pensionistëve do të mbesin pa dru zjarri për tu ngrohur kjo e ndikuar nga rritja e çmimit të druve.