Në hyrjen e qytetit të Sarandës, nga Metoqi deri në rrugën plazhin e Centralit mungojnë plotësisht mbikalimet për këmbësorët. Bëhet fjalë për një segment rrugor prej më shumë se 2 km ku për këmbësorët nuk kanë asnjë vendkalim dhe për kalimin nga njëra anë e rrugës në tjetrën rrezikojnë jetën e tyre nga automjetet.
Banorët shprehen se janë të shumta rastet ku këmbësorët rrezikojnë të aksidentohen nga automjetet gjatë kalimit nga njëra anë e rrugës në tjetrën.
“Shumë problem e kemi. Këtu kalojnë nxënësit e shkollave, kalojnë njerëzit për të shkuar në shtëpi. Jo vetëm nuk ka mbikalim, por as vija të bardha. Detyrohemi të ecim në mes të makinave. Rreziku është I madh”, tha një banor.
Banorët thonë se kanë ngritur shqetësimin për këtë problem në bashkinë e Sarandës, por pavarësisht ankesave të tyre asgjë nuk është bërë për zgjidhjen e problemit.
“Disa here kemi bërë ankesa në bashki, por asgjë nuk kanë bërë. Edhe vijëzimet i bëjnë vetëm për korsinë e makinave jo për kalimtarët”, tha një tjetër banor, duke theksuar se ndërhyrja në këtë segment duhet të jete emergjente.
Gjatë vëzhgimit të Report Tv në Qafën e Gjashtës pamë këmbësorë të shumtë që rrezikuan të aksidentohen gjatë kalimit të rrugës.