Rrugëtimi politik i Lulzim Bashës, fitorja e vetme në 2005, si e mori PD-në me 39 % dhe e çoi në 13 %, loja e Metës që e rrëzoi si kryetar opozite

21 Mars 2022, 18:45| Përditesimi: 21 Mars 2022, 18:49

  • Share

Lulzim Basha ka dhënë sot dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike pas humbjes dramatike në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022, duke mos e mohuar mundësinë e rikandimit. Lulzim Basha u shfaq në politikën shqiptare si pjesë e Komitetit të Orientimit të Politikave në PD, një lëvizje kjo e ndërmarrë nga Berisha, për të afruar të rinjë në parti. Mbetet mister se kush ishte njeriu që futi Lulzim Bashën në rrethin e besimit të Berishës, ndërsa nuk kanë munguar zërat se Basha ishte propozim i Argitës, të bijës së Berishës.

Në vitin 2005, Basha u zgjodh deputet në Qarkun e Elbasanit, duke mundur kandidatin e PS-së, Arben Ahmetajn. Kjo është edhe fitoja e parë dhe fundit e ndonjë gare elektorale nga Lulzim Basha.

Nga viti 2005 deri në vitin 2011, Lulzim Basha, me bekimin e Berishës, mbajti postet e ministrit të Transporteve, më pas të ministrit të Jashtëm dhe në fund atë të Brendshëm, poste të cilat u shënjuan nga afera me rrugën Durrës-Kukës, marrëveshja e detit dhe 21 Janari.

Në vitin 2011, Lulzim Basha kandidoi përballë Edi Ramës për Bashkinë e Tiranës, duke humbur për 9 vota. Më pas u sajua skenari i votës në kutinë e gabuar dhe KQZ-ja me në krye Arben Ristanin nxori fitues Bashën. Ky i fundit u kritikua fort se nuk bëri asnjë punë gjatë 4 viteve në krye të Bashkisë së Tiranës, funksion nga i cili doli edhe batuta e ‘gjumit’.

Pas humbjes së PD-së në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013, Sali Berisha dha dorëheqjen. Lulzim Basha, me mbështetjen e hapur të Sali Berishës dhe familjes së tij, kandidoi përballë Sokol Olldashit për kreun e PD-së në korrik të vitit 2013. Basha fitoi përmes një procesi zgjedhor, i cili u denoncua nga Olldashi si e manipuluar.

Në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, me në krye Berishën, PD-ja kishte marrë 30 % të votave si parti dhe 39 % të votave bashkë me aleatët.

Zgjedhjet lokale të 2015 shënuan humbjen e parë të PD-së me në krye Lulzim Bashën. PD-ja humbi të gjitha bashkitë e mëdha, me përjashtim të Shkodrës. Më pas, PD-ja ka humbur edhe dy palë zgjedhje të pjesshme lokale, në Dibër dhe Korçë. PD-ja humbi thellë zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017. Humbja lëkundi pozitat dhe besimin tek Basha, por mbështetja që i dha Sali Berisha ishte vendimtare për të qëndruar në krye të PD-së.

Partia Demokratike bojkoti zgjedhjet lokale të 2019, duke dorëzuar 60 nga 61 bashkitë. PD-ja me në krye Lulzim Bashën humbi edhe zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Humbja shtoi kritikët dhe lëkundi më tej pozitat e Bashës, por mbështetja e Sali Berishës ishte edhe një herë vendimtare për qëndrimin e tij në krye të PD-së, përmes garave të brendshme të diskutueshme dhe të denoncuara si të manipuluara nga rivalët, këtë herë nga Eduard Selami.

Pozitat e Lulzim Bashës u rrezikuan seriozisht vetëm kur u distancua nga Sali Berisha pasditen e 9 shtatorit 2021, me kërkesë ultimative të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo vendimmarrje e vështirë, për t’u distancuar nga Berisha i ‘listës së zezë’, është edhe shkaku i dorëheqjes së Bashës.

Përplasja me Berishës ndau PD-në në dy pjesë, me Kuvende dhe statute paralele, shkarkime të dyanshme, struktura dhe kryetarë paralelë. Teksa konflikti dukej pa zgjidhje, në ndihmë Berishës i erdhi aleati i tij Ilir Meta, i cili pas gati dy vitesh bllokadë, dekretoi zgjedhjet lokale të 6 marsit 2022.

Me këtë lëvizje, 6 marsi u kthye në një betejë elektorale mes Berishës dhe Bashës, pra në një test se cili kishte shumicën në parti. Sali Berisha mori 31 % të votave në 6 bashki, bashkë me LSI-në e Ilir Metës. Lulzim Basha mori 13 % të votave. Zgjedhjet treguan se Berisha kishte shumicën në PD. Mbetet për t’u parë nëse dorëheqja e Bashës do të fuqizojë dhe bashkojë PD-në apo do të shënojë fillimin e fundit të saj si forcë politike.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?