Patatja, një ndër produktet që gatuhet më së shumti në familjet shqiptare, sot shitet me 100 deri në 120 lek për kg.
Report TV kreu një vëzhgim në tregjet e Tiranës ku rezulton se çmimi është tejet i lartë edhe pse ka dalë prodhimi i ri nga fushat e Divjakës.
“U rrit përnjëherë 100%. Tani nuk kemi çfarë të blejmë”, u shpreh një qytetar.
Nuk na leverdis. Jam vet i katëri. Marr 400 mijë lekë të vjetra. Me qira jam. Kënaqemi duke i parë. Patatja ka qenë 60 lekë. Dhe 3 kile një mijë lekë. Na thonë janë rritur çmimet tek shumica”, tha një tjetër qytetar.
Jo vetëm konsumatorët, por edhe tregtarët ankohen për çmimin e lartë, ndërsa theksojnë se një vit më para patatja ishte me 60 lek për kg.
“Populli ikën se nuk ka me çfarë ti blejë. Patatja është e Divjakës. 100 lekë me shumicë. Vitet e kaluara, kur del e reja, e vjetra është lirë. Por është shumë lart. Me shumicë e marrim 90 lekë, vjet e merrnim 40 lekë me shumicë”, tha një tregtare.
Report TV bisedoi dhe me fermerët në Divjakë, aty ku çmimi i shumicës është 70 lek për kg.
“Deri tani me 70 lekë. Po ua japim frigoriferëve. Ka edhe nga tregu i brendshëm, grumbulluesit. Për një dynym prisja 40 kuintal. Por do marr deri në 20 kuintal”, tha një fermer.
“Do 4 herë spërkatje. Nuk ke ndonjë përfitim por nuk ke çfarë të bësh. Toka duhet punuar”, tha një tjetër.
Shkak për çmimin e lartë thonë ata është prodhimi i pakët, pasi bimët u dëmtuan nga ngricat në pranverë.
“Është shumë dobët me prodhimin. 60-70 lekë. Pikat e grumbullimit dhe tregu i brendshëm. As 40% të prodhimit nuk marr. Lagështira dhe ngricat i dëmtuan. Në javë do 4 spërkatje 200 mijë lekësh”, tha një fermer tjetër.
Pjesa më e madhe e prodhimit shkon për tregun vendas, dhe një sasi e vogël për eksport.