Zbardhet itenerari i plotë i lëndës narkotike kokainë, në 18 pako të ndryshme, të zbuluar në 16 nëntor në Mal të Zi. Burime të besueshme pranë Policisë së Shtetit konfirmojnë se droga fillimisht ka qenë brenda territorit të vendit tonë, ndryshe nga sa është raportuar e anasjellta në fillim.
Makina tip "BMW" e shkodranit Arvid Halili, i arrestuar nga policia e Malit të Zi, ka mundur të kaloj në pikën kufitare të Muriqanit, dhe destinacion final kishte kryeqytetin e Francës, Parisin, dhe vlera në tregun atje do të shkonte në rreth 2.2 milionë euro.
Autoritetet malazeze mësohet se kanë pasur informacion për praninë e lëndës narkotike dhe e kanë mbajtur në vëzhgim të riun shkodran përgjatë udhëtimit të tij në tokën e shtetit fqinj drejt pikës kufitare të Debeli Brijeg me Kroacinë.
Dyshimet e hetuesve janë se kjo sasi kokainë ka mbërritur në vendin tonë përmes portit të Vlorës ose Durrësit, me origjinë nga vendet e Amerikës Latine. Arvid Halili rezulton korrier i një prej klaneve shqiptar të transportimit të drogës, por nuk përjashtohet mundësia që këtë herë të ketë qenë i vetëm, edhe pse para hetuesve malazez nuk ka dhënë detaje.