Banorët e dy fshatrave në Memaliaj protestuan këtë të premte para Bashkisë për mungesën e investimeve në infrastrukturë. Ndonëse u kishte premtuar, kryetari i Bashkisë Gjolek Guci nuk ka zhvilluar takim me banorët.
“Që kur ka marrë detyrën kryetari jemi ankuar dhe rruga nuk është bërë. Erdhem dhe sot për ta takuar, se kishim folur më parë dhe na kishte thënë hajdeni se është ditë pune, por sot nuk e gjejmë në zyrë”, u shpreh një banor.
Nëse nuk asfaltohet rruga ata kërcënojnë me bojkot të zgjedhjeve lokale të 14 Majit. Banorët u shprehen të zhgënyer dhe me premtimet e deputetit të zonës Laert Duraj.
“Mendimi ynë i gjithë fshatarëve është të mos pranojmë kutitë e votimit”.
“Jemi mësuar me premtime, na kanë gënjyer! Nëse nuk nis puna për rikonstruksionin e rrugës nuk dalim fare në votime”, thanë ata.
Në fshatrat Allkomemaj dhe Levan që shtrihen në skajin verior të Memaliaj jetojnë afro 300 banorë. Disa prej tyre thanë se nëse do ndryshojë harta territoriale do të kërkojnë të kalojnë në varsi të bashkisë Mallakastër.