Porti i Durrësit

Ekonomi

Rritet me 3% transporti i mallrave në porte në 2 muajit e parë të vitit! Pasagjerët udhëtuan më shumë me linjat ajrore

30 Mars 2021, 16:04| Përditesimi: 30 Mars 2021, 16:12

  • Share

TIRANË- Në dy muajit e parë të këtij viti volumi i mallrave të ngarkuara dhe shkarkuara në porte është rritur me 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur vendi nuk ishte nën efektin e pandemisë COVID-19.

Në dymujorin e vitit 2021, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 709,6 mijë ton, duke u rritur me 3,0 %, krahasuar me dymujorin e vitit 2020”, thuhet në raportin e INSTAT, për statistikat e transportit. Ndërkohë në muajin Shkurt 2021, volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 2.725 mijë ton-kilometër, duke u ulur me 7,7 %, krahasuar me Shkurt 2020. Ulje është regjistruar edhe në raport me dymujorin e vitit 2020.

“Në dymujorin e vitit 2021, volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë është 5.397 mijë ton-kilometër, duke u ulur me 10,7 %, krahasuar me dymujorin e vitit 2020”, raporton INSTAT.

Transporti i mallrave si për eksport ashtu edhe për import është në rënie sa i takon tregtisë në rrugë ajrore.

“Në muajin Shkurt 2021, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 123,9 ton, duke u ulur me 30,7 %, në krahasim me Shkurt 2020. Në dymujorin e vitit 2021, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 272,7 ton, duke u ulur me 23,4 %, krahasuar me dymujorin e vitit 2020. Në Shkurt 2021, numri i fluturimeve të kryera është 972 duke shënuar një rënie me 44,5 %, në krahasim me Shkurt 2020”, thuhet më tej në raport.

Konkretisht sipas të dhënave në dymujorin e parë të vitit 2020, mallrat e eksportuara me det zënë 61,5 %, me rrugë 33,7 % dhe me ajër 4,6. Ndërsa mallrat e importuara me det zënë 47,5 %, me rrugë 45,5 % dhe me ajër 2,8 %. Mallrat e importuara me rrugë janë rritur me 11,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Ndërkohë sa i takon pasagjerëve edhe pse në rënie si pasojë e masave të diktuara nga pandemia dhe bllokimit të kufijve ata kanë udhëtuar më shumë me rrugë ajrore sesa me rrugë detare apo tokësore.

“Në Shkurt 2021, numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare është 26.016 pasagjerë. Krahasuar me Shkurt 2020, ky tregues është ulur 34,4 %. Në dymujorin e vitit 2021, kanë udhëtuar me linjë detare 62.248 pasagjerë, duke u ulur me 43,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Në muajin Shkurt 2021, transporti ajror i pasagjerëve zë 74,8 % të transportit gjithsej.  Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në Shkurt 2021 është 71.347 pasagjerë, duke u ulur me 63,2 %, krahasuar me Shkurt 2020. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në dymujorin e vitit 2021 është 158.578 pasagjerë, duke u ulur me 63,9 %, krahasuar me dymujorin e vitit 2020”, thuhet në raport.

(Statistikat e Transportit Shkurt 2021)

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?