Kultura
Speciale

Sekretet e Helenës në studion muze të Ismail Kadaresë! Dhurata e fejesës që zbardh misterin e origjinës hebreje të shkrimtarit të madh

23 Tetor 2021, 19:05| Përditesimi: 24 Tetor 2021, 16:31

  • Share

E shndërruar në një muze, shtëpia e Ismail dhe Elena Kadare është kthyer në një udhërrëfyes të jetës së çiftit të njohur.

Ekspozita e titulluar “Helena” u hap me rastin e ditës së lindjes së shkrimtares, kryesisht me materiale arkivore të Shtëpisë Studio Kadare që prezantohen për herë të parë për publikun. 

E lindur për t’u bërë shkrimtare Helena Gusho u tërhoq nga një fill i padukshëm i fatit për ta lidhur jetën e saj me Ismail Kadarenë që në atë kohë ndiqte studimet pasuniversitare në Moskë dhe ishte një prej yjeve të rinj që kishte nisur të ndriçonte në letërsinë shqipe.

Pas disa letrave të shkëmbyera me njëri-tjetrin, takimi i parë do të ndodhte në Tiranë, pasi ai ishte kthyer nga studimet e tij në Moskë dhe do të ndizeshin shkëndija dashurie, që do ta bënin Helenën t’i kthente shpinën një fejese të premtuar nga familja e saj dhe të ndante lirshëm biseda të guximshme e të ngrohta me shkrimtarin.

Duke shëtitur ekspozitën, Report Tv zbuloi pak nga pak misteret e zonjës së shtëpisë. Helena Gusho i ka dhuruar Ismail Kadaresë një antikuar, një përkthim të zverdhur nga koha të Dhiatës së Vjetër me mbishkrimin që hedh dritë mbi origjinën e shkrimtarit.

Njohja e tyre duhet të kenë qenë shumë speciale, përderisa Helena Gusho i ka bërë dhuratë Ismail Kadaresë një antikuar, një përkthim të zverdhur nga koha të Dhiatës së Vjetër, që e gjejmë të ekspozuar në Shtëpinë Studio Kadare.

Ky antikuar me këtë shënim, siç duket kulmon pas bisedave të gjata për origjinat e familjeve të secilit. Helena Gusho vinte nga një familje ortodokse dhe Kadare nga një familje myslimane, por siç ka rrëfyer shkrimtari në librin “Çështje të marrëzisë, edhe familja e tij ka pasur më herët origjinë të krishterë, dhe një degë e familjes gjatë jetesës nën perandorinë osmane u konvertua në myslimane.

Antikuari duhet të ketë pasur peshë në forcimin e marrëdhënieve intime të dy të rinjve, i dalë nga vende të fshehta, në kohën kur diktatura komuniste krahas luftës së klasave po projektonte një luftë akoma më të ashpër kundër fesë.

Dhurimi i këtij libri të vjetër si shprehje e dashurisë nga Helena zbardh një mister të origjinës së Ismail Kadaresë

“Isamilit, birit të Abrahamit, ‘Dhjatënë e vjetër’, për t’i kujtuar edhe njëherë se është pinjoll i hebrenjve. “dhe kështu u bë” Helene. Tiranë 1993” 

Kjo “buqetë”  me libra që Helena Kadare ka shkruar, redaktuar e përkthyer, është zgjedhja e duhur për një grua që pjesën më të madhe të jetës ia ka kushtuar shkrimit dhe përkthimit, duke qenë njëkohësisht redaktore e palodhur, botuese e skenariste e talentuar. 

Helena Kadare është autore e shumë tregimeve, novelave dhe romaneve si: "Shuaje Dritën Vera", "Nusja dhe Shtetrrethimi", "Një lindje e vështirë", "Një grua nga Tirana", "Bashkëshortët", "Kohë e pamjaftueshme" etj.

Dorëshkrimet e saj tregojnë se sa mund i duhet shkrimtarit deri në botimin e një vepre.

 Le t’i zhbirojmë pak nga pak dorëshkrimet e saj. Me një shkrim të qartë, me një rregull e disiplinë shkrimi për t’u pasur zili, Helena Kadare edhe pse ende e re shfaqet që në hapat e parë si një shkrimtare me një stil individual, e pandikuar nga bashkëshorti i saj.

Ndoshta ndjeshmëria e tepërt ndaj letërsisë, pëlqimi  i letërsisë së Kadaresë që nuk ishte vetëm i saj, por edhe i letrave shqipe, i krijoi një drojë për ta bërë të dukshme letërsinë e saj.

Por droja e Helena Kadaresë nuk qe përulje, ishte një vizion më fisnik.

Vetë Helena Kadare ka qenë që në krye të herës një nga gratë më të emancipuara. Ishte ajo dashnorja e pazakontë e letërsisë që e tërhoqi shkrimtarin me shikim të parë.

Helena është gjendur gjithë jetën e saj mes dy rivaliteteve, etjes për të shkruar dhe dashurisë për letërsinë arrirë. Bashkëshorti i saj Ismail Kadare përveçse njeriu i zemrës, nuk mund të mos ishte për të edhe personifikimi i asaj që ajo vetë e kishte pasion, krijimtarisë së arrirë.

Jetën në krah të shkrimtarit të madh, Helena Kadare e ka sjellë të rrëfyer në “Kohë e pamjaftueshme”, librin autobiografik që ka botuar në vitet e fundit.

Ismail Kadare është shprehur për Helenën në ditëlindjen e saj.

"Është gruaja më e afërt e imja në këtë botë. Kështu ka qenë që në fillim të njohjes sonë, e deri tani në mbarim, në këtë pjesë të fundit të jetës. Njeriu më i afërt, që më ka dhënë gjithë gëzimet e kësaj bote, ndaj së cilës ndihem i detyruar për gjithçka.”

Shtëpia Studio Kadare, ku zonja e shtëpisë ka hapur sirtarët e jetës dhe të zemrës tashmë është një hapësirë kulturore në apartamentin ku shkrimtari Ismail Kadare banoi dhe zhvilloi gjithë krijimtarinë e tij nga viti 1974 deri në fillim të vitit 1990.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?