Rritet numri i klandestinëve të kapur në Shqipëri! Kryesisht vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme

23 Dhjetor 2020, 19:07| Përditesimi: 23 Dhjetor 2020, 20:36

  • Share

Në 10 muajt e parë të këtij viti janë kapur 11,709 klandestinë, të cilët kanë tentuar të hyjnë apo kanë hyrë në territorin e vendit tonë.

Sipas raportit të Ministrisë së Brendshme, duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë kapur 3069 klandestinë më shumë. Kryesisht pjesa më e madhe e tyre përdorin Shqipërinë si vend tranzit për të kaluar drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ku prej vitesh kanë familjarët.

Pjesa më e madhe vijnë nga Lindja e Mesme, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku. Por ka edhe emigrantë nga Egjipti apo zona të tjera që nuk kanë konflikte lufte, por qëllimi i largimit të tyre është kryesisht ai ekonomik.

Numri në ulje, sipas raportit, ka qenë gjatë tre muajve të karantinës, përkatësisht në muajt prill, maj dhe qershor, ku është shënuar edhe periudha me numrin më të ulët të klandestinëve të kapur në mënyrë të jashtëligjshme në territorin e vendit tonë.

Numri më i lartë është në muajin shtator, konkretisht 1,993, periudhë që përkon me normalizimin e lëvizjeve, kryesisht në kufi. Kapja e emigrantëve është si rezultat i kontrolleve të policisë në bahskëpunim me Frontex në pikat kufitare.

Shumë prej emigrantëve që vijnë nga vendet e lindjes kërkojnë azil politik në Shqipëri. Kjo bëhet për qëllimin e tyre për të përfituar sa më shumë kohë qëndrimi në vendin tonë dhe më pas arratisen në mënyrë ilegale në drejtim të Malit të Zi ose në Kosovë, me destinacion final Evropën Perëndimore.

Ndërkohë ende nuk është miratuar projektligji përmes të cilit do të forcohet dhe të intensifikohen kontrollet në kufi si dhe do të bëhet seleksionim për të gjithë ata persona që kërkojnë azil duke u nisur nga vendi i tyre i origjinës, nëse vijnë apo jo nga zona lufte. Vetëm gjatë vitit 2019 ishin 6,604 klandestinë që kërkuan azil në Shqipëri.

1,190 -   janar
1,726 - shkurt
1,180 -   mars
171 -        prill
415 -        maj
923 -  qershor
1,169 -  korrik
1,450 -  gusht
1,993 - shtator
1,492 -    tetor
11,709 - 2020
8,640 -   2019

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?