Vetëm pak orë para se të niste seanca plenare, e para për këtë legjislaturë, Lulzim Basha publikoi në media një deklaratë që e përjashtonte Sali Berishën, liderin historik nga grupi parlamentar. Si e lexoni këtë taktikë të Bashës?
Ishte afati i fundit që kishin vënë ndërkombëtarët për qëndrimin ndaj Berishës. Këtë fakt e ka pranuar dhe vetë Basha në mbledhjen e kryesisë së PD ku ka argumentuar arsyet pse ka mbajtur si qëndrim përjashtimin e ish-liderit nga grupi parlamentar. Realisht Basha nuk ka pse gjykohet keq për vendimin që mori, pra që i hoqi PD-së një peshë të madhe për të mos përkeqësuar më tej marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Mendoj se Basha mund të gjykohet pse vajti deri në zgrip të afateve kohore dhe që ish kaq i pafuqishëm ndaj trysnisë që i vinte nga ana e Berishës. Gjithkush me kontributet në politikë e ka të qartë se ky ishte vendimi i vetëm që mund të merrte Basha. Dhe kjo jo thjesht në interes të karrierës së vet, por në interes edhe të partisë që ai drejton. Elementi i dytë dhe që tërheq vëmendje është se ky mbeti një qëndrim individual përjashtimi dhe jo si vendim i forumeve të partisë. Prej kohësh, ndërsa vetë Basha nuk po shprehej. Nga media i kërkohej që së paku kjo çështje duhej të ish shtruar në analizë nga organet drejtuese të PD. Por kjo nuk ndodhi, dhe duket se Basha ka patur frikë se dhe në këto forume Berisha do të dilte me përkrahje më të madhe se vetë ai. Nga ana tjetër, në konceptin e Bashës, shtrimi për gjykim në forumet e partisë të çështjes Berisha, mund të rrezikonte përcarjen e partisë dhe krijimin e grupeve kundërshtare brenda saj. Në këtë gjykim, Basha mori një vendim që është në të mirë të PD. Padyshim që ky lajm ka elementë ku shumë demokratë ndihen të prekur emocionalisht për çka simbolizon figura e Berishës tek ta, por sidoqoftë, mendoj se zërat kundërshtarë do të nisin të zvogëlohen gradualisht. Në fund të fundit, mbështetja e çështjes Berisha ishte një peshë e rëndë prej nga PD duhej të ndahej. Dhe në këtë aspekt, shumë prej politikanëve në PD, pavarësisht nëse e pëlqejnë Bashën apo jo, mendoj se ndihen të lehtësuar që Basha ua hoqi si peshë Berishën. Gjithësesi vendimi mund të hapë dhe spirale të tjera. Spirale ngjarjesh ku do të ndërthuren interesat si të atyre që mbeten përkrahës të pandryshuar të Berishës, ashtu edhe të figurave të tjera, që pavarësisht se nuk u dhemb shumë për Berishën, kanë një pakënaqësi me Bashën dhe synojnë ta shfrytëzojnë ketë moment si mundësi për imponim dorëheqjeje të kryetarit aktual, çka do të hapte dhe një garë të re për lidershipin e PD.
Vendimi që mori Basha pas lënies mbi tavolinë të “Urdhrit” të SHBA për përjashtim e Berishës e lexoni se ndodhi pa dijeninë e Berishës apo ai ishte në dijeni për vendimin e Bashës? Kujtojmë që Berisha tha se është njoftuar 30 minuta para daljes së vendimit në media?
Pak rëndësi ka fakti nëse ka patur dijeni apo jo Berisha për vendimin e Bashës. Gjykimi që po i bëhet mediatikisht çështjes është sikur problemi kryesor është Berisha. Ndërkohë që mendoj se problem kryesor është PD dhe jo Berisha. Ish-lideri i PD e ka marrë goditjen prej kohësh dhe fati i tij politik duket i vulosur që kur u shpall non grata nga departamenti i Shtetit. Tashmë çështja është se çdo të bëhet me PD dhe cili do të jetë fati i saj politik. Pra a ka më shumë hapësira për vepruar pa peshën e vendimit të Berishës, dhe si mund ta shfrytëzojë për të ndërtuar të ardhmen e saj këtë moment.
Duhet thënë se rreziku i përçarjes ishte më evident ama nëse do të mbahej një qëndrim mbrojtës ndaj ish kryeministrit Berisha. Kjo jo vetëm do të ftohte përfundimisht marrëdhëniet me ndërkombëtarët, duke e lënë të zbrazët praninë e PD në tryezat e bisedimeve e të bashkëpunimit, por njëkohësisht do të sillte dhe një reaksion tjetër zinxhir. Shumë nga deputetët e rinj, qoftë për pragmatizëm apo dhe pse janë në fillimet e karrierës së tyre politike, nuk mund të pranojnë që ardhmëria e tyre në politikë të mbetet peng prej një qëndrimi mbështetës për Berishën. Një pjesë e tyre janë aktivë pas vitit 2013 dhe pak gjëra i lidh direkt me Berishën. Ndaj mund të parashikohej që vetë grupi parlamentar i PD të ndahej në dy pjesë. Në këto kushte vetë pesha e opozitës do të binte dhe beteja e saj kryesisht do t ëish e brendshme sesa do të drejtohej kundër maxhorancës. Nga ana tjetër mund të parashikohej lehtësisht që grupi i ri që do të ndahej nga trashëgimia e berishës do të kish një mbështetje dhe nga ndërkombëtratë çka do të shtonte dhe peshën elektorale të tyre në betejat zgjedhore të ardhshme. Kjo gjë do të çonte që PD të mos ish më forca më e madhe e opozitës dhe me diferencë të thellë nga të tjerët. Dhe kjo do të shënonte dhe fundin e saj si një parti që e ka mbaruar misionin e vet.
Si mendoni se do e ketë punën në parti Basha, jo vetëm me deputetët por edhe me bazën?
Mendoj se Basha është më i avantazhuar në këtë betejë. Pavarësisht aspektit emocional të fillimit të përkrahësve të Berishës, mendoj se gjërat do të kthjellohen gradualisht. Dhe sa më shumë koha do të kalojë, ajo do të jetë në favor të Bashës. Ndonëse Berisha ka shpallur luftë ndaj tij, beteja kryesore e tij nuk mbetet PD-ja por çështja e vendimit ‘non grata’ të shpallur ndaj tij. Ndaj 3 gjithë kjo është harxhim energjish dhe krijimi i një fronti beteje që nuk i vlen aspak. Berisha nuk mund të tentojë të rivije në krye të PD, vetëm thjesht të hakmerret ndaj Bashës e të vendosë një figurë tjetër të tutëluar prej tij. Por një PD e drobitur pak punë do ti vlejë.
Nga ana tjetër, kush është më pak emocional dhe më i ftohtë në arsyetim, e kupton qartë se vendimi i Bashës për ndarjen nga Berisha është rruga e vetme që PD të mbijetojë. Rruga e Berishës nuk ka asnjë ardhmëri politike dhe mbështetja për të do të ish vetëvrasje politike. Ndaj një sërë figurash në PD duket se janë të rezervuar dhe preferojnë aktualisht heshtjen dhe mosprononcimin deri sa të kalojë kjo fazë emocionaliteti dhe dashurie ndaj Berishës. Gjithsesi PD-së i duhet të hyjë në një fazë ridimensionimi të saj dhe natyrisht kjo kërkon dhe kohën e vet. Por do të ish mirë që kjo fazë të mos përzihet dhe të mos ketë lidhje me çështjen Berisha .
Berisha e quajti Bashën “vegël mjerane të Ramës” ose e thënë ndryshe një bashkëpunëtor i Ramës duke shkërmoqur partinë. Si e shihni ju këtë akuzë?
Akuza për tradhti e marrëveshje me kundërshtarët janë bërë bajate në politikën shqiptare. Në rastin konkret Basha është kreu i PD dhe opozitës. Në këtë lartësi që ka arritur dhe me mbështetjen e Berishës, nuk ka se kë të shesë përveç interesave të vetvetes, çka do të ish absurditet. Ndaj dhe akuzat e Berishës sot bëhen shumë të pabaza kur deri dje, e mbronte Bashën nga çdo akuzë për paaftësi apo gabime në drejtimin e fushatës elektorale.
Kush mendoni se janë hapat që Berisha do ndërmarr sepse ai po lexohet që do të rrëzojë Bashën si kryetar?
Berisha është shumë i lexueshëm në veprimet e tij pasi në rasrtin konkret po luan në gjaknxehtësi e sipër. Mendoj se ai ka pritur të ketë më shumë mbështetje nga anëtarësia dhe që kundërshtia ndaj vendimit të Bashës të mos mbetje në reagimin e 50 ithtarëve që demonstruan në parlament. Fakti që Berisha po mendon ti drejtohet bazës së PD vjen sepse po kupton se Basha u përkujdes që të tregohet i shpejtë dhe të arrijë mbështetjen nga shumica në forumet drejtuese. Gjithsesi vërehet se mbështetja ndaj Berishës duket vetëm si angazhim në rrjete sociale sesa në realitet. Nuk ka patur asnjë demonstrim nga anëtarësia e PD nëpër rrethe në mbështetje të Berishës. Pra vendimi i Bashës nuk ka prodhuar ndonjë reagim. Gjithçka deri tani ka qenë pasive dhe shumica është thjesht në pritje të zhvillimeve që do të ndodhin.
Basha do të jetë “i vetëm me grupin e tij”, apo nëse rrezikohet vërtetë mund të ketë sërish ndërhyrje nga SHBA që Berisha të ketë larg duart nga drejtimi i partisë?
Basha aktualisht mbetet kryetar i PD dhe nëse kalohet kjo vala e parë do të arrijë të forcojë ndjeshëm dhe dukshëm pozitat e tij në PD. Natyrisht që vendimi ndaj Berishës ka një kosto dhe kjo mund të ketë ndikim elektoral. Por gjithsesi, gjithçka varet se sa kohë do të marrë lufta e brendshme në PD. Nëse ajo do të zgjate , plagët do të jenë të thella. Nëse lufta mbaron shpejt, atëherë varet nga lidershipi që në kushtet e reja të arrijë të reformojë partinë në mënyrë që ajo të bëhet e besueshme në elektorat. Pavarësisht se si do të rrjedhin ngjarjet, sidoqoftë duket se do të kemi muaj me plot aktivitet politik dhe të papritura./Fjala.al