Ekonomi

Rritja e çmimeve rrezik për ekonominë, Sejko: Shtrenjtimi do të jetë kalimtar! Në 2022 stabilizojmë politikën monetare

3 Nëntor 2021, 18:36| Përditesimi: 3 Nëntor 2021, 19:12

  • Share

Përmirësimi i situatës ekonomike si dhe konsolidimi i mëtejshëm i saj, sipas Bankës së Shqipërisë do të kërkojnë kthim në normalitet të masave mbështetëse që janë marrë që prej 2020, siç është ulja e normës bazë të interesit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha në konferencë se reduktimi i stimulit monetar do të garantoj rritje të qëndrueshme ekonomike.

“Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se materializimi i skenarit bazë – ai i konsolidimit të mëtejshëm të rimëkëmbjes dhe forcimit të presioneve të brendshme inflacioniste – do të kërkojë normalizimin gradual të politikës monetare gjatë tremujorëve në vijim. Po ashtu, përmirësimi i gjendjes së likuiditetit në sektorin bankar do të mundësojë adoptimin e formës tradicionale të ankandeve të injektimit të likuiditetit në sektorin bankar, duke filluar nga tremujori i parë i vitit të ardhshëm. Reduktimi gradual i stimulit monetar do të garantojë respektimin e objektivit tonë të inflacionit dhe do të krijojë premisa për një rritje më të qëndrueshme ekonomike në afatin e mesëm e të gjatë”, tha guvernatori Sejko.

Edhe pse pranoi se ekonomia e vendit është përmirësuar në 6 mujorin e parë të këtij viti, guvernatori Sejko tha se rritja e çmimeve dhe mungesa e konsolidimi janë rreziqet kryesore të ekonomisë së vendit.

“Një rritje më e shpejtë apo më e gjatë në kohë e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe një ritëm më i ngadaltë i konsolidimit fiskal, përbëjnë rreziqe të kahut të sipërm mbi inflacionin. Nga ana tjetër, një rimëkëmbje më e ngadaltë e ekonomisë botërore përbën rrezik të kahut të poshtëm mbi inflacionin”, tha guvernatori.

Edhe pse çmimet konsiderohen rrezik, guvernatori i qëndroi deklaratës së mëparshme që ky shtrenjtim do të jetë kalimtar.

“Efekti i goditjeve të ofertës në inflacion pritet të jetë i pranishëm dhe gjatë tremujorit aktual dhe gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, e të vijë në shuarje gjatë periudhës në vazhdim. Ky gjykim bazohet në konsensusin e analizave të institucioneve ndërkombëtare dhe pritjet e tregjeve. Sipas këtij konsensusi, çmimet e naftës, të energjisë dhe të produkteve ushqimore, pritet fillimisht të stabilizohen e më pas të reduktohen gjatë vitit 2022, çka do të zvogëlojë presionin mbi kostot e prodhimit në vend dhe çmimet e konsumit”, pohon Sejko.

Ndërkohë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka lënë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5% dhe ka lënë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, respektivisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?