Sa kollaj arrestohen mjekët

17 Nëntor 2011, 15:30| Përditesimi: 21 Nëntor 2011, 09:17

  • Share
Mbetet një problem i madh e shumë serioz në shoqërinë që kemi ndërtuar: Drejtësia nuk është e njëjtë për të gjithë e derisa kjo të jetë kaq e dukshme dhe agresive, përditë i afrohemi gjithnjë e më shumë çoroditjes.
Jemi dëshmitarë se me ç’metoda spektakolare, të bujshme, i ofrohen medias arrestime mjekësh apo titullarësh të një niveli të mesëm apo të ulët në Shqipëri dhe jemi gjithashtu dëshmitarë, në të njëjtën kohë, se çfarë ndodh me hetimet, pa shkuar në arrestime, me njerëz të përfshirë në skandale, përgjime, video në rrang ministrash apo njerëzish pranë Qeverisë.
Një nga hetimet më të vështira në botën e krimit, është ai i verifikimit nëse një pacient vdiq për shkak të pakujdesisë së mjekut apo për shkak të ndërlikimeve që mund të ndodhin papritur në një patologji. Në Shqipëri, për ekspertët shqiptarë, kjo rezulton më e lehta dhe si rrjedhojë, konkluzioni i menjëhershëm. Fare qartë janë parë dhe rastet e korrupsionit mes bluzave të bardha. Për shembull një video që filmonte një mjek duke marrë parà në mënyrë të paligjshme, nuk është vënë asnjëherë në dyshim nga prokuroria e gjykata. Problemi është me disa video të tjera që arrijnë deri te njerëzit e Qeverisë dhe pranë saj.
Në vendin tonë, këto ditë, jemi dëshmitarë se si teknicienët shqiptarë dinë t’u japin përgjigje çështjeve të ndërlikuara siç është një hemoragji e brendshme, arsyet e vërteta të ndodhjes së saj, por nuk arrijnë dot të shohin mirë një video të regjistruar dhe gjithashtu të dëgjojnë mirë, fjalë të regjistruara e të treguara publikisht. Eshtë shumë e lehtë të arrestosh në Shqipëri mjekë e specialistë që masin karburantet. Ata janë të çarmatosur. Aty. Problemi mbetet me të paprekshmit e politikave që gjenerojnë korrupsion dhe padrejtësi. Deri tani, në Shqipëri, vazhdon të jetë e paprekshme kupola e këtyre politikave. Edhe pse, më shumë së një herë, është kapur në flagrancë duke bërë krim.

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?