Saranda nis sezonin veror me rezervime të pakta! Operatorët: Pushuesit kërkojnë apartamente të lira

31 Maj 2022, 20:46| Përditesimi: 31 Maj 2022, 20:53

  • Share

Sezoni veror në Sarandë është çelur dhe këta fëmijë po i gëzohen më së shumti rrezeve të diellit dhe kaltërsisë mbresëlënëse të Jonit. Në plazhin publik përgjatë lungomares gjen kryesisht pushues vendas dhe nga Kosova, ndërsa turistët e huajt janë të paktë. Operatorët turistikë thonë se po ndihet mungesa e turistëve nga vendet e lindjes, si ukrainasit dhe bjellorusët që vitet e shkuara popullonin Sarandën që në Maj.

"Saranda e fillon sezonin me mungesë e të huajve. Prenotimet janë të vogla, pushuesit kanë qenë ukrainas dhe bjellorus. Numri i turistëve të huaj aktualisht është i papërfillshëm", shprehet Genci Ahmeti.

Sa i përket çmimeve në hoteleri, Genci Ahmeti thotë se nuk kanë ndryshuar nga viti i kaluar.

"Çmimet njësoj si vitin e kaluar 25 euro për person me mëngjes darkë dhe fjetje. ndërsa për gushtin 35 euro për person (të gjitha të përfshira). Shpresojmë me ngritjen e temperaturave të rriten rezervimet", vijon ai.

Sipas menaxheres së turizmit, Blerina Doka më shumë interes ka për apartamente me qira se sa për hotele e resorte.  Çmimi, thekson ajo, është faktori kryesor që ndikon në numrin e rezervimeve.

"Apartamente familjare (për 4 persona) me çmime që nisin nga 20 euro e lart në varësi të kushteve. Këtë vit rezervimet kanë ndodhur më herët, por nuk ka qenë bum, kemi pasur shumëllojshmëri kërkesash. Niveli i rezervimeve? Nuk ka masive por janë të kënaqshme. Për rezervimet familjare, apartamentet kanë më shumë interes sepse çmimi është faktori kryesor në numrin e rezervimeve", thotë Blerina Doka, menaxhere e platformave Airbnb & Booking.

 Saranda bashkë me Ksamilin në të gjithë vijën bregdetare kanë rreth 140 stacione plazhi që menaxhohen nga operatorët privatë, ndërsa vija bregdetare brenda qytetit është plazh publik pa pagesë që ofron pastërti dhe siguri.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?