Studentët e Mjekësisë

SAPERE AUDE! Edhe një herë për studentët e mjeksisë, qeverinë dhe parlamentarët tanë

10 Korrik 2023, 14:50| Përditesimi: 10 Korrik 2023, 14:53

  • Share

Ka njerëz, të cilët projektligjin që pritet të miratohet në kuvend për t’i detyruar studentët që diplomohen në mjekësi të punojnë deri në pesë vite në Shqipëri, pa u lejuar brenda kësaj periudhe kohe ta ushtrojnë profesionin e tyre jashtë vendit, e konsiderojnë si një masë ligjore të drejtë, si një dispozitë ligjore provizore, kushtëzuar nga gjendja kritike në sektorin e shërbimit tonë shëndetsor.

Unë mendoj se një dispozitë e tillë ligjore, qoftë edhe provizore, do të ishte jo vetëm e padrejtë (sepse bie ndesh me liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve), jo vetëm e kundërligjshme (nëse nuk amendohet më parë ligji aktual për arsimin e lartë), por edhe joefektive. Pyetjet, të cilave qeveria dhe parlamentarët tanë do të duhet t’u japin përgjigje para se të vendosin ta votojnë (me kaq ngut dhe në mes të një vere kaq të nxehtë) një dispozitë të tillë ligjore janë këto:

(1) A do të ketë Shqipëria më shumë mjekë pas pesë vitesh?

(2) A do të kenë studentët e mjeksisë (dhe të të gjitha fushave të tjera) kushte më të mira jetese e studimi, se sa këto që kanë sot, pesë ose dhjetë vite më vonë?

(3) Në vijim të pyetjes së mësipërme, a do jenë mjekët që do formojë universiteti shqiptar në këto pesë, dhjetë, ose pesëmbëdhjetë vitet e ardhëshme më të mirë se sa këta që diplomohen dhe shërbejnë sot në vendin tonë?

(4) A do munden paga disa përqind më të larta, ose edhe një apo dy herë më të larta se sa këto të sotmet t’i motivojnë mjekët e rinj dhe ata me përvojë të mos largohen nga vendi?

(5) A do të jetë një dispozitë ligjore detyruese, si kjo që propozohet (detyruese sepse nuk bëhet fjalë për një kontratë që lidhet me pëlqimin e të dyja palëve, shtetit dhe studentit) vërtet provizore? Provizore për sa kohë? E përkohëshme deri kur?

(6) Nëse po, çfarë është menduar nga qeveria të bëhet më tej, si një strategji afatmesme dhe afatgjatë, për t’i dhënë fund hemoragjisë së mjekëve (dhe jo vetëm të mjekëve)?

(7) Ka apo s’ka një strategji shtetërore, kombëtare, për këtë? Me fjalë të tjera, nëse duam të evitojmë një pasojë të padëshiruar dhe t’i japim zgjidhje një problemi të madh shoqëror–dhe komnëtar– duke i detyruar mjekët tanë të sapodiplomuar të punësohen për tre deri në pesë vite në vend, a e përmirëson kjo masë shtrënguese shërbimin shëndetësor te ne, a e lehtëson gjendjen e krijuar nga migrimi i një pjese të mjekëve jashtë vendit, a i përmirëson cilësinë e specializimit të tyre profesional, kushtet e punës e të jetesës së tyre në vend, a krijon stimuj domethënës që ata të qëndrojnë në Shqipëri?

Pra, a e zgjidh një masë shtrënguese si kjo problemin që realisht ekziston? Apo kjo masë është thjesht një përpjekje “laissez-faire” e momentit për “zgjidhjen” e një problemi, i cili, në të vërtetë, nuk mund të zgjidhet në këtë mënyrë deturuese?

(8) A janë studjuar me vemendje e në mënyrë të gjithanshme shkaqet e dukurisë që duam të mënjanojmë këtej e tutje dhe çfarë pritshmërish ka qeveria për rezultatet që eventualisht mund të japë një masë e tillë? I dimë të gjitha këto? I dinë parlamentarët tanë, që do e votojnë këtë dispozitë ligjore, një pjesë e madhe e të cilëve dyshoj nëse kanë prekur një libër me dorë pasi janë bërë “përfaqësues të popullit”, të gjitha këto?

(9) A është menduar–dhe çfarë është menduar–për rezultatet e padëshiruara që mund të shkajtojë një masë e tillë shtrënguese? Fjala vjen, a mund të ndodhë që, për t’iu shmangur një detyrimi të tillë ligjor, të bjerë numri i maturantëve që do të aplikojnë këtej e tutje të studiojnë në Universitetin e Mjekësisë dhe të shtohet numri i aryre që do të duan të studiojnë për mjekësi në ata universitete privatë që ofrojnë programe studimi dhe diploma në këtë fushë, ndaj të cilëve qeveria nuk mund të imponojë një masë shtrënguese të tillë?

Apo, ç’rëndësi kanë të gjitha këto. Mjaft që të mos rrimë pa bërë diçka, edhe nëse ajo që bëjmë mund të mos jetë gjëja e duhur, ose, edhe më keq, mund të jetë e gabuar dhe me pasoja. Ajo çfarë dua të them me sa parashtrova më sipër është kjo.

Të mos nxitohemi me masa shtrënguese të pamenduara mirë, të pakonsultuara paraprakisht sa më gjerë me ekspertë të mirënjohur të fushës së mjeksisë, të arsimit të lartë dhe të drejtësisë, pa bërë llogari dhe plane që shkojnë përtej pesë ose dhjetë viteve të ardhshme.

Ajo çka mund të duket si një “zgjidhje” për momentin mund ta shtyjë në kohë e ta vështirësojë zgjidhjen e vërtetë të problemit. Pa një strategji zhvillimore në këtë fushë (si dhe në çdo fushë tjetër) të menduar mirë, që të synojë rezultate të dëshiruara dhe t’i mundësojë realisht këto rezultate, nuk mund të ketë zgjidhje të njëmendta dhe afatgjata të problemit, por arnime të pjesëshme me masa provizore, joefektive të një problemi që, edhe me këto masa–madje, ndoshta, pikërisht për shkak të tyre–mund të agravohet më tej.

Kjo do të bënte që sistemi të dobësohet e të përkeqësohet më tej, duke i bërë më të mëdha kostot dhe më të vështira mënyrat e ndërhyrjes për ta mbajtur në këmbë atë. Edhe pse mund të mos jetë–dhe nuk është–shembulli i duhur për të bërë një krahasim, politika nataliste “One Child” e aplikuar në Kinën komuniste në vitin 1980 për t’i gjetur një zgjidhje ritmit të rritjes së popullsisë në atë vend, që qeveria kineze e shihte si shumë të shpejtë, ndoshta ndihmon të kujtojmë rëndësinë që ka planifikimi strategjik në zgjidhjen e problemeve dhe zhvillimin e çdo vendi, pra edhe të vendit tonë.

Gjatë më shumë se 3 dekadave të implementimit të asaj politike nataliste, miliona të rinj kinezë dhe çifte të reja, kryesisht të mirëarsimuar dhe nga qytetet më tē zhvilluar të vendit, e lanë Kinën për të jetuar e punuar diku tjetër, kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe në Europën Perëndimore, ku mund të sillnin në jetë më shumë se një fëmijë.

Kur ajo politikë u shfuqizua në vitin 2016, Kina ishte një ndër pesë vendet me popullsinë më të plakur në botë. Pasojat e një dukurie të tillë demografike janë të njohura për këdo dhe, si kudo, edhe në Kinë, po shfaqen qartë në rënien e dukshme të rritjes ekonomike të atij vendi, nga 10 deri mbi 14% në vitet1992-2007, në më pak se 7 dhe 6% në mesin e viteve 2010 dhe në 2.5% më 2020.

Shembulli i mësipërm nuk ka të bëjë aspak me problemin e mjekëve të rinj shqiptarë por, nëse dëgjojmë Kantin, duhet të grishemi të bëjmë pikërisht atë çka ai e konsideronte si moton e Iluminizmit, formuluar në aforizmin latin: “Sapere aude!” (Guxo të vësh në punë mendjen tënde).

Me fjalë të tjera, të mos veprojmë pa u menduar mirë, pa u iluminuar më parë!

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?