Në suazën e problematikave ku e ka futur Partinë Demokratike dhe opozitën Lulzim Basha, nga disa syresh, analistë politikë e jo vetëm, po shihet e arsyeshme që të ndryshohet sistemi zgjedhor. Bëhet fjalë për sistemin aktual, i miratuar në vitin 2008 si pjesë e marrëveshjes politike PD-PS dhe i vënë në zbatim në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.
Ka një ide se sistemi aktual është i gabuar dhe që deformon votën, që i dëmton partitë e vogla apo ato të themeluara rishtaz. Për këtë foli së fundmi edhe kryedemokrati Lulzim Basha, në një nga atyre prononcimet që i bën pa pikë serioziteti kur bëhet fjalë për çështje me kaq rëndësi.
Deri në vitin 2005 kishim sistemin mazhoritar dhe pjesërisht proporcional. Nuk ka sistem më deformues të votës se sa ai që zbatohej atëherë. Deri në atë vit 100 deputetë zgjidheshin në përballje direkte nga votat e popullit, kurse 40 të tjerë futeshin nga lista e partive sipas një renditje në rang kombëtar.
Gjëja më absurde që ekzistonte ishte se dy partitë më të mëdha, PS e PD, ishin të përjashtuara me ligj të fusnin deputetë nga këto lista pavarësisht votave që merrnin. Pra, PS-ja e PD-ja kishin të drejtë të votoheshin si parti, por vota e elektoratit ndaj tyre shumëzohej me zero.
Në këto kushte, liderët e atëhershëm, Nano e Berisha, u bënin thirrje elektoratit anembanë Shqipërisë që në mazhoritar të votonin kandidatët respektivë të partive të tyre, kurse në proporcional votën t’ia jepnin partive aleate. E padëgjuar kund kjo metodë, që t’i thuash elektoratit tënd: mos e voto partinë time.
Ai sistem ishte bërë i tillë që dy partitë e mëdha të ndesheshin vetëm në mazhoritar, kurse proporcionali i ishte dhënë ekskluzivisht partive të vogla duke i trajtuar sikur të ishin pakica kombëtare që duheshin mbajtur me kimet. Deformim më të madh se ky dhe tallje më të madhe se sa kjo që mund t’i bëhej elektoratit të PS-së e PD-së nuk mund të gjendej.
Dhe sipas atij sistemi zgjedhor, rezultati ishte i tillë deri në absurditet. Partia e parë fituese në Shqipëri në vitin 2005 rezultoi partia e Fatmir Mediut me 19.96% të votave, e dyta partia e Skënder Gjinushit me 12.74% të votave, e treta PS me 8.89%, e katërta LSI me 8.4%, e pesta vinte PD me 7.67%, e gjashta partia e Genc Pollos me 7.42%, e kështu me radhë.
Kësisoj, parti lilipute me kryetarë xhuxhmaxhuxhë, nisi t’u hyjë vetja në qejf se ishin bërë shumë të mëdha, aq sa po linin pas në renditje dy partitë tradicionale. Me votat e zgjedhësve të këtyre dy partive ato u futën në Kuvend, bile zunë edhe post ministri. E prej faktorizimit të atyre viteve disa syresh i kemi ende në politikën aktive si produkt i atij sistemi të deformuar vote.
Sistemi aktual proporcional rajonal i ndarë në bazë qarku, duket sikur penalizon partitë e vogla, po nuk është i tillë. Është pikërisht pafuqia e partive të vogla që të rriten ajo që krijon idenë e gabuar se fajin e ka sistemi.
Nëse marrim si shembull LSI-në, në vitin 2005, kur kishte vetëm një vit e krijuar ajo mori një deputet nga mazhoritari dhe 4 nga proporcionali. Në vitin 2009, me sistemin e ri, duke hyrë e vetme në zgjedhje futi 4 deputetë në Kuvend. Si parti e vogël dhe relativisht e re, ky mund të quhet sukses. Në vitin 2013, në koalicion me PS-në, me po këtë sistem, LSI mori 16 mandate. Në vitin 2017, po me këtë sistem, partia e dikurshme e vogël LSI, mori e vetme 19 mandate.
Nga ky shembull, a mund të thuhet se ky sistem penalizon partitë e vogla? Absolutisht jo. Rezultati në ngritje u arrit për faktin se LSI pati një lidership të suksesshëm elektoratikisht si Ilir Meta që diti të thithë vota kudo, përfshi edhe vota nga elektorati i partive të mëdha. Ata që mund të thonë se LSI shfrytëzoi qenien në pushtet dhe përfaqësimin në rang ministri për t’u rritur, kundër argumenti është se edhe PR e zotit Mediu apo PDK e zotit Ndoka ishin në të njëjtat pozita, por s’e arritën kurrë performancën e LSI-së.
Çfarë i pengon atëherë partitë e tjera që të rriten e të zënë vend në Kuvend? Asgjë më shumë se sa e kundërta e LSI-së, pra mungesa e një lidershipi frymëzues dhe mënyrës së organizimit të partisë në qendër e në bazë. Mos vallë për këtë gjë fajin ua ka Rama dhe Basha, PS-ja dhe PD-ja?!
Ajo që nuk po kuptohet dhe që duhet të jetë thelbi i gjithçkaje, nuk është ndryshimi i këtij sistemi zgjedhor. Problemi më i madh është garantimi i një procesi të lirë e të ndershëm votimi e më pas atij të numërimit të votave që edhe ajo parti që merr një votë t’i njihet ajo e të mos i tjetërsohet. Problem është edhe çështja e shitblerjes së votave. Edhe ai i financimit të partive gjatë fushatave elektorale. Këto janë krye çështjet që duhet të marrin rrugëzgjidhje përfundimtare.
Ne nuk kemi komisionerë publikë numërimi, por partizanë partiakë që detyrën e tyre nuk e shikojnë tek zbatimi i ligjit, por tek shkelja e tij. Janë ata të cilët u besohet vota e popullit për ta administruar me profesionalizëm dhe për ta numëruar me ndershmëri e paanësi, por janë ata që dalin nga kuadri ligjor e bëjnë vetëgjyqësi sipas orientimeve partiake.
Prandaj them, nuk është problemi madhor sistemi zgjedhor që kemi. Ky sistem është funksional përsa kohë në këto 10 vjet që zbatohet ka kryer rotacion politik. Ka sjellë në pushtet PD e PS, herë me koalicion (PD-LSI, PS-LSI), e herë të vetme (PS). Si i tillë ai i jep secilit hakun, atë çka meritojnë.
Si përfundim, ky sistem, për çdo parti që bëhet e besueshme në elektorat, ofron shansin të futet në Kuvend. Shembulli i LSI-së, apo dhe i PDIU-së, na mjafton për ta thënë këtë. Prandaj problemi duhet parë tek administrimi i votimit dhe nxjerra e rezultatit, pa përmirësimin e të cilit çdo lloj sistemi do rezultonte i dështuar. Historia e këtyre 30 viteve mbetet dëshmitarja më e mirë në këtë rast. (TemA)